Juventusi ngre për herë të 14-të në histori Kupën e Italisë. Bardhezinjtë mposhtën mbrëmjen e djeshme 2-1 Atalantën në “ Mapei Stadium” me praninë e më shumë se 4 mijë tifozëve dhe fituan trofeun e dytë sezonal pas Superkupës. Ekipi i Andrea Pirlos kaloi në avantazh në minutën e 31-të me një gol të bukur të Kulusevski ndërsa Atalanta barazoi dhjetë minuta më vonë me ukrainasin Malinovsky që po ashtu realizoi supergol. Në pjesën e dytë golin e fitores e realizoi Chiesa dhe festa u takoi bardhezinjve e trishtimi bergamaskëve.Ronaldo e fiton për herë të parë këtë trofe ndërsa Buffon jep lamtumirën si fitues. Tashmë misioni i radhës dhe më i vështiri për Juventusin është kualifikimi në Champions që do të vendoset të dielën.
Edhe PSG-ja në Francë e ka fituar për herë të 14-të Kupën. Skuadra nga kryeqyteti mposhti 2-0 Monacon në finalen e zhvilluar në stadiumin “Saint-Denis”. Golat u shënuan nga një për çdo pjesë me autor Mauro Icardin dhe Kylian MBappe dhe festa i takoi PSG-së.
Me probleme të mëdha prej dëmtimeve por Liverpooli mund t’i bëjë mbylljen më të mirë sezonit duke u kualifikuar në Champions. The Reds mposhtën mbrëmë 3-0 në transfertë Burnley dhe ngjiten në vend të katërt duke parakaluar Leicester për shkak të golavarazhit. Nëse Liverpool do ta fitojë ndeshjen e fundit të dielën ndaj Crystal Palace do të jetë në Champions./ Përgatiti Andi Kapxhiu