Jorgo Goro dorëhiqet si kryebashkiak: Himara, shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes Shqipërisë e Greqisë! Pas arrestit, shtrohet në spital

TIRANE- Me një letër nga qelia e paraburgumit, Jorgo Goro jep dorëheqjen nga posti i Kryetarit në detyrë të Bashkisë së Himarës.

E quan absurde akuzën e ngritur ndaj tij dhe për të cilën prej 23 marsit 2024 ndodhet i arrestuar por se do vijojë betejën ligjore me fakte dhe është i bindur se e vërteta do të dalë. 

Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral' thotë ai në letrën drejtuar  këshillit bashkiak të Himarës dhe prefektit të qarkut

Denoncon dhe tentativat e 'OMONIA-s' (Edhe pse nuk ia permend emrin) për ta kthyer Himarën në mollë sherri mes Athinës e Tiranës. 

Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë" shkruan Goro. 

Jo vetëm kaq. Ndalet dhe tek fitorja e Fredi Belerit me 19 vota në zgjedhjet e 14 majit 2023.

"Zullumi i asaj “fitoreje” me më pak se 20 vota ishte shumë më i madh se sa duket nga ato që dëgjohen në media për hetimin" thekson Goro. 

Në letër rendit dhe punët për transformimin e Himarës, e cila dikur vetëm me shqiptarë nga vendi dhe Kosova sot është kampione e frekuentimit masiv të miliona turistëve nga mbarë bota, për të cilën ndihet krenar.

Pas 12 viteve e 10 muaj në drejtimin e saj 'dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur" shkruan Goro.

Ka një peng

"Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!

 

Letra e plotë

Drejtuar: 

Këshillit Bashkiak Himarë

Për dijeni:

Prefektit të Qarkut të Vlorës

Të nderuar,

Ishte një nder i madh dhe motivim i veçantë t’i shërbeja qytetit tim për 12 vite e 10 muaj si qytetari i parë falë votës së himariotëve të mi. Kandidova për të fituar dhe megjithëse humba mbeta këto kohë lidhur në detyrë me legjitimitet të cunguar formal dhe moral. 

Rezultati tepër i ngushtë me 19 vota diferencë nuk ishte në favorin tim, po as zhvillimet negative pas zgjedhjeve nuk ishin as në dëshirën as në dorën time. S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve.

Megjithëse e dija se sa shumë ishin lidhur fijet e manipulimit propagandistik për gjoja shpëtimin e pronave të Himarës me fijet e manipulimit elektoral për të mbushur autobuzët me premtime dhe xhepat e pasagjerëve elektoralë me para, nuk e prisja atë rezultat. Por nuk kisha as si të flisja dhe t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës dhe arriti deri në Bruksel. Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë.

Himara është shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes dy vendeve fqinje. Ndërsa pretendimet e mia për batërdinë që u bë me lloj-lloj marifetesh, listat e asistencave dhe bursave matanë kufirit, kërcënimet me heqjen e letrave të qëndrimit andej për të sjellë votues që kishin ikur nga Himara fëmijë dhe s’kishin shkelur më, pagesat me listë për blerje votash, nuk kishin më asnjë kuptim mbas arrestimit në flagrancë të “fitimtarit”. I dhashë dorën sa mbaroi numërimi dhe e mbylla kapitullin tim bashkë me gojën.

Por di të them se zullumi i asaj “fitoreje” me më pak se 20 vota ishte shumë më i madh se sa duket nga ato që dëgjohen në media për hetimin. E vetmja gjë që dua sot është që Himara të vazhdojë punën e nisur dhe fqinjësia e vjetër tradicionale mes dy shtetesh të mos bëhet pengu i ca spekullantëve lokalë të maskuar si viktima të një padrejtësie të re shtetërore që nuk ekziston për pronat e himariotëve. Një marrëzi qesharake dhe e rrezikshme e ngritur si kurth ndërshtetëror nga këta spekullantë të djallëzuar.

Himara sot ka statusin e transformimit total të saj, ku prona dikur e destinuar për të provokuar deri edhe tragjedi familjare vlen shumëfish më shumë. Ku çdo banor ka shërbime në mjekësi, shikon investime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme në arsim, infrastrukturë, energji elektrike, ujë i pijshëm, etj. Dhe për të shkuar tek turizmi, Himara dikur vetëm me shqiptarë nga vendi dhe Kosova sot kampione e frekuentimit masiv të miliona turistëve nga mbarë bota. Jo në hotele dhe rezidenca të ndërtuara mbi prona të grabitura nga shteti për “oligarkët” siç bërtasin spekullantët anadollakë të lokalitetit, po në troje të kontraktuara me çmime apo kushte gjithnjë dhe më të favorshme nga cilado familje himariote që ka dëshiruar t’i japë të vetat për zhvillim.

Po ndërkohë nga fundjava që sapo kaloi jam në një situatë absurde me drejtësinë për një faj që nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral. 

Prandaj duke i falenderuar me shpirt të gjithë himariotët (më kanë votuar apo s’më kanë votuar, ky falenderim nuk i ndan), për të gjithë nderin e madh që më bënë në këto vite, dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!

Me shumë respekt,

Jorgo Goro

 

Letra e plote

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:52
Dorëheqja e Jorgo Goros, Balla: Ligji e përcakton qartë, vendimmarrja për kryetarin e ri i takon Këshillit Bashkiak

 

Ministri Taulant Balla është pyetur nga gazetarët për bashkinë e Himarës, që është pa kryebashkiak, ndërsa Jorgo Goro dha edhe dorëheqjen.

Balla tha se do zbatojnë ligjin dhe se vendimmarrja për kryetarin e ri i takon Këshillit Bashkiak të Himarës.

“Ligji për organizmin e qeverisë vendore përcakton qartë rastet e vakancës, krijimi i vakancës me dorëheqje apo formë tjetër. Dorëheqja sapo ka ndodhur, nga ky moment, prefekti njofton organet e tjera të qeverisjes qendrore. Qeveria do zbatojë ligjin pikë për pikë”, tha Balla.

“Unë jam ministri, s’më takon të bëj deklarata të natyrës politike lidhur me vendimmarrjen ekskluzive të këshillit bashkiak të Himarës. Këshilli bashkiak komandon në detyrë një kryetar që kryen në mënyrë të përkohshme këtë detyrë. Tua lëmë vendimmarrjen institucioneve që u takon me ligj. Do ishte e pavend që të jepja unë komente për këtë vendimmarrje që i takon Këshillit Bashkiak Himarë”, tha Balla.

Sa i takon arrestimit, Balla tha se nuk komentojnë vendimet e drejtësisë, por e mbështesin atë.

Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk komentojmë vendimet e drejtësisë. Drejtësia ka mbështetjen tonë për të çuar para luftën kundër korrupsionit dhe çdo lloj forme tjetër të shkeljes së ligjit.

Ora 13:27
Jorgo Goro shfaq probleme shëndetësore, shtrohet në spitalin e burgut

Pas arrestimit për tjetërsim pronash në Himarë, Jorgo Goro ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është shtruar në spitalin e burgut, bëjnë me dije burime për Report Tv.

Ora 12:35
Jorgo Goro u dorëhoq, vendi për kryetarin e bashkisë së Himarës vakant! Me 29 mars mblidhet këshilli bashkiak

1711370615_jorgogorobeleri.jpg

Me një letër nga qelia e paraburgumit, Jorgo Goro dha sot dorëheqjen, ndërsa pozicioni i kryetarit të bashkisë së Himarës ka mbetur vakant.

Por çfarë parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore? Zgjidhja më e mirë do të ishte ajo e zgjedhjeve të parakohshme por për këtë do të duhet të pritur një vendim i formës së prerë nga Apeli i GJKKO për Fredi Belerin.

Pas dorëheqjes së Goros, më datë 29 mars pritet që të mblidhet këshilli bashkiak dhe të vendosë me votë se cili prej dy nënkryetarëve, Blerina Bala apo Pervin Gjikuria do të drejtojë bashkinë Himarë deri në zgjedhjet e reja.

Në këtë rast Partia Socialiste ka 13 vota në Këshill, përkundrejt 8 vota të koalicionit opozitar, pra mazhoranca do të zgjidhte e vetme.

“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen  Zv. kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”.- thuhet në Neni 61, pika 5.

Socialistët kanë shumicën në këshillin bashkiak të Himarës, dhe burime për Report Tv bëjnë me dije se Blerina Bala është pretendentja kryesore për të drejtuar bashkinë deri në zgjidhjen përfundimtare të ngërçit.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • jani: 28/03/2024 10:57

    nuk e kuptoj qe askush nuk flet per anti shqiptarizmin qe tregon vangjen dule dhe e lejojne te flase sikur jeton dhe paguhet nga greqia dhe jo me taksat tona

    Përgjigju
  • Petro: 27/03/2024 19:12

    Nuk e dinim qe ne qeli ka sherbim me kompiutera qe i arrestuari te shkruaje e printoje letra doreheqje. Ah, paska harru firmen....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët