Rruga drejt Bashkimit Evropian po rrit presionin mbi partitë politike dhe paratë që ato përdorin. Një ligj i ri për financimin e tyre po përgatitet dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve propozon ndëshkime më të larta për partitë që fshehin të ardhurat e tyre.

“Vendosja e sanksioneve proporcionale, të forta dhe të zbatueshme. Gjoba të bazuara mbi përqindjen e fondeve publike (p.sh. 2% për mosraportim), pezullim të fondeve publike për vitin pasardhës, konfiskim fondesh, përgjegjësi penale për shkelje të rënda. Kjo qasje është në linjë me standardet ndërkombëtare për masa proporcionale dhe efektive”, -tha kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.

Në të njëjtën tryezë diskutimi ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, i cili u tha politikanëve se delegacioni ka pritshmëri shumë të larta nga komisioni për reformën zgjedhore.

“Dua të jem e qartë, ndodhemi në një moment kritik për Shqipërinë. Pa këtë hap përpara nuk mund të mbyllet asnjë kapitull. Prandaj Shqipëria duhet të shfrytëzojë këtë moment për të avancuar reformat që sigurojnë transparencë në financimin e partive dhe fushatave, forcimin e mbikëqyrjes së pavarur, adresimin e nevojës për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve publike për qëllime elektorale, mbështetjen e debatit publik të bazuar në fakte, dhe mbrojtjen e konkurrencës zgjedhore nga ndikimet e pajustifikuara — përfshirë në sferën digjitale”, theksoi ambasadori i BE, Silvio Gonzato.

Dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore u shprehën të gatshëm për të punuar bashkë në këtë drejtim, por pa bërë premtime të mëdha.

“Bashkëpunimi është i vështirë pasi ka ligje që prekin interesat e partive politike. Kemi nevoje për një ligj për te disiplinuar partitë. Donacionet te bëhen ne llogarite bankare. KQZ te forcoje kapacitetet e saj”, - tha Damian Gjiknuri udhëheqës i reformës, nga PS.

“Problem i madh financimi nga krimi i organizuar. Çështja e parë që duhet parë, burimet e financimit të partive a janë te mjaftueshme dhe të pastra. A kanë partitë resurse qe i bëjnë me imune nga aktorë të tretë të jashtëm apo dhe nga krimi”, u shpreh Oerd Bylykbashi, udhëheqës i reformës në emër të PD.

Ekspertët ndërkombëtarë në tryezë rekomanduan që të bëhet një regjistrim i detyrueshëm i subjekteve të treta që fusin para në politike, të krijohet gjithashtu një regjistri publik të reklamave politike online, identifikim i detyrueshëm i  sponsorëve dhe ndalim i financimeve të paguara nga subjekte të huaja.