Në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë u zhvillua aktiviteti kulturor “Kadare ndër vargje”, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Një nga elementët më të veçantë të aktivitetit ishte dokumentari i realizuar nga 13-vjeçari korçar Deon Gjoka.

Dokumentari përfshinte krijimin e një avatari digjital që “flet”, si edhe një këngë të frymëzuar nga veprat e Ismail Kadaresë, duke i dhënë aktivitetit një dimension modern dhe origjinal.

Për “gjeniun” e AI, Deonin, puna me figurën dhe krijimtarinë e Ismail Kadaresë ka qenë sfidë dhe mundësi për ta njohur më nga afër shkrimtarin e madh, përtej asaj që ofrojnë tekstet shkollore.

Ai thekson se kontakti i drejtpërdrejtë me veprat e Kadaresë i ka ndryshuar perceptimin për letërsinë dhe rëndësinë e leximit në ditët e sotme, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Mësuesit vlerësojnë se aktivitete të tilla janë të domosdoshme për të afruar nxënësit me letërsinë shqipe dhe për t’i bërë ata më të ndjeshëm ndaj vlerave kulturore. Sipas tyre, Ismail Kadare mbetet figura më përfaqësuese e letërsisë shqipe, shkrimtari që e vendosi Shqipërinë në hartën artistike dhe shpirtërore të Europës, ndaj njohja e veprës së tij duhet të shkojë përtej kornizave të librave shkollorë.

Përmes artit, teknologjisë dhe krijimtarisë, aktiviteti “Kadare ndër vargje” përcolli mesazhin se vepra e Ismail Kadaresë vijon të jetë aktuale dhe frymëzuese edhe për brezat e rinj. Ky aktivitet u kthye jo vetëm në një homazh për shkrimtarin e madh, por edhe në një thirrje për lexim, mendim kritik dhe forcimin e lidhjes së fëmijëve me librin, në një kohë kur teknologjia zë gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën e përditshme.