TIRANE- Dalja e shtetasit J.Metushaj, në dëshminë e bashkëpuntorit të drejtësisë Julian Sinanaj, ka shtyrë hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ta pyesin për ngjarjen e datës 24 dhjetor 2011, ku mbeti i plagosur rëndë, efektivi i policisë Naim Hyska. Kjo ngjarje megjithëse pa autor, lidhet ngushtë me J.Metushaj, pasi ky i fundit ka qënë njeriu kryesor i dyshuar për atentatin e bëra ndaj efektivit të policisë rrugore në zonën e “21 dhjetorit”. Sinanaj e përmend J.Metushaj si një vrasës me pagesë të grupit kriminal ku bënte pjesë dhe vetë, por për një moment ai ishte vënë kundër tij, nga kushërinjtë Mëhillaj, me qëllim vrasjen e anëtarit të grupit të tyre kriminal.

Nisur nga seria e vrasjeve të kryera për llogari të këtij grupi, gjatë seancës së pyetjeve bashkëpuntorit të drejtësisë i është kërkuar llogari dhe për ngjarjen e datës 24 dhjetor 2011, ku ka mbetur i plagosur rëndë efektivi i policisë rrugore Naim Hyska. Në dëshminë e tij, për këtë ngjarje bashkëpuntori i drejtësisë Julian Sinanaj ka mohuar të ketë marrë pjesë në këtë atentat, duke u shprehur se nuk kishte asnjë informacion. Të njëjtën gjë ka pohuar dhe i penduari tjetër Ndriçim Gjokona, i cili është shprehur se skishte dijeni për këtë ngjarje.

Mohon pjesëmarjen
Julian Sinanaj ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me plagosjen e policit Naim Hyska. 29-vjeçari ka treguar se për këtë ngjarje nuk ka dëgjuar ndonjëherë dhe se nuk kishte të dhëna se kush ishte organizatori i atentatit, ku mbeti i plagosur rëndë me një plumb në kokë, Naim Hyska. Për këtë krim Sinanaj është pyetur pasi gjatë dëshmisë së tij të gjatë, ka nxjerë një emër që në vitin 2011 ka qënë i dyshuari kryesor i policisë dhe prokurorisë, si pjesëmarës në plagosjen e efektivit të policisë. Pikërisht ky person i dyshuar është shtetasi J.Metushaj dhe se tre ditë pas atentatit të policit, është shoqëruar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Metushaj, mendohej se kishte marrë pjesë në plagosjen e policit, por në fakt ai ngriti një alibi të fortë, duke pohur se në momentin e ndodhjes së krimit, kishte qënë në Vlorë dhe jo në Tiranë. I dyshuari, pohoi se kishte qënë duke luajtur kazino në Vlorë, ku pas verifikimit të kamerave, rezultoi se ai ndodhej në kazino. Fill pas kësaj u zbehën dyshimet për J.Metushaj, i cili është lënë i lirë. Pavarësisht mohimit nga ana e Julian Sinanaj, burimet hetimore shtuan se nëse dalin prova të reja, çështja e plagosjes së policit do verifikohet me imtësi.

Arrestime të tjera
Dëshmia e Julian Sinanaj konsiderohet si “thesar” nga ana e hetuesve të çështjes. Në bazë të thenive të tij dhe verifikimeve në teren, është dokumentuar implikimi i disa personave të tjerë në krimet që ka treguar Julian Sinanaj. Nisur nga kjo situatë pritet që në ditët në vijim të ketë arrestime të tjera lidhur me këtë çështje.


Shkrimi u publikua sot (08.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)