“Cameron po përzë emigrantët që kanë ardhur nga Europa Lindore për të punuar ligjërisht në Britaninë e Madhe”. Kështu ka thënë presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker referuar planeve të Cameron për emigracionin.
 
Juncker vuri në dukje se objektivat e kryeministrit britanik ishin thjesht një masë e motivuar politikisht që dëmton emigrantët e varfër të cilët kërkojnë një të drejtë ligjore për të jetuar në Britani.
 
“Kjo është e papranueshme, veçanërisht për Britaninë e Madhe e cila gjithnjë ka luftuar për zgjerimin e Bashkimit Europian. Duhet t’i japë fund diskriminimit ndaj vendeve të tjera vetëm për shkak se janë të varfra”, tha Juncker.
 
Në një fjalim të madh muajin e kaluar, Cameron shfaqi plane ambicioze që do të detyronin emigrantët europianë të prisnin 4 vite për të marrë përfitime nëse ata nuk gjejnë punë brenda gjashtë muajve.
 
Por kjo është kundërshtuar fuqishëm nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila e ka bërë të qartë se kurrë nuk do të pajtohet me masat që godasin parimin e lëvizjes së lirë.