ReportTV siguron shkresën e kryepolicit Ardi Veliu drejtuar vartësve të tij në janar 2020 ku zbulon se tashmë grupet kriminale në Shqipëri kanë zgjedhur ambientet e mbyllura për kultivimin e kanabisit. 

Nisur nga kjo Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u kërkon drejtuesve të policisë të bashkëpunojnë me autoritetet vendore për të identifikuar pronarët e magazinave, depove, tuneleve, ish-reparteve ushtarake, shtëpi të braktisura, serave, staneve e të tjera, që shfrytëzojnë trafikantët.

Në këtë proces, ndihmë kërkohet edhe nga OSSHE për identifikimin e konsumatorëve të cilët mund të përdorin energjinë elektrike më shumë se sa nevojat e tyre, që rrjedhimisht çon tek dyshimet për kultivim kanabisi me llampa.

Një rast i ngjashëm u evidentua nga policia në qytetin e Fierit pak javë më parë në një shtëpi në pronësi familjes Kapaj që kishin përshtatur banesën e tyre me aparatura për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike dhe nëpërmjet energjisë elektrike  kishin mbjellë 312 fidanë kanabis.

Në letrën, të cilën Report Tv e disponon, Veliu i shpreh hapur kritikat për uniformat blu për kontrollin jo të plotë në zonat me risk të lartë për kultivimin e kanabisit, fenomen që njohu rritje në vitin 2019.

Për ministrin e Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, përpjekjet e policisë me kanabisin duhet të japin rezultat brenda qershorit, ndërsa kërkoi bashkëpunim me autoritetet vendore për identifikimin e çdo zone ku kultivohet droga. Gjatë një takimi me drejtues të policisë ai tha se në monitorim do të përdoren edhe drone, në bashkëpunim dhe me Forcat e Armatosura.

Letra e Ardi Veliut