Madje e cilëson një mik të serbëve, duke nënvizuar faktin e thyerjes së embargos me ish-Jugosllavinë e Millosheviçit, mungesën e mbështetjes për UÇK-në dhe të bashkëpunimit me Damir Fazlliç.
Wikileaks ka pak kohë që ka publikuar disa dokumente interesante të agjencisë së sigurisë dhe konsulencës globale, Stratfor, që njihet ndryshe edhe si CIA-s hije e Amerikës.
Në ditën e ngjarjes së rëndë, ka pasur një komunikim shumë intensiv mes një analisti të kësaj organizate, të quajtur Marko Papiç, që informon për Shqipërinë dhe personave të tjerë në këtë kompani, përfshi zv.presidentin Fred Burton. Një seri e-mailesh shkëmbehen me pyetjen se çfarë dreqin po ndodh në Shqipëri më 21 janar.
Marko Papiç përgjigjet: “Shoku, Berisha ishte president para anarkisë së vitit 1997”. Më pas me shpejtësi Papiç njofton se ka pasur 3 të vdekur. “Opozita, e drejtuar nga lideri socialist, Edi Rama, i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha që të dorëhiqet më 20 janar, pasi zëvendëskryeministri Ilir Meta dha dorëheqje pas një skandali ryshfeti në lidhje me një HEC. Çështje e vërtetë lidhet në fakt me pakënaqësitë mbi zgjedhjet e fundit parlamentare, të fituara nga Berisha me rezultat të ngushtë. Socialistët pretendojnë se zgjedhjet janë manipuluar.
PËRPLASJA
Megjithatë, ekziston edhe njëfarë komponenti kulturor i ndarjes. Socialistët janë mjaft të fuqishëm në qytetet e jugut si Vlorë, Berat dhe Gjirokastër. Poshtë Shkumbinit janë toskët ku PS është e fuqishme. Shqiptarët e veriut, shtrirë edhe në Kosovë, janë gegë. Tirana është vendi ku takohen”, nënvizon informacioni i Papic. Më tej ai sqaron dhe rëndësinë e këtyre ngjarjeve përmes rrezikut për kalimin e vendit në një anarki të pamenaxhueshme si 14 vite të shkuara. “Shqipëria përgjithësisht nuk ka rëndësi. Megjithatë, është një shtet ku qeveria është një nga shumë grupe të krimit të organizuar, që konkurrojnë për pushtet. Anarkia është gjithmonë shumë pranë. Në vitin 1997, Shqipëria rrëshqiti në anarki. Ngjarja pati rëndësi pasi bëri që të ndërhyjnë italianët, për të parandaluar shqiptarët që të vërshojnë në Itali, që ndodh gjithmonë kur nuk ka qëndrueshmëri. Gjithashtu në vitin 1997, anarkia bëri që shumë armë të kalojnë lehtësisht në Kosovë, duke bërë që UÇK të bëhet faktor”, shkruan Papiç. Përveç kësaj çdo lloj proteste në Shqipëri që sjell paqëndrueshmëri është një çështje me rëndësi rajonale, që mund të sjellë destabilizim edhe në vendet e tjera si Maqedonia dhe Kosova.
Ndërkohë që një ditë pas 21 janarit, informatori Marko Papiç informon se situata është e qetë. Ai thotë se opozita ka kërcënuar se do të veprojë derisa Berisha të japë dorëheqje. Po ashtu theksohet se Berisha ka deklaruar se kushdo që prek godinat zyrtare, do të ketë të njëjtin fat si protestuesit. “Ka thashetheme se agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror janë infiltruar në turmë për të provokuar dhunën. (Koment: Nuk ka prova, por nuk do ishte hera e parë që SHISH përdoret për gjëra të tilla)”. Më pas, në një tjetër e-mail, qendra kërkon informacion nga Papiç për situatën në vazhdim dhe ndikimin në rajon. “Sipas meje, gjërat nuk do të përkeqësohen si në vitin 1997, për shkak se ajo situatë u nxit nga kolapsi ekonomik dhe jo vetëm diferencat politika. Shqiptarët kanë kujtime dhe ndjenja të forta nga ajo periudhë dhe do mundohen të shmangin përsëritjen,” shkruan ai.
PISTA SERBE
I pyetur për ndikimin e Berishës në Kosovë e Maqedoni, analisti i Stratfor shkruan: “Po flas në përgjithësi, Berisha nuk ka shumë rol në rajon. Ai vazhdon të shihet si model i liderit të vjetër. Qartësisht, Kosova do të ketë gjithmonë nevojë për mbështetjen e kryeministrit shqiptar dhe qeverisë së tij. Megjithatë shumë kosovarë mbajnë mend se Berisha i dha një mbështetje të vakët UÇK-së dhe besohet se ka përfituar personalisht duke lejuar ngarkesat me karburant në Serbi dhe Mal të Zi, pavarësisht embargos së NATO-s në atë kohë.
Berisha akoma shihet si njeri me lidhje të ngushta me Serbinë-një nga kontaktet e tij më të ngushta është Damir Fazlliç, një personazh që mendohet se ka kontakte me nivelet më të larta në qeverinë serbe. Berisha nuk mendohet se ka lidhje të forta në Maqedoni dhe me humbjen e Xhukanoviç, ai ka kufizuar edhe ndikimin në Mal të Zi”. I pyetur se çfarë ndryshimesh do të kishte në Shqipëri dhe rajon me ardhjen e Ramës në pushtet, ai shprehet: “Edvin Rama është lideri i opozitës socialiste shqiptare, që përfaqëson rreth 50 përqind të votuesve shqiptarë.
Rama është i njohur si kokëfortë dhe deri diku si radikal mes komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. Nuk është i mirë në dialog, duke krijuar situata ku asnjë palë nuk fiton. Pavarësisht këtyre dobësive, Rama përfaqëson liderin “modern” që shumë shqiptarë e kanë shpresuar që prej vitit 1990. Puna e tij në modernizimin dhe pastrimin e kryeqytetit e ka bërë shumë popullor dhe i ka dhënë imazhin e njeriut që mund të bëjë diçka për njerëzit. Popullariteti i Ramës dhe të menduarit modern të tij janë komentuar në mënyrë të favorshme nga shumë liderë dhe përfaqësues të BE”.
NGJARJA
Një thirrje për një protestë paqësore përpara Kryeministrisë, e iniciuar nga PS, përfundoi me një tragjedi, ku mbetën të vrarë katër protestues. Këto vrasje, për të cilat më pas u lëshuan një lumë akuzash ndaj organeve të ndryshme, u kthyen në arenën e debateve jo vetëm në politikën dhe opinionin publik shqiptar, por edhe atë mbarkombëtar. Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti, nëpërmjet segmenteve të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit.
Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH dhe Presidentin, që, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë. Madje, që natën e parë Berisha tha se sulmi ishte i mirorganizuar, ku u përdorën çadra-pistoletë. Për këto vrasje nisi një proces i gjatë gjyqësor, ku të akuzarit kryesorë për vrasjen e të pafajshmëve ishin ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi si dhe gardisti Agim Llupo, përveç personave të tjerë në Kryeministri që kishin ndihmuar në fshirjen e pamjeve filmike, videove reale që tregonin se nga u lëshuan plumbat drejt turmës së demonstruesve.
Por mazhoranca, para dy viteve duke hedhur akuza se opozita kërkonte që të merrte me dhunë qeverinë, nuk ngurroi dhe brenda 2 ditëve ngriti një komision hetimor parlamentar, i cili për hir të së vërtetës deri tani ka mbledhur vetëm dëshmi të ish krerëve të instutucioneve. Madje ky proces shkoi edhe më tej ku u hoq mandati i 3 deputetëve të PS, të akuzuar drejtëpërdrejtë si organizues të demonstratës së dhunshme. Por pas dy viteve procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve u mbyll me pafajësinë e tyre duke argumentuar se të shtënat e armëve ishin për vetëmbrojtje ndaj dhunës së ushtruar nga protestuesit ndaj gardistëve. Kjo shkaktoi zemërim të madh te familjarët e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës si dhe Aleks Nikës që kërkuan apelim të vendimit të gjykatës së Tiranës. PDF/ Kabllogrami i Wikileaks
Shkrimin e plote mund ta lexoni sot ne gazeten Shqiptarja.com
(Lajmi u perditesua)
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)