Ferdinand Saraçi dhe Teuta Gjinollari, burrë e grua, të cilët mëngjesin e sotëm janë ngjitur mbi vinç duke kërcënuar vetëvrasje, mësohet se janë ish të përndjekur politik. Ndonëse ende ata nuk kanë deklaruar arsyen se përse janë ngjitur mbi vinç, në një intervistë dhënën pak ditë më parë në Report Tv, Teuta Gjinollari ka deklaruar se kërkon lekët e dëmshpërblimit dhe një punë, ose në të kundërt do të rrezikonte edhe vetëflijimin.

Teuta shprehet se diskriminimi i vazhdueshmë që i bëhet nëpër institucione si ish familje e persekutuar, ka bërë që të jetë e papunë prej vitesh. "Gjyshi im ka bërë burg dhe eshtrat nuk janë gjetur ende pavarësisht se kanë kaluar vite. Dëmshpërblimi për trashgimtarët nuk është dhënë. Shkoj nëpër institucione dhe nuk më jepet asnjë e drejtë për arsye se thonë se ti je një e persekutuar dhe nuk të takon vendi i punës", thotë Teuta. 

45 vjeçarja u shprehet se deri më tani askush nuk ka shkuar të interesohet për kërkesat apo gjendjen e tyre. "Vendimin e kemi marrë së bashku dhe fëmijët kanë qenë të gatshëm për ta marrë këtë vendim sepse e kanë parë gjendjen ekonomike si jemi në shtëpi. Askush nuk ka ardhur të pyesë si jeni, si i keni fëmijët, se këta janë të vegjël. I kam pasur shumë të sëmurë dhe me temperaturë. Nuk lëviz pa mu plotësuar kërkesat"

Ish të përndjekurit paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestën e tyre edhe në ditët në vazhdim. 

Redaskia Online
J.Sh Shqiptarja.com