Kërkesa për shtëpi, 20% më pak
preferohet marrja me qira

Kërkesa për shtëpi, 20% më pak<br />preferohet marrja me qira
Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave dhe kompanitë e shitblerjes së të patundshmeve, kërkesa për blerje banesash në gjithë vendin në muajin janar të këtij viti ka qenë 20% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, është vërejtur që klientët ishin më të prirur drejt kursimeve, se sa blerjes së një prone. Situata financiare e përkeqësuar e familjeve, kreditë e këqija dhe zhvillimet në tregun e real-estate kanë patur ndikimin kryesor për shtrëngimin e standardeve të kredive, të aplikuara nga bankat për kreditë hipotekore për familjarët. Bankat vlerësojnë se këta faktorë ishin në një nivel më të lartë në tremujorin e katërt të 2011-s, krahasuar me tremujorët e mëparshëm.
Në tremujorin e parë të vitit në vazhdim raportohet një ulje kërkese në zonën brenda vijës së verdhë të qyteteve dhe një kërkesë e qëndrueshme për komplekset e banimit jashtë vijës së verdhë. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të situatës ekonomike, pakësimit të të ardhurave të emigrantëve, shkallës së lartë të papunësisë në Shqipëri si dhe niveleve të ulëta të rrogave në vend, por edhe si pasojë e një ngopjeje të tregut, ku përgjithësisht ka shumë ofertë dhe pak kërkesë. Individët në këtë kohë krize duket se po presin, duke zgjedhur të blejnë banesat e tyre në një kohë më të vonë. Kjo ka sjellë edhe rritjen e kërkesave për qira, kryesisht në Tiranë. Por, ndërkohë, çmimet kanë mbetur të pandryshuara dhe sidomos brenda vijës së verdhë të Tiranës, as që mund të pritet ndonjë ulje nga ndërtuesit, për shkak të numrit të pakët të ndëtimeve. Përsa i përket llojit të apartamenteve, sipas të dhënave nga ndërtuesit, apartamentet 1+1 kërkohen nga 30% e klientëve, ato 2+1 kërkohen nga 60% e klientëve, ndërsa 3+1 kërkohen vetëm nga 10% e tyre.
Bankat theksojnë se kanë ndërmarrë masa për të lehtësuar kreditimin, por këto kanë patur një efekt minimal. Këtu përfshihet, psh zgjatja e afatit të shlyerjes, e cila ka arritur një maksimum prej 30 vitesh në disa institucione bankare, sigurisht për ata klientë, që marrin edhe pagat pranë tyre. Kërkesa e Bankës së Shqipërisë për të përdorur më shumë kredinë në lek ndaj asaj në valutë ka sjellë gjithashtu pak rezultate, pasi ndërtuesit preferojnë valutën. Dhe kjo rëndon mbi buxhetin familjar. Për një kredi me një vlerë 30 mijë euro, me një afat mesatar shlyerjeje 15 vjet, një individ përllogaritet se duhet të paguajë një këst prej rreth 290 eurosh ose 40 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, për të njëjtën vlerë kredie, konvertuar në lekë, dmth rreth 4.5 milionë lekë, kësti mujor për te njëjtin afat kohor është rreth 47 mijë lekë, gati 18 për qind më shumë.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës