BUJANOVC, 24 Nëntor/ATSH/- Tre ditë para ditës së flamurit kombëtar, sot në ambientet e KKSH-së në Bujanovc, është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillt Kombëtar Shqiptar, i cili do të përfaqësojë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në krye të KKSH-së u propozua Jonuz Musliu, kryetar i deritanishëm i Kuvendit Komunal të Bujanovcit dhe ish-drejtor i SHP të UCPMB-së. Në këtë post më herët ishte profesor Galip Beqiri, nga radhët e PVD-së. Lideri i LPD-së njëkohësisht kryetar i KK të Bujanocit, Jonuz Musliu, është propozuar nga blloku i subjekteve politike, PDSH-LPD-BDL-PD-RD, të cilët kanë fituar 8 këshilltarë nga 15 gjithsej që ka kuvendi i KKSH.
Ja prioritet e kryetarit të ri të KKSH-së:
"Jemi të gatshëm të drejtojmë KKSH-në në shërbim të qytetarëve", deklaroi Musliu për agjencinë e lajmeve "Presheva Jonë" pas takimit të sotëm mes këshilltarëve të rinj. Siç raportohet nga "Presheva jonë" nominimi zytar i Musliut në kryre të KKSH-së është rezultat i zgjedhjeve të fundit në këtë organ, i cili doli fitues në dy koalicione zgjedhore, që përfshinin pesë parti politike, nga gjashtë. Atij ia dhanë votën 61 për qind e votuesve. Ai aktualisht është kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanovcit dhe kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik.
Pas zgjedhjes në krye të KKSH-së, lideri i ardhshëm synon që të ndryshohet pozita e shqiptarëve në Serbi, në fushën e arsimit, informimit, kulturës dhe përdorimit të simboleve kombëtare.
Musliu për agjencinë e lajmeve "Presheva jonë" ka pohuar se "priortitet i KKSH-së tashmë e tutje do të jetë zbatimi i Referendumit të vitit 1992 konform vullnetit të popullatës, që e garanton edhe karta e OKB-së për popujt autokton me te drejtë për vetvendosje, që Kosova Lindore me kryeqytetin Preshevë t'i ribashkohet Kosovës..."
Musliu duke folur për prioritetet ka pohuar se në Luginën e Preshevës ka nevojë për gjithçka, sepse gjithçka është e diskriminuar në këtë pjesë të Evropës. "Megjithatë, prioritet në mandatin tim katër vjeçar në krye të KKSH-së padyshim do të jetë amnistia e ish-ushtarëve të UCPMB-së bashkë me përkujdesin ndaj familjeve të dëshmorëve, jetësimi i vullnetit të popullit shqiptarë, duke zbatuar Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për ribashkimin e Krahinës së Preshevës me Kosovën", tha Musliu.
Po ashtu tha ai, prioritet është legalizimi i simboleve, flamurit dhe festat kombëtare si dhe avancimi i procesit arsimor, sidomos furnizimi i nxënësve tanë me libra nga Tirana dhe Prishtina dhe natyrisht zgjerimi i bashkëpunimit tonë me këto dy qendra shqiptare në Ballkan./a.gjonaj//m.m/