Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në New York se Qeveria po përpiqet që të sjellë në Shqipëri investitorë të fuqishëm të huaj, që do të hedhin miliarda euro.

Rama tha se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për projektin që dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, pritet të ndërtojë në ishullin e Sazanit, por edhe për një sërë projektesh të tjera.

Duke cituar shprehjen ‘Shqipëria është e shqiptarëve’, kryeministri Rama tha se ky është një slogan i turpshëm, pasi sipas tij, shumë shqiptarë kanë qenë vetë emrigrantë në shtete të tjera. Pra sipas Ramës, ‘nëse Italia do të ishte e italianëve’, shumë shqiptarë që kanë emigruar dhe shkëlqyer në Itali, nuk do e kishin këtë mundësi.

“Po përgatitemi që të hedhim në vend miliarda, jo vetëm me projektin e famshëm dhe të jashtëzakonshëm të Kushner, por edhe me projekte të tjera të mëdha. Në Shqipëri gjërat janë shumë të qarta. Pasi kemi kaluar një epokë poshtërimi, kur kushdo që donte të fitonte ndonjë palë zgjedhje në ndonjë vend europian e kishte të lehtë, duke treguar shqiptarët si delja e zezë. Na duhet të bëjmë shumë më tepër me më shumë kurajo, pa përjashtuar në një betejë të pakuptimtë ideologjike, zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe pa fajësuar të huajt që po vijnë e po na marrin tokën. Gjatë muajve të fundit kam dëgjuar sloganin më të neveritshëm dhe më të turpshëm, ‘Shqipëria u përket shqiptarëve’. Por nëse do të kishte qenë e njëjta gjë për të gjitha vendet ku shkuan dhe lulëzuan shqiptarët, ne s’do të kishim bërë asgjë. Shqipëria i përket Zotit dhe mikut, ashtu si shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”, tha kryeministri Rama.


Lajmi kryesor:

Rama nga New York: Biden dhe SHBA e tradhtuan Thaçin, mund të bënin më shumë! Pas Zvërnecit, përgatitemi për investime të reja