Kërkohet pak eliksir për dashurinë

Kërkohet pak eliksir për dashurinë
Gati nëntë vjet pas premierës absolute, rikthehet për publikun një nga operat më të këndshme të Donizetit. «Eliksiri i dashurisë», një histori e bukur dashurie shkruar nga Felice Romani, sipas komedisë « Le Philtre » të Eugene Scribe  po shfaqet këtë fundjavë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Nga premiera e dikurshme kanë ndryshuar vetëm intepretuesit. Këtë herë rolin e Adinës, vajzës së pasur të fshatit do ta sjellë Erjona Gjyzeli dhe Blerta Zhegu, ndërsa dy mëtuesit e saj të dashurisë Nemorino dhe Belkore do të vijnë përkatësisht nga Riad Ymeri e Elson Braha dhe Solen Alla. Sharlatani Dulkamara vjen nga Shkupi falë interpretimit të Vladimir Sazdovskit, ndërsa në rolet e tjera interpretojnë Blerta Cina,  Rezarta Qevani dhe Sofika Kole. Baketa  në këto shfaqje i takon dirigjentit italian huaj Edi De Nadai. Regjia është sërish e Armando Borës, ndërsa kostumografia e Gjergji Markos dhe skenografia e Artur Muharremit.
 
Loti i dashurisë
 «Una furtiva lagrima/negli occhi suoi spuntò….Di più non chiedo, non chiedo..Ah, cielo! Si può! Si, può morir!» kështu këndon Nemorino teksa shikon lotin që rrëshket nga sytë e Adinës dhe kupton dashurinë e saj. Më shumë nuk mund të kërkosh madje mund edhe të vdesësh i lumtur! Mund të harrosh shumë pjesë muzikore nga opera, por arien “Una furtiva Lagrima” që identifikon melodramën e Donizetit e kujton menjëherë. Kjo arie është interpretuar në vitin 2005 nga Enrico Caruso në filmin «Match Point » të Woody Allen. Por muzika e kësaj arieje gjendet edhe në shumë filma të tjerë duke shndërruar në një bazë të njohur muzikore.
  
Në kërkim të dashurisë
 Melodrama me dy akte është një ndër operat më të performuara në skenat e botës. Ajo është bërë pjesë e repertorit bazë operistik pikërisht për shkak të numrit të shfaqjeve që nga premiera e saj e parë në vitin 1832.
Ngjarjet e operës me dy akte vendosen në një fermë.  Adina, një vajzë e pasur u lexon fshatarëve historinë e Tristanit dhe Izotës, të cilët sipas gojëdhënës, u dashuruan me anë të magjisë së një eliziri çudibërës. Nemorino një djalë i ri dhe mjaft i turpshëm dashuron Adinën dhe teksa dëgjon historinë mendon të vihet në kërkim të një eliziri magjik. Por situata rëndohet me shfaqjen e rivalit të Nemorinos. Ai është Belkore, një ushtarak I pasur që synon të martohet me Adinën. Refuzimi I saj I jep  shpresë Nermorinos por jo edhe për shumë kohë. Pas shfaqjes së  ”doktor” Dulkamara, që s’është gjë tjetër veçse një sharlatan që hiqet për bamirës dhe deklamon me të madhe fuqitë e tij shëruese të jashtëzakonshme, Djali I varfër pi verën e shitur nga mashtruesi si një ilac dashurie dhe fillon të sillet shpërfillës ndaj vajzës që dashuron. Kështu në vend që të fitojë zemrën e saj, e shtyn drejt krahëve të rivalit, oficerit Belkore. Ankthi rritet në skenë falë një udhëri sipas të cilit dhëndëri duhet të niset në luftë ndaj dasma duhet zhvilluar brenda ditës. Në aktin e dytë zhvillohen përgatitjet e dasmës mes talljeve që fshatarët I bëjnë Nemorinos. Mirëpo të papriturat vijnë njëra pas tjetrës. Fshatarja Xhaneta ngutet të tregojë nëpër fshat se “xhaxhai i Nemorinos ka vdekur dhe i ka lënë trashëgimi një pasuri shumë të madhe”. Vajzat e fshatit mbulojnë me përkujdesje dhe vëmendje të veçantë Nemorinon i cili mbetet totalisht i habitur. Nemorino është i turbulluar dhe jo pa arsye. Siç duket, Eliksiri po tregon efektet e shumëpritura. Në grackën e Eliksirit fillojnë të bien të gjithë ndërsa historia përfundon me triumfin e dy të dashuruarveAdina dhe Nemorino. Falë kësaj dashurie gjithkush në fshat fillon të besojë se duhet të pijë eliksirin e dashurisë për të gjetur shpirtin binjak.
(Ne foto: Tenori Riad Ymeri që do të luajë Nemorinon në “Eliksirin e dashurisë”)
(Shkrimi eshte botuar ne te perjavshmen "Fundjava" te Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës