Igor Druz është shprehur për mediat ndërkombëtare se ekzekutimet pa gjygj ndaj popullsisë së Donetskut dhe në rradhët e ushtrisë separatiste filo-ruse janë bërë me qëllim dërgimin e një sinjali të fortë ndaj të gjitha forcave rebele në Ukrainë. Gjithashtu pohoi se qeveria ukrainase është një organizatë terroriste dhe se po kryen krime lufte ndaj popullsisë.

Druz, përveçëse është zëdhenësi dhe këshilltar i Igor Strelkov, komandantit të rebelëve, është dhe ideatori i ideologjisë i separatistëve filo-rusë. Zëdhenësi në fjalë u ka shpalosur mediave vizionin e tij mbi atë që quan “Shteti i Novorossia” në krahinën e Donetskut. Gjithashtu ai shpreson të rikthejë si të ligjshëm dhe dënimin me vdekje për krimet e rënda.

Besohet se më shumë se 1500 civil kanë gjetur vdekjen në konfliktin e nisur në Ukrainën e lindjes që nga Prilli i këtij viti, pasi rebelët separatist filo-rusë shpallën pavarësinë nga qeveria e Kievit. Ndërkohë Rusia është akuzuar se ka armatosur rebelët dhe janë shënjestruar nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian. Rusia nga ana e saj i ka quajtur të pa baza këto akuza dhe jo produktive sanksionet e ndërrmara ndaj saj.
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)
