BERISHA: HAJDE TE BEJME MOCION
“I kemi dhënë përgjigjen më dinjitoze për qarkun e Fierit. Të bëjmë mocionet. Propozova zgjidhje politike dhe kushtetuese për Qarkun e Fierit, mocionin për të gjithë këshilltarët e saj, pikërsisht atë akt ligjor të cilin Partia Socialiste me këshilltarët e saj e ka ushtruar: më datë 29/06/2012 në Komunën Dremenas, në dt. 28/08.2012 në prani të ish Kryeministrit Fino në Bashkinë Divjakë, më dt. 26/01.2012 në Komunën Bubullimë, ku ka hequr përfaqsues të shumicës dhe ka zgjedhur z. Alban Mësonjësi, përfaqësues të PS për anëtar të Këshillit të Qarkut dhe më dt24/08.2012 në Fier Shegan”, tha Berisha.
Sipas tij Rama ka tentuar votëbesimin, por nuk ka patur kuorumin. "Çfarë i propozoj unë zotit Rama? Ti plotësojmë politikisht atë që kërkon. Pra, jo të ikin dhe tua rrëzojnë kuorumin përfaqësuesit tanë, por si një kompromis për një problem, tu kërkojmë që të rrinë dhe të votojnë. Por që ti diktojë atyre votën , kjo nuk mund të ndodhi kurrë. Duhet ta mësosh zoti Rama se në rast se jo në këshill, por edhe në parlament po fitove shumicën dhe tu larguan, u ktheve në pakicë dhe nuk ke më shans të qeverisësh, Nuk ka forcë në botë që në një vend të lirë të mban në qeveri dhe kjo është edhe për qeveritë e qarkut, këshilltarët e të cilës zgjidhen nga Këshilli i Qarkut me delegim dhe zgjidhen dhe shkarkohen në përputhje me nenin 32 dhe nenin 52 të qeverisjes vendore."- shtoi kryeministri.
JA SI QENDRON CESHTJA ME QARKUN E FIERIT SIPAS RAMES
Pas refuzimit që mori sot nga kryeministri Berisha për tu ulur në bisedimi mbi ngërçin e krijuar, Rama theksoi se duhet zbatuar vendimi i gjykatave dhe se kryeministri nuk duhet të bëjë kryegjykatësin suprem duke i vënë në diskutim këto vendime. Madje ai sqaroi çështjen e Fierit.
Ja sqarimi i PS per Fierin
"Pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të datës 08.05.2011, u zhvillua procesi i konstituimit i të gjitha Këshillave bashkiake dhe Komunale (42 njësi gjithsej) në Qarkun Fier. Në zbatim të nenit 26 të ligjit nr 8652 datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” nenit 26 pika 5 germa d), nenit 32 germa j), nenit 52 pika 2, u zgjodhën me votim të fshehtë, anëtarët e këshillave komunale/bashkiake për në Këshillin e Qarkut.
Prefekti i Qarkut Fier e konfirmoi këtë listë dhe ia dërgoi Kryetarit të Bashkisë Fier (qendër qarku) duke i kërkuar thirrjen e mbledhjes së parë konstitutive të Këshillit të Qarkut Fier.
Sipas kësaj liste të dërguar nga Prefekti prej 96 anëtarësh, 56 mandate përfaqësimi në Këshillin e Qarkut i përkisnin Aleancës për të Ardhmen, ndërsa 40 mandate përfaqësimi i përkisnin Aleancës për Qytetarin.
Në datë 21.09.2011 u zhvillua mbledhja e parë konstituitive e Këshillit të Qarkut Fier nën drejtimin e Kryetarit të Bashkisë Fier qendër qarku Z. Baftjar Zeqaj.
Komisioni i mandateve pasi verifikoi të gjithë dokumentacionin e paraqitur, dhe mandatet e përfaqësimit të anëtarëve të qarkut, hartoi raportin përkatës duke i gjetur të ligjshëm 96 mandatet.
Më pas procedura ka vazhduar me zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Qarkut. Në përfundim të votimit përfaqësuesi i PS Z. Vangjel Ndreka mori 54 vota, ndërsa përfaqësuesi i PD Z. Artur Shehu mori 42 vota.
Në datën 21.09.2011, Kryetari i zgjedhur Z. Vangjel Ndreka mori në dorëzim me procesverbal, detyrën e kryetarit nga ish Kryetari i mëparshëm Z. Luan Mucaj, dhe filloi ushtrimin e detyrës, duke drejtuar mbledhjen e Këshillit të Qarkut Fier për zgjedhjen e Zv/Kryetarit të Këshilit të Qarkut dhe të Kryesisë së Këshilit të Qarkut të konkretizuara me vendimet nr 4 dhe nr 5 datë 21.09.2011.
Z. Vangjel Ndreka e ka ushtruar rregullisht dhe pa asnjë pengesë, detyrën e kryetarit të këshilit të qarkut nga data 21.09.2011 deri në datë 29.09.2011
Në datën 29.09.2011, Gjykata mori vendim (masë sigurimi) për pezullimin e zbatimit të akteve administrative të vendimeve nr. 3 (për zgjedhjen e kryetarit), nr. 4 (për nënkryetarin), nr. 5 (për kryesinë) datë 21.09.2011 të Këshillit të Qarkut Fier, mbi bazën e padisë së prefektit Fier.
Këtë vendim Vangjel Ndreka e ankimoi në Apel dhe gjykata e apelit Vlorë, në datën 17.11.2011 me Vendimin nr. 203 vendosi prishjen e Vendimit të pezullimit të zbatimit të akteve administrative të gjykatës së rrethit gjyqësor Fier. Që nga ky moment Vangjel Ndreka nuk kishte më asnjë pengesë ligjore për ushtrimin e detyrës së tij në krye të Këshillit të Qarkut.
Nga data 19.09.2011 deri në datën 16.11.2011, kur u zhvillua mbledhja e paligjshme e këshillit të qarkut Fier, janë ndryshuar në mënyrë të paligjshme 14 Këshilltarë të majtë, nëpërmjet dhunës fizike, psikologjike, vendosjes së gjobave financiare nga organet e shtetit, pushimeve nga puna të këshilltarëve dhe pjesëtareve të familjeve të tyre etj.
Në datën 04.11.2011, Prefekti i Qarkut Fier, nxorri aktin administrativ nr. 684/15 prot/ me anën e të cilit thërriste në mënyrë të paligjshme mbledhjen e rikonstituimit të Këshillit të qarkut Fier në datën 16.11.2011.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me kërkesë të Z.Vangjel Ndreka, me Vendimin nr. 1725 datë 12.11.2011, vendosi pezullimin e zbatimit të Aktit Administrativ nr. 684/15 prot. datë 04.11.2011 të Prefektit dhe urdhëroi mosthirrjen e mbledhjes në dt. 16.11.2011.
Ky Vendim gjyqësor është lënë në fuqi me vendimin nr. 11 datë 26.01.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë e cila e ka deklaruar të paligjshme mbledhjen e këshillit të qarkut të zhvilluar në datë 16.11.2011, në të cilën është zgjedhur kryetar i këshillit të qarkut Z. Artur Shehu.
Të gjithë këshilltarët e majtë të cilëve i’u hoq padrejtësisht mandati i përfaqësimit në Këshillin e Qarkut Fier i’u drejtuan gjykatës.
Me Vendimin e formës së prerë nr. 612 datë 12.06.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, i është njohur e drejta e përfaqësimit në Këshillin e Qarkut këshilltarëve Alma Bejtaj, Ylli Shehu, Alket Merdanaj, përfaqësues të Këshillit të Bashkisë Fier;
Me Vendimin e formës së prerë nr. 335 datë 05.04.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, të lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Lartë me vendimin nr. 1725 datë 12.07.2012, i është njohur e drejta e përfaqësimit në Këshilin e Qarkut këshilltarëve Bari Abedinaj, Nebi Maska, Eduart Muho, përfaqësues të Këshillit të Bashkisë Patos;
Me Vendimin e formës së prerë nr. 336 datë 05.04.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, të lënë fuqi dhe me Vendimin nr. 1734 të datës 13.07.2012 të Gjykatës së Lartë, i është njohur e drejta e përfaqësimit në Këshillin e Qarkut Këshilltarit Stavro Qose, përfaqësues i Këshillit të Komunës Krutje;
Me Vendimin e formës së prerë nr. 134 datë 25.01.2012 Gjykata Shkallës së parë Fier, i është njohur e drejta e përfaqësimit në Këshillin e Qarkut Fier këshilltarit Bilbil Driza, përfaqësues i Këshillit të Komunës Dërmenas;
Me Vendimin e formës së prerë nr. 613 datë 12.06.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, i është njohur e drejta e përfaqësimit në Këshillin e qarkut Fier këshilltarit Miranda Meta, përfaqësues i Këshillit të komunës Grabian;
Me Vendimin nr. 772 të datës 24.07.2012 të Gjykatës së Shkallës së parë Lushnjë, i është njohur e drejta e përfaqësimit në Këshillin e Qarkut Fier këshilltarëve Josif Kruti dhe Eugen Verdha, përfaqësues të Këshillit të Bashkisë Divjakë.
Aktualisht vazhdon procesi gjyqësor për 2 këshilltarë të Komunës Mbrostar dhe 1 këshilltar të Komunës Topojë.
Të gjitha Vendimet gjyqësore të formës së prerë, të dhëna për paditë gjyqësore të Bashkisë Fier, Bashkisë Patos, Komunës Dërmenas, Komunës Grabian, Komunës Krutje, Bashkisë Divjakë, kanë shprehur në mënyrë përfundimtare se:
“Mandati i këshilltarit të Këshillit të Qarkut është mandat 4 vjeçar i përcaktuar nga kushtetuta, dhe nuk mund të hiqet apo ndryshohet nga Këshillat Komunale apo Bashkiake, pasi është zgjedhur në mbledhjen e parë”.
Në konkluzion, Partia Socialiste e Shqipërisë, kërkon respektimin dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, dhe lejimin e të gjithë këshilltarëve që e kanë rifituar mandatin me vendim gjyqësor të formës së prerë, të ushtrojnë mandatin për të cilin janë zgjedhur.
Për Partinë Socialiste, nuk është i rëndësishëm Kryetari i Qarkut Fier, po zbatimi i Kushtetutës së Shqipërisë, funksionimi i parimeve Kushtetuese, zbatimi i Kartës Europiane të Autonomisë Vendore dhe parimet e përcaktuara në nenin 7 të saj, funksionimi i shtetit të së drejtës, dhe respektimi e zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
(sg/ Gre.M/Shqiptarja.com)