Më 14 shkurt të vitit 1978, Xhuliana dhe Tajar Xhanari, e bënë zyrtare historinë e tyre të dashurisë.
“Sot bëjmë 48 vjet që kemi bërë hyrjen familjare”
Për ta, 14 shkurti, dita e të dashuruarve, nuk është vetëm një datë në kalendar, por një jetë e tërë bashkë.
“Ne Shën Valentinin e kemi përditë. Nuk është vetëm sot.”
Sot, Tajari 71 vjeçar dhe Xhuliana 68, e kujtojnë ende ditën e parë të njohjes. Ishin të dy në shkollë të mesme.
Sekreti i jetëgjatësisë së një martese të gjatë dhe të lumtur, thonë se është fare i thjeshtë: Të qëndrosh me vendosmëri pas asaj që do, pa hequr dorë në momentet e vështira.
“Grindje ka… po s’u grind nuk ka dashuri. Ka rrahje mendimesh, por i zgjidhim me qetësi.”, thonë ata për "Report TV".
“Duhet respekt dhe durim. Jo për një hiç gjë edhe ik.”, shton Xhuliana Xhanari.
Një histori dashurie, që u rrit me përkushtim, mes punës së Tajar Xhanarit në naftë dhe bashkëshortes në aviacion, sot ata janë prindër të dy fëmijëve dhe gjyshër të dy nipave dhe dy mbesave. Ardhja e fëmijëve në jetë, i ka afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin.
“Në kohën tonë nuk kishte pengesa. Ne i kemi rritur fëmijët me gjyshër, kështu që s'i kemi rritur vetëm. Kemi qenë familje e bashkuar.”, tregon Tajari.
Si Xhuliana dhe Tajari 48 vite më parë, një tjetër histori dashurie lulëzoi më 14 shkurt.
Akselin 25-vjeçar dhe Esmeraldën 22 vjeçare i gjejmë tek Parku i Liqenit të Tiranës. Të rinjtë i premtuan njëri-tjetrit dashuri.
Si simbol të lidhjes së tyre, mbollën një pemë Fotini, që, ashtu si rrënjët, edhe dashuria forcohet me kohën.
“Ishte diçka që nisi papritur dhe shpejt, por që do zgjasë përgjithmonë.”, thotë Aksel Alla.
“Për sa kohë ka besim dhe respekt, gjithçka tjetër vjen vetë.”, vëren Esmeralda Elezaj.
Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës, u përfshi nga festa me një sërë koncertesh, panair artizanësh dhe ekspozitë pikture me rreth 20 vepra me tematikën e dashurisë. (efekte pikturat)
“Sot kam sjellë disa piktura me figurën e femrës dhe natyrën e qetë, që t’i qëndrojmë temës së kësaj feste dhe njerëzit ta shijojnë parkun me art.”, thotë autori i këtyre punëve, Hysni Loka.
Që dashuria thyen çdo pengesë, e dëshmojnë edhe këto gra, të cilat edhe pse larg të dashurve të tyre, në kushte izolimi në paraburgimin e Beratit, zgjodhën t’i surprizojnë në një festë simbolike.
Komente








