Në festën e Juventusit merr pjesë edhe Atalanta. Bardhezinjtë ngritën në qiellin e Torinos trofeun e titullit kampion në Serinë A dhe njëkohësisht erdhi lamtumira e trajnerit Max Allegri dhe mbrojtësi Andrea Barzagli. Juventus-Atalanta u mbyll 1-1 me bergamaskët që shënuan të parët me Ilicic ndërsa bardhezinjtë barazuan dhjetë minuta nga fundi me kroatin Mario Mandzukic. Të gjithë të lumtur në fund të takimit me Atalantën që është në vend të tretë dhe është më afër se kurrë kualifikimit historik në Champions mjafton të mposhtë Sassuolon në ndeshjen e fundit.
Interi u shpërfytyrua në “San Paolo” dhe rrezikon seriozisht kalimin në Championsin e ardhshëm pavarësisht se fatin e ka sërish në dorë.Napoli pa ndonjë objektiv zhvilloi një superndeshje dhe e mposhti Interin 4-1. Zielinski, Mertens dhe dy herë Fabian Ruiz ishin autorët e golave për napoletanët ndërsa Icardi realizoi golin e nderit për Interin.66 pikë zikaltërit në vend të katërt vetëm një më shumë se Milani. Për të qënë të sigurt për kalimin në Champions duhet patjetër të mposhtin Empolin në javën e fundit.
Ndërkaq Milani mposhti jo pa vështirësi Frosinonen 2-0 dhe mban gjallë shanset për një vend në Champions edhe pse varet nga rezultatet e Interit dhe Atalantës. Donnaruma priti penallti ndërsa Piatek dhe Suso shënuan golat për skuadrën e Gattusos. Milani shkon në Champions nëse e fiton ndeshjen ndaj Spal dhe një prej Interit ose Atalantës e barazon ndeshjen e fundit. /Përgatiti, Andi Kapxhiu/