Edhe pse e tha si premtim solemn Ilir Meta nuk e mban fjalën për ta dhënë dorëheqjen nga pozicioni i Presidentit të Republikës. Meta ka dalë në një deklaratë për shtyp nga Presidenca dhe ka folur sikur të mos kishte hedhur akuzat më të rënda për procesin zgjedhor por e përshëndeti atë. Meta tha se tashmë duhet reflektuar deri në shtator. 

Madje Presidenti tha se, edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ia arrita që 25 prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës.

"Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t'i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit. Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit"

Kujtojmë se Presidenti Meta ka paralajmëruar dorëheqjen nëse Rama do të fitonte zgjedhjet. Ai tha në një intervistë televizive ditën e fundit të fushatës se nëse Rama i merr 71 mandate pa cenuar zgjedhjet e lira, ai nuk do ia jap firmën për kryeministër, por do t’i dorëzojë dorëheqjen e tij. Ai tha se do t’i dorëzojë dorëheqjen Ramës dhe do të dalë në bulevard, pasi e respekton vendimin e popullit.

“Deri tani zgjedhjet janë cenuar rëndë vetëm nga Edi Rama. Unë apeloj nga ky moment që të gjithë të reflektojnë, në mënyrë që të lejojmë shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të lirë. Nëse ai merr 71 mandate, unë firmë për kryeministër nuk i jap, por do i jap dorëheqjen time. Unë e respektoj vendimin e popullit. Unë dal në bulevard dhe ia lë zyrën atij”, pati thënë Meta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:21
Konferenca e Metës, reagimi i parë nga PS! Alfred Peza në Report Tv: Reflektim për të dhënë dorëheqjen (VIDEO)

Nga studio e Report Tv, Alfred Peza ishte i pari nga socialistët që komentoi deklaratën e pak minutave më parë të Presidentit të Republikës.

Peza tha se gjuha e përdorur, fjalët e zgjedhur, ishin paralajmërim për një dorëheqje nga Presidenca e Ilir Metës.

Peza nënvizoi se Meta u shfaq i zbutur shumë, foli brenda notave kushtetuese.

Ora 14:14
Meta nuk mban fjalën, çfarë paralajmëroi Rama para 25 prillit: Ose jep dorëheqjen ose e shkarkojmë

Ndonëse paralajmëroi para 25 prillit se do të jepte dorëheqjen në rast se Rama do të merrte 71 mandate, Presidenti Ilir Meta nuk e mbajti fjalën, ndërsa bëri sot thirrje për maturi dhe reflektim.

Por kujtojmë se po para 25 prillit, kur Meta hodhi akuza të rënda ndaj Ambasadores së SHBA Yur Kim, kryeministri Edi Rama paralajmëroi dy skenare për fatin e tij në Presidencë: "ose jep dorëheqjen, ose do të shkarkohet".

"Ka dy skenarë, njëri është që Ilir Meta që përbetohet që është burrë që mban fjalën të japë dorëheqjen se rezultati do flasë vet, dhe skenari tjetër është të nisim procedurat për shkarkimin e Ilir Metës për arsye të degjenerimit që i ka bërë figurës së presidentit. Kush nuk e ka ndjekur këtë proces do mendojë se kemi të bëjmë me spital dhe jo me politikë. Këtu nuk flasim për dekret por për një përfshirje brutale në procesin zgjedhor, nxitje për dhunë", tha Rama para disa ditësh.

Ora 14:08
Meta njeh zgjedhjet, por 'harron' dorëheqjen: Maturi dhe reflektim deri në shtator kur krijohen institucionet e reja të dala nga 25 prilli

Edhe pse paralajmëroi se dorëheqjen nga posti i Presidentit nëse Edi Rama merrte 71 mandate, Ilir Meta nuk e ka dhënë atë dhe ka lexuar një tekst të vënë para duke dhënë një mesazh të përgjithshëm që zgjedhjet ishin të rregullta dhe se çdo votë të numërohet dhe administrohet sipas ligjit. Meta ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve duke thënë se në shtator krijohen institucionet e reja dhe deri atëherë ka kërkuar të tregohet maturi dhe reflektim nga partitë politike.

"Më 25 Prill, ju e shprehët me votë vullnetin për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë. Në këto  momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit.

Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi.

Sfida ime madhore, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë që Sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik.

Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës.

Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t'i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit.

Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit