Kabineti i ri, Aleatët: Ja postet që
kërkojmë nga qeveria Rama

Kabineti i ri, Aleatët: Ja postet që<br />kërkojmë nga qeveria Rama
TIRANE - Aleatët e PS kanë filluar të bëjnë publike dhe kërkesat e tyre për bashkëqeverisje. Teksa poste ministrore ka përfituar nga aleatët vetëm LSI që ka 16 deputetë në Kuvend, duke marrë dhe pesë poste ministri, dhe partitë e tjera aleate, teksa janë pajtuar me faktin e mospasjes së një posti ministri, kanë bërë gati kërkesat e tyre për poste zv.ministrash, drejtorë drejtorie dhe prefektë.

Ndërkohë që shpresojnë që deri në fundjavë të zhvillohet takimi i tyre, me kreun e ardhshëm të qeverisë, Edi Rama. Kështu, Partia Kristian Demokrate që ka dhe një mandat deputeti ka kërkuar një post zv.ministri, pa ndonjë preferencë, prefektë në qarqet e mëdha por dhe drejtorë drejtorish. Sekretari i Përgjithshëm i PKDSH, Dhimitër Muslia tregon se janë në kontakte të vazhdueshme me përfaqësues të PS dhe Ramën.

“Ne kemi pasur vazhdimisht kontakte me përfaqësues të PS, ku kemi bashkëbiseduar për zbatimin e marrëveshjes parazgjedhore, jemi në fazën e përcaktimit të niveleve qeverisëse. I kemi garantuar se PKDSH do paraqesë burime njerëzore të kualifikuara, të përgjegjeshëm, korrektë dhe me reputacion në shoqëri, për të kontribuar në një qeverisje të mirë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar për gazetën “Shqiptarja.com”, Muslia. I cili, teksa ka nënvizuar se nuk bën asnjë presion ndaj Ramës për përfaqësimin në bashkëqeverisje, ka bërë të ditur dhe nivelet e qeverisjes për të cilat kërkon të kontribuojë si parti politike në koalicion, bazuar dhe në marrëveshjen parazgjedhore të firmosur bashkarisht.

“PKDSH, s’ushtron dhe nuk ka ushtruar presion ndaj askujt. Ne kemi kërkuar vetëm zbatim të një akti ligjor tashmë i bërë publik që përpara zgjedhjeve, ku është i cituar shprehimisht në pikën 3 të platformës së bashkëpunimit “Kur një parti politike e një koalicioni, drejtpërsëdrejti ka fituar një mandat në zgjedhjet e 23 Qershorit, atëherë ajo ka të drejtë që të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve.

Kjo pikë nuk u zbatua në mënyrë të njëanshme e kështu që ne jemi në pritje të shtrirjes së bashkëqeverisjes me të gjithë aleatët e vegjël nga z.Rama e Meta. PKDSH tashmë ka dërguar letrën e saj te PS me propozimet e saj duke sugjeruar disa poste të tjera alternative në nivel zv.ministri, prefektësh, drejtorësh të rëndëishë. Ne do kërkojmë të marrim përgjegjësi në bashkëqeverisje duke dhënë kontributin tonë, PKDSH do paraqesë burime njerëzore të kualifikuara, të përgjegjshem, korrektë dh me reputacion në shoqëri”, deklaron Muslia.

Ndërkohë që dhe aleatët e tjerë kanë pretendimet e tyre. Mësohet se Gjergji Koja kreu i Partisë Socialiste të Moderuar pretendon një post zv.ministri të Shëndetësisë. Ndërkohë që Petro Koçi kreu i PSV ’91 mësohet se mund të kërkojë një post zv.ministri tek Ministria e Mbrojtjes, ndoshta dhe tek Ministria e Brendshme. Ndërsa kreu i ADK Zef Bushati e ka bërë publike preferencën e tij për një post zv.ministri tek Integrimi.

Ndërsa deri më tani kreu i PSD Skënder Gjinushi dhe kreu i PLD Spartak Ngjela nuk janë prononcuar në lidhje me postet që pritet të marrin në qeverisjen e re, ndërsa Paskal Milo kreu i PDS ka bërë të qartë se ai nuk merr post zv.ministri, ndërsa ka garantuar bashkëqeverisje me aleatët e majtë. Partitë e tjera politike janë në fazën e koalidimit të kërkesave.
 
PROPOZIMET E KRISTIANDEMOKRATËVE PËR RAMËN
 
Zv/Ministeri, Prefekti, Drejtori të Përgjithshëm, si më poshtë vijon: Prefekt në Tiranë, Lezhë, Shkodër, Durrës dhe Elbasan.
1-Drejtoria e Përgjithshme e KESH-it
2-Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve
3-Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile
4.Kompania e sigurimeve INSIG
5.Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë
6.Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
7.Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore
8.Drejtori i Pergjithshëm i QSUT
9.Inspektorati Shtetëror i Punës
10.Inspektorati Kontrollit të Ushqimit
11.Drejtoria e Përgjithshme e Postave
12.Drejtoria e Shërbimit të Provës pranë Ministrisë së Drejtësisë
13.Drejtoria e Shpërndarjes së Librit shkollor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja (print) 20.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë