Mbështetur në parmakët e shkallëve të Sallës sportive “1 Tetori” në Prishtinë, Rrustem Bajrami, 70-vjeçar, vështron provat e fundit të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës për shfaqjen “Halili dhe Hajria”. Atyre u janë bashkuar edhe balerinët e Trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës. Kjo vepër baleti luhet me muzikën e kompozitorit shqiptar, Tish Daija, dhe me koreografi të Panajot Kanaçit.
Rrustemi, ende pa iu drejtuar mikrofonit të Radios Evropa e Lirë, me sy kah balerinët në skenë, pëshpëriti “e bukur, shumë bukur... por edhe zhgënjyese dhe dëshpëruese”. Në vitin 1981, vetë Rrustemi kishte qenë në skenë, si balerin, duke e luajtur të njëjtën vepër. Me rivënien në skenë të kësaj vepre të baletit, nga koreografja Alisa Gjoni, të dielën në mbrëmje, më 9 tetor, Baleti Kombëtar i Kosovës shënon jubileun e 50-të të themelimit.
“Njeriu zhgënjehet kur nuk ka shtëpi”
Gjysmë shekulli më parë, Rrustemi nga Komuna e Pejës pasi që kishte përfunduar studimet për kërcimtar të baletit në Shkup, si 20-vjeçar, në vitin 1972 i ishte bashkuar Trupës së Baletit të Teatrit Krahinor të Kosovës, siç quhej asokohe kur ishte themeluar. Lëvizjet e balerinëve në skenën e improvizuar, të ngritur në mesin e sallës “1 Tetori”, Rrustemi i përcjellë me nostalgji, me krenari - sepse ishte pionier i Baletit të Kosovës, që u trashëgua nga shumë të rinj - por edhe me zhgënjim.
“Ah...zhgënjimi vjen vetë kur e sheh se nuk ka kushte, nuk ka përmirësim, nuk funksionon... Njeriu zhgënjehet kur nuk ka shtëpi. Kemi qenë pa shtëpi dhe kemi mbetur pa shtëpi. Kjo është papërgjegjësi e shtetit tonë. Qysh kur kemi ardhur ne, atëherë në kohën tonë (1972), flitej se do të ndërtohet një teatër (i Operës dhe Baletit). Shkuan 50 vjet dhe s’ka lëvizje fare”, tha Rrustemi.
Ai rikujton se kur u themelua Ansambli parë i Baletit të Kosovë, në vitin 1972, ushtrimet i zhvillonin në dhomat e objekteve të Bashkësive Lokale në Prishtinë, siç quheshin atëherë, në kushte të papërshtatshme për inskenimin e shfaqjeve.
Por, megjithatë, sipas tij, sukseset nuk munguan dhe balerinët e Kosovës u bënë të njohur, jo vetëm në hapësirën e ish-Jugosllavisë, por edhe në Evropë dhe botë. Asokohe, trupa kishte 25 balerinë të rinj, prej të cilëve 19 burra dhe 6 gra.
Për herë të parë me orkestër “të gjallë”
Më 1991, masat e dhunshme të ish-regjimit serb, i nxorën balerinët e Trupës së Baletit jashtë Teatrit. Disa prej tyre u rikthyen në Teatër pas luftës së viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë. Në vitet 2001 dhe 2002 inskenuan dy shfaqje, bashkë me studentët e tyre. Por, siç thotë Rrustemi, “balerinët ishin plakur për të dridhur skenën”.
Në vitin 2005 Trupa e Baletit u rifreskua me balerinët e rinj, të diplomuar në Degën e Baletit në Shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Që atëherë e deri më sot, Baleti Kombëtar i Kosovës ka inskenuar rreth 60 shfaqje premierë dhe ka luajtur mbi 500 repriza, në vend, rajon dhe në botë. Të gjitha këto, janë punuar në hapësirë të ngushtë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, i cili aktualisht është duke u rinovuar, thonë pjesëtarët e Trupës së Baletit.
Pavarësisht nga kjo, Luljeta Ademi, balerinë e kësaj trupe, thotë se është e emocionuar që do të jetë në skenë, me shfaqjen që shënon jubileun e Baletit të Kosovës.
Për më shumë, sipas saj, kjo është hera e parë që shfaqja do të luhet me orkestër, siç e quan ajo, “të gjallë’ të Filharmonisë të Kosovës. Një gjë e tillë, sipas saj, ka qenë e pamundur më herët, për shkak të mungesës së hapësirës.
“Është hapësira, do të thotë objekti që ne nuk e kemi. Po ta kishim mbajtur edhe në Teatrin Kombëtar, nuk do të mund ta realizonim kështu, sepse nuk ka hapësirë për orkestër. Ky është improvizim, por të paktën, do të mund ta realizojmë shënimin e 50- vjetorit. Përndryshe, nuk e di se si do t’ia bënim”, tha Luljeta.
Rrethanat e imponuara për një jubile
Për shkak të renovimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, por edhe në mungesë të një shtëpie rezidente të veten, Baleti Kombëtar i Kosovës aktualisht po i mban ushtrimet e rregullta në sallën e Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” në Prishtinë, thotë drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi.
Për shënimin e jubileut të 50-të të Baletit Kombëtar të Kosovës, sipas tij, është dashur të improvizohet skena në një sallë sporti, ku ambienti, siç thotë ai, nuk është fare i përshtatshëm për shfaqje dhe aq më pak për shënim të një jubileu.
“Sigurisht që nuk është i përshtatshëm. Është rrethanë e imponuar. Ne kemi shpresuar dhe vazhdojmë të shpresojmë që do ta kemi një teatër të operës dhe baletit, i cili do të na ofronte kushte më të mira, hapësira më të gjera, salla më të mira, skenë më të mirë...Kjo gjë nuk ka ndodhur për 50 vjet. Nuk ka ndodhur as në këto vitet e pasluftës. Ka pasur premtime shumë, ka pasur nisma, ka pasur projektime, ka pasur ndarje fondesh për projektimin e kësaj ndërtese. Mirëpo, realiteti është se ne sot jemi pa ndërtesë”, thotë Kajtazi.
Ai shton se edhe vetë i takon gjeneratës së pasluftës të balerinëve të Kosovës, të diplomuar në vitin 2005, të cilët kishin lidhur hallkën e vazhdimësisë së ekzistencës së baletit në vend. Kjo, sipas tij, ishte bërë me mundin dhe sakrificën e gjeneratës së tij, por në veçanti të gjeneratës së parë, së cilës i takon edhe balerini Rrustem Bajrami dhe shumë të tjerë, të cilët ishin udhëhequr nga drejtori i mëparshëm i kësaj trupe, Ahmet Brahimaj, tashmë i ndjerë.
"Fajtorë janë ata që paguhen me taksat tona”
Balerinët e rinj, mbajnë mend insistimet për shumë vite të profesorëve të tyre tek autoritetet e vendit për ndërtimin e një objekti të operës dhe baletit. Insistimet për një objekt të tillë kanë vazhduar edhe nga gjenerata e re e balerinëve, thotë balerina Behije Murtezi, e cila është pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës tash e rreth 20 vjet. Ajo flet me Radion Evropa e Lirë, duke buzëqeshur. Por, siç thotë ajo, kështu po përpiqet ta fshehë zhgënjimin se po i afrohet moshës, kur më nuk do të jetë efektive në skenë, pa shkelur mbi një skenë profesionale të baletit në vendin e saj.
Por, kush mban barrën e fajit për mungesën e një Teatri të Operas dhe Baletit në Kosovë?
“Fajet i kanë ata që vishen me kostume dhe kravata, që zgjidhen nga populli, që paguhen nga taksat tona dhe që dinë të flasin bukur para televizionit, por që punën nuk e kanë kryer siç është dashur. Dëshira ime, në këtë 50-vjetor, është që baleti të ketë një teatër të vetin. Shpresoj që nuk do të dalim në pension me dëshirën për të luajtur në një teatër profesional, por të krijohen kushtet për të gjithë artistët e Kosovës”, thotë Behija.
Saga e ndërtimi të një objekti
Për ndërtimin e një Shtëpie të Operës dhe Baletit kishte nisur të flitet që nga viti 2003, në rrethet e artistëve dhe drejtuesve institucionalë. Baleti Kombëtar i Kosovës është një nga institucionet kulturore që punon nën kupolën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në vitin 2006, kjo ide kishte dalë në publik, ndërkaq që ishte ndarë edhe një parcelë në Prishtinë, me qëllimin e ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit.
Në vitin 2009, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kishte nisur projektin për ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit. Po atë vit, ishte vënë gurthemeli i këtij objekti, por puna për ndërtimin e tij pati ngelur në themel. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndër vite kishte dështuar ta vazhdojë punën, qoftë për shkak të implikimeve buxhetore që parashihnin investim të 30 milionë eurove, qoftë për shkak të problemeve ligjore lidhur me pronësinë e parcelës ku ishin vendosur themelet e objektit.
Në vitin 2015, sërish kishte premtime për ndërtimin e Teatrit të Operës. Në shkurt të atij viti, zyrtarët e MKRS-së, thanë se “është çështje ditësh” dhe se në muajin mars do të niste projekti ideor, ndërkohë në muajin prill edhe puna praktike. Por, më pas, punë konkrete nuk pati.
Në fund të prillit të vitit 2022, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur për vendndodhjen e një teatri të ri të mundshëm multifunksional, kryesisht për opera dhe balet.
Në qershorin e sivjetmë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u ka thënë mediave vendore, së është “në procesin e shpalljes së thirrjes për projektimin e objektit të operas dhe baletit dhe do të vazhdojë ndërtimin e një objekti...”.
Radio Evropa e Lirë, i është drejtuar MKRS-së, me pyetjet se “ a është kryer shpallja e thirrjes” për këtë projekt. MKRS-ja, në një përgjigje me shkrim, thotë se “është çështje ditësh, kur do të bëhet publik konkursi për projektin në fjalë” dhe se “shtëpia e përhershme e baletit do të jetë Teatri i Operës dhe Baletit, një objekt modern, sipas parametrave dhe standardeve ndërkombëtare, që do të plotësojë kërkesat e artistëve dhe balerinëve”./ Marrë nga Evropa e Lirë