MIRDITE- Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer që prej natës së djeshme në komunën Kaçinar të rrethit të Mirditës. Në një prononcim telefonik për tv A1 Report kreu i kësaj komune Petrit Bardhi e cilëson “situatën tepër të vështirë, pasi flakët po i afrohen banesave të banorëve të kësaj komune të cilët vuajnë nga një varfëri ekstreme.

“Situata është tepër e vështirë. Janë rreth 70 banorë që po përpiqen të mbrojnë shtëpitë. Kemi kërkuar ndihmë ushtrisë, qarkut por askush nuk vjen. Në komunën Kaçinar, 80 % e banorëve po vdesin për bukë, dhe tani po përballen me flakët” - tha Petrit Bardhi në lidhje telefonike.

Ai shtoi se janë rreth 5 banesa që rrezikojnë djegien, dhe përveç banorëve që po luftojnë me flakët me kova uji, askush tjetër nuk po u vjen në ndihmë.
Ai bëri apel për një ndërhyrje urgjente nga ushtria e policia.

“Kam kërkuar të largohen njerëzit nga shtëpia, sepse mund të rrezikohen nga flakët por ata nuk pranojnë. Nuk ka asnjë lloj ndihme. I kam kërkuar ndihmë zjarrfikëseve, qarkut por asnjë përgjigje”- deklaroi Bardhi.
(sg/shqiptarja.com)