Në seancën e parë gjyqtari Shyqyri Çobo pasi ka çeluar shqyrtimin gjyqësor dhe ka dëgjuar pretendimet e palëve ka caktuar një datë tjetër duke i kërkuar palëve që të marrin mbrojtës ligjor. Në seancën e dytë gjyqësore, kallëzuesja nuk ka qenë e shoqëruar me avokat. Pasi ka përfunduar kjo seancë, Shyqyri Çobo ka kontaktuar personalisht me Irma.T. dhe e ka pyetur se përse nuk kishte avokat mbrojtës. Ajo i ka thënë që nuk kishte mundësi financiare. Gjyqtari Shyqyri Çobo i ka thënë se do i gjente një avokat mbrojtës që të mos kushtonte shumë dhe gjithashtu i ka kërkuar numrin e telefonit, të cilin kallëzuesja ia ka dhënë. Gjyqtari i ka siguruar si avokat mbrojtës avokat A.S. Më pas, Irma. T. ka marrë kontakt me avokatin për të diskutuar rreth çështjes. Po këtë ditë (ditë kur shkëmbyen numrat me gjyqtarin e ceshtjes Shyqyri Çobo), rreth orës 17:00, në celularin e saj i ka ardhur një sms, nga numri i gjyqtarit Shyqyri Çobo, me përmbajtje “...Përshëndtje gëzon të gjithë kredin mirënjohes nga ana ime. Performanca juaj me imponoi respekt, pse jo dhe ndjesi. A u sqarove me avokatin rekomandues. Problemi yt sinqerisht më diktoi keqardhje, mos hezito me sms apo me tel. Do të mirëpres, respekte. Ok ?...”.

SMS e papëlqyer
Kallëzuesja nuk e ka pëlqyer përmbajtjen e këtij mesazhi, por duke menduar që mund të ishte nxituar në fjalët që kishte shkruar në sms gjyqtari, i ka kthyer sms-në, duke e falënderuar për bujarinë, mirëkuptimin dhe i ka shprehur mirënjohje sipas sms me përmbajtje:“...Shumë faleminderit për gjithçka. Jam shumë mirënjohëse për bujarinë dhe mirëkuptimin tuaj, Me avokatin u mora vesh. Keni vetëm urimet më të mira nga ana ime dhe zoti ju bekoftë ju dhe familjen tuaj...”. Rreth 1 orë e 20 minuta më pas, gjyqtari Shyqyri Çobo i ka shkruar përsëri sms me përmbajtje:“...Uroj që në raportin komunikues midis nesh do të gëzosh mirëkuptimin tim, gjykoj se duhet të evitosh druajtjen. Më vlerëso konfidencial dhe si mik të hershëm do të të mirëkuptoj. Ok ?...”.

Pyetja tek babai
Pas këtij mesazhi, kallëzuesja ka pyetur babain e saj nëse e njihte Shyqyri Çobon, dhe babai i është përgjigjur që “Po”.Nga kjo bisedë me babain,kallëzuesja mendoi se biseda e ngrohtë me gjyqtarin Shyqyri Çobo mund të vinte për shkak të kësaj lidhje. Por kur ka pyetur gjyqtarin Shyqyri Cobo nëse e njihte babain e saj, gjyqtari i ka mohuar njohjen dhe lidhjen me babain e saj.

“Bëhu dashnorja ime”
Nëpërmjet telefonatave të ndryshme në orare të ndryshme kohë si dhe me anë të “sms” gjyqtari Shyqyri Çobo, i ka kërkuar kallëzueses që të takoheshin nga afër, duke këmbëngulur që të takoheshin, pasi donte ta orientonte rreth gjyqit dhe se këtë nuk mund ta bënte në telefon. Ajo ka pranuar takimin. Kallezuesja dhe gjyqtari Shyqyri Cobo janë takuar tek një lokal në afërsi të Gjykatës së Beratit, bisedë në të cilën kallëzuesja priste orientime rreth procesit gjyqësor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi gjyqtari ka zhvilluar biseda tendencioze jashtë interesit të Irmës për procesin gjyqësor. Ndodhur në këto rrethana kallëzuesja ka përgjuar nëpërmjet telefonit të saj celular tre biseda të zhvilluara me gjyqtarin e çështjes Shyqyri Çobo në të cilat pretendon se për të dhënë një vendim në favor të saj gjyqtari i kërkonte që të bëhej mikesha e tij e thënë shqip “dashnorja e tij”, duke u justifikuar me dhënien e ndihmës juridike për çështjen në ngarkim të saj.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com