Jo 'Bratstvo i Jedinstvo', të marrë, por pak raki, shlivovicë dhe uzo më shumë!

Jo 'Bratstvo i Jedinstvo', të marrë, por pak raki, shlivovicë dhe uzo më shumë!

Nëse do të pyetej një shqiptar i zakonshëm, këtej apo andej vijëzës së kufirit, këtej apo andej Kërthizës së Morinës, ndërkohë që gëzon me një gotë raki përpara, që parapëlqen Fishtën apo këndon Naimin, se cili popull është armiku i tij, shumica do të shënojë serbët në fillim dhe grekët më pas.

Nëse do të pyetej një serb i zakonshëm për të njëjtën gjë, duke shkundur shlivovicë në breg të Savës, që brohoret Xhokoviçin apo që ka lexuar Andriçin, se cilët janë armiqtë e tij, me siguri ai do ta vinte gishtin tek shqiptarët dhe më pas edhe tek kroatët.

Një grek Athine apo Selaniku, me gotën e uzos mbi kokë, që kërcen Sirtakin e Zorbës apo reciton Kavafisin, nuk do të hezitonte dy herë, kur do të hidhte sytë tek turqit si armiqve më të mëdhenj të vendit të tij, e pas tyre edhe tek shqiptarët.

Sondazhet japin këto shifra dhe temperatura e publikut në këto tre vende, duket se është pikërisht kjo. Eshtë ky rezultat i çastit të dhënë, një refleks i traditës së shkuar, frymëzim që vjen duke u shuar apo mentalitet i fjetur që zgjohet herë pas here, kjo është një çështje tjetër. Shqiptarë e grekë kanë rinisur herët stina dasmash dhe fëmijët që qajnë në dy gjuhët më të hershme të Evropës janë tashmë një realitet I gjerë, por turqit ende nuk do ta mendonin një aheng me serbët dhe serbët vetë nuk do ta kishin me shumë qejf krushqinë me shqiptarët. Lumenjtë e gjakut të derdhur mes tyre, hë për hë, nuk i lënë vend përgjakjes në çarçafë, siç e desh zakoni.

Por tjetër është dashuria dhe krejt tjetër interesi. Veç e veç, të tre këta popuj janë shumë të vegjël në një botë që po bëhet gjithmonë e më e madhe. Kombet e Bashkuara japin alarmin se ndërsa Greqia mund të humbasë deri në tre përqind të popullsisë së saj deri në vitin 2050, Serbia do të zvogëlohet me një të katërtën, kurse Shqipëria me pothuaj 18 për qind e Kosova me 11 për qind të popullsive aktuale. Këtë ulje drastike numrash nuk do ta bëjnë luftrat si njëherë e një kohë, por liria e natyrshme për të lëvizur. Atdheu nuk është më materniteti si dikur, por shkolla ku mund të studiojnë më mirë fëmijët.

Në konferencën e donatorëve për Shqipërinë, gjykuar nga shumë rrethana, grekët me dy milionë e gjysëm euro dhe 200 apartamente të afruar për Shqipërinë e goditur nga tërmeti dhe serbët me dy milionë euro grant, ishin në listën e vendeve bujarë për fatkeqësinë. Kjo është vetëm një pasqyrë modeste për të qenë gjithashtu një stacion modest për ndarjen nga steriotipet e së shkuarës. Hallkat e njëpasnjëshme të armiqësive në Ballkan, karuseli i çmendur i kujtimeve nga e shkuara, beteja për historinë që lexohet ndryshe varësisht gjuhës në të cilën shkruhet, ambienti acid që prodhon urrejtja e ushqyer nga padija, janë ende shumë më shumë se numërimi i miqësive, aleancave apo dhe mundësive të përbashkëta. Fati pothuaj i njëjtë që i ra këtij rajoni nën flamurin e të njëjtit pushtues për qindra vjet, ka kushtëzuar edhe raportet e viktimave të përbashkëta të të njëjtit mentalitet osman. Secili popull i këtij rajoni, edhe mbas ndarjes me pushtuesin, vuajti nga të njëjtat plagë si Evropa, por nuk bëri asnjëherë hajër dhe prokopi si ajo. Sepse identifikonte ndarjen tek tjetri dhe jo bashkëpunimin. Sot është një moment kyç kur në rajon po rikthehet fort vëmendja e të mëdhenjve të kësaj bote, amerikanëve dhe gjermanëve. Dhe në Ballkan, këta tre popuj duhet të nisin të kuptojnë se ata i bashkon një fatkeqësi e përbashkët: sa më shpejt që të kuptojnë, përtej megalomanisë tradicionale, sesa të vegjël dhe të pafuqishëm janë, aq më të fortë do të jenë në një botë të madhe të cilës i kanë nevojën, por që nuk i ka shumë të nevojëshëm.

Për këtë arsye, Ballkani i sotëm është i dënuar të bashkëpunojë. Nuk është çështje që mund të zgjidhet ndryshe, por është zgjedhja e vetme. Sado që të vonojë dhe sado që ta vonojnë, përfundimi është pikërisht ky: bashkëpunimi! Duke nisur me evolucionin dhe revolucionin në mentalitet. Njerëz të përgjegjshëm në këto vende duhet të thonë gjithmonë e më shumë se shqiptar i mirë nuk është ai që urren serbin dhe grek i keq është pikërisht ai që refuzon shqiptarin. Sot tingëllon ende si fantazi, por në një rajon që deri dy dekada më parë ishte përfshirë në luftën më të egër që kishte parë Evropa mbas Luftës së Dytë Botërore, 20 vjet janë shumë për të gjykuar se çfarë rezervon e ardhmja. Askush nuk ka idenë e ripërsëritjes së “Bratstvo i Jedinstvo”, aq më pak askush nuk kërkon të ngjallë Frankejshtajnin ish-Jugosllavi, që vdiq edhe në të mirë të vetë sllavëve të jugut, por gjithkush duhet ta kuptojë se e nesërmja i ka dënuar popujt e këtij rajoni të mësohen të jetojnë pa gardhe mes vetes: Në luftë humbasin edhe fitimtarët.

Pothuaj një shekull më parë, Konica do të gdhente frazën monumentale nga pesha që kishte dhe dramatike nga e vërteta që përmban ende, për armiqtë më të egër të shqiptarëve. E perifrazuar në shqipen e sotme, armiqtë më të egër në Ballkan, janë vetë ballkanasit kokëshkretë që ende nuk kanë mundur të ndajnë diferencën mes urrejtjes, dashurisë dhe interesit. Se Rama e Kurti janë shqiptarë të mirë, pavarësisht se çfarë mendojnë serbët për ta dhe se shqiptarët duhet ta pranojnë se Vuçiç është serb i mirë pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo. Dhe se përballë njëri-tjetrit, pa paguar taksën e paragjykimit për të qenë patriot apo tradhëtar, ata janë gjithashtu të dënuar të dialogojnë. Ta bëjnë vetë përpara se t’i detyrojnë ta bëjnë.

Sepse shpejt, shumë shpejt, ne aksin Prishtinë – Beograd, do të ketë të reja befasuese, që me gjasë, do të zhgënjejnë edhe skeptikët, edhe optimistët, që do të lenë njëlloj të pakënaqur edhe patriotët, edhe nacionalistët. Oferta “Mere ose lere” në anglisht, do të ndryshojë pamjen kryenece e sherrnajën ballkanase dhe do t’i japë një portret të ri gjithë rajonit. Me “mere”, paqja afatgjatë do të ketë një shans të jashtëzakonshëm, me “lere”, që është versioni pesimist, Sizifët do të jenë ende me gur në shpinë.

Pjesa tjetër pastaj do të jetë histori.

Në Ballkan, nën komandën e rakisë, shlivovicës dhe uzos, edhe gëzimi qëllon me armë. Si krismat që i duan aq shumë nëpër dasmat e tyre. Dhe kur thuhet një gjë e tillë për tre aktorët kryesorë të mikrobotës ballkanike, le të mbahet fryma një çast. Të kthehet vëmendja tek gjithë ata ustallarë të urrejtjes dhe ndarjes që po tentojnë të hapin një gropë në Kërthizën shqiptare në Morinë. Këtej apo andej vijëzës së kufirit, të jesh budalla është vetëm fat i keq, por të jesh i lig, është krim! Vetëm se budallallëku nuk do të mundë të justifikojë kurrë krimin dhe krimi më së paku ndëshkohet me përbuzje e neveri! /JavaNews/

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS