Ai nuk ndodhet fizikisht mes nesh, megjithatë ditëlindja e tij nuk mund të kalohet në heshtje. Kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare, i ndarë nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare, sot shënon 90-vjetorin e lindjes, ndërkohë që vepra dhe ndikimi i tij mbeten të pavdekshme.
Duke e cilësuar si ‘pasaportën e Shqipërisë në botë’, Tirana zyrtare e përkujtoi Kadarenë përmes një ekspozite me veprat e tij, në ministrinë Për Europën dhe Punët e Jashtme.
“U shndërrua në pasaportën e Shqipërisë. Nderojmë luftëtarin e paepur të Shqipërisë europiane. Përkujtojmë përmes një ekspozitë të thjeshtë, përkujtojmë atë që për shqiptarët bëri shumë, e nuk mori asgjë. Diktatura nuk e mbajti të izoluar Kadarenë, ai ishte zëri që parapriu ndryshimin", tha Elisa Spiropali.
Ndërsa për Kosovën Ismail Kadare vlerësohet si ‘Zëri i saj botëror në momente të vështira’.
“Ismail Kadare për Kosovën nuk është mit letrar, por dëshmitar i plagëve të saj të hapura. Kosovën tentuan ta bënin të padukshme, por Kadare nuk heshti. Ai i dha Kosovës zë botëror", tha Donika Gërvalla.
Nga shtëpia muze e Kadaresë në Tiranë, Presidenti i republikës, Bajram Begaj vlerësoi kontributin e tij në afirmimin ndërkombëtar të identitetit dhe historisë shqiptare, duke theksuar rëndësinë e përcjelljes së veprës së Kadaresë te brezat e rinj.
Në këtë 90 vjetor të lindjes së shkrimtarit, Akademia e Shkencave promovoi veprën “Kadareja në kritikën botërore” me tri volume.
Në Durrës, nxënës dhe mësues e përkujtuan Kadarenë përmes rreshtave të veprave të tij në një takim letrar, për të dëshmuar se letërsia e tij vijon të lexohet, të kuptohet dhe të frymëzojë brezat e rinj.
Ndërsa në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, “Kadare ndër vargje” erdhi në dokumentarin e realizuar nga 13 vjecari Deon Gjoka, përmes një avatari digjital që ‘flet’, të shoqëruar edhe nga një këngë e frymëzuar nga veprat e tij.
Ismail Kadare filloi të shkruante kur ishte ende i ri. Ai dalloi në poezi e më pas në prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 50 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
U vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Në 20 tetor 2009 Ismail Kadare u bë i pari shkrimtar shqiptar që fiton çmimin "Princi i Asturias për Letërsinë".
Në 90 vjetorin e lindjes së gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, në ceremoninë e zhvilluar nga Ministra për Europën dhe Punët e Jashtme është zbuluar edhe një letër që shkrimtari i ka dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush në vitin 1991.
Në letër Kadare shtron pyetjen nëse populli shqiptar ka të drejtë të jetojë në të njëjtën shtëpi, duke iu referuar Kosovës. Ai thotë se mjetet demokratike që çojnë në një zgjidhje paqësore dhe diplomatike, ekzistojnë.
“Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre. Shpresoj, Zoti President i SHBA, se ju do të bëni gjithçka, për të ndaluar këtë krim të paralajmëruar, tashmë, nga shumë drejtime”, shkruan ndër të tjera Kadare.
LETRA
Zoti President,
Dy vjet më parë, më 1989, kur jo vetëm në vendin tim por në gjithë perandorinë e Lindjes, diktatura komuniste ishte ende në këmbë, me mikun tim, laureatin e çmimit Nobel të paqes, Elia Weisel, ju kam dërguar një letër.
Në atë kohë, për një letër si ajo, në Shqipërinë komuniste dënoheshe me vdekje, megjithatë unë e ndjeva për detyrë t’ju drejtohesha juve, presídentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, për t’ju kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar, për qëndrimin armiqësor që mbante qeveria komuniste shqiptare ndaj SHBA.
Ju shkruaja, midis të tjerash, në atë letër se populli shqiptar, në kundërshtim me sunduesit komunistë, kishte ndjenja të thella mirënjohjeje për SHBA dhe ju lutesha Juve, që pa ia vënë veshin fyerjeve të Tiranës të vazhdonit të ndihmonit këtë popull martir, si atë që vuante brenda kufijve të shtetit, si gysmën tjetër të tij, që vuante në Jugosllavi.
Dhe ja, pa u mbushur dy vjet, në marrëdhëniet amerikano-shqiptare ndodhi e pabesueshmja. Kur Sekretari i Shtetıt, Baker, u prit në mënyrë madhështore në Tiranë, isha i lumtur të vërtetoheshin fjalët që ju kisha shkruar më 1989, që në atë kohë mund të tingëllonin si fantazi shkrimtari, se SHBA do të ketë te populli shqiptar, një mik të zjarrtë e të përhershëm. Nga ana e tyre, shqiptarët të zhgënjyer nga ato lidhje të mbrapshta në të cílat i çuan komunistët, janë sot më të etur se kurrë për miqësi të vërtetë.
Zoti President, sot kur një pjesë e botës, e sidomos ajo pjesë që posa është shkëputur nga e kaluara komuniste, po përpëlitet e s’gjen dot qetësi, njerëzimi mbarë përcjell me adhurim përpjekjet tuaja fisnike për rregullimin e saj. Në këtë kahje, jo vetëm si shkrimtar e qytetar shqiptar, por edhe si njeri që dëshiron një botë më të përkryer, ju drejtohem Juve, burrit të shtetit me të cilin e ardhmja e botës ka një lidhje të drejtpërdrejtë.
Për shumë dekada, një pjesë e botës në aksionet e saj politike e diplomatike, përballë problemeve të mëdha ka qenë shpesh herë e paralizuar prej dogmave dhe tabuve. Në emër të një stabiliteti e qetësie false, këto dogma shpalleshin të shenjta e të pandryshueshme, paçka se kombe e popuj të tërë, të rrëzuar prej fatit, njëlloj si titanët e dikurshëm, vuanin e rënkonin prej tyre.
Tani është e qartë për cilindo, se ajo qetësi dhe stabilitet, që përligjej nga formulat gjoja të shenjta, nuk ka qenë veç një harmoni e gënjeshtërt. Nuk do të zgjatem për gjëra që ju i dini më mirë se kushdo dhe, prej të cilave jeni shqetësuar si rrallë kush. Do të dëshiroja vetëm që të tërheq edhe një herë vëmendjen tuaj, Zoti President, për popullin me fatin më tragjík, të krejt kontinentit evropian: shqiptarët.
Ky është i vetmi popull në historinë e Europës, që pas dy mijë vjetëve jetë u nda më dysh, që në fillim të shekullit të XX-të prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy díktaturave më të egra, që ka njohur bota: diktaturës së komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë.
Ky gjymtim e kjo shtypje dyfishe, e ka lodhur dhe e ka dëmtuar rëndë këtë komb. Tani, gjysma e tij, ajo që jeton brenda kufijve të shtetit shqíptar, është duke e fituar më në fund lirinë. Por gjysma tjetër, ajo që ende ndodhet nën komunistët serbë, është në zi dhe në mjerim.
Zoti President i SHBA! Mendoj se është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë e të jetë i dënuar kështu.
Dhurata që iu bë terroristëve serbë që vranë më 1914 në Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke u dhënë si shpërblim gjysmën e Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë.
Kur ju shkruaj këto fialë, unë nuk mendoj kurrë, që paqja dhe mirëkuptimi i sotëm i arritur me aq mundime, të rrezikohen për shkak të shqiptarëve. As nuk parashtroj kërkesa për veprime të ngutshme, brutale ose sensacionale.
Ajo që dëshiroj të shtroj para jush është kërkesa për një ndryshim parimor në qëndrimin ndaj popullit shqiptar. Në mbarim të këtij shekulli, përpara shqiptarëve po ngrihet shansi historik, shansi që të korrigjohet faji që u bë ndaj tyre në fillim të shekullít.
A do të pranohet prej botës së sotme të qytetëruar e drejta e këtij populli, që të jetojë bashkë, në të njëjtën shtëpi, si të gjithë kombet apo do t’i mohohet kjo e drejtë, në emër të tabuve ose të gjumit të qetë të dikujt?
Në qoftë se në vizionin e Europës së nesërme pranohet kjo ide, mendoj se edhe mjetet demokratike për zgjedhjen e saj në mënyrë paqësore, diplomatike, njerëzore, pa dhimbje e gjak për kërrkënd, mund të gjenden.
E tmerrshme është se gjer më sot kjo ide nuk është pranuar. Por në kohën tonë, në kohën e triumfit të të drejtave të njeríut, triumf në të cilín SHBA kanë një vend nderi, të mos pranosh një ide të tillë, do të thotë të pajtohesh me të kundërtën.
Me një krim të tillë në ndërgjegje, bota e lirë s’mund të flejë e qetë. Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre.
Shpresoj, Zoti President i SHBA, se ju do të bëni gjithçka, për të ndaluar këtë krim të paralajmëruar, tashmë, nga shumë drejtime.
Duke ju falenderuar edhe një herë, ju personalisht dhe shtetin tuaj të madh, për vëmendjen ndaj popullit tim, shpresoj Zoti President, se midis punëve dhe problemeve tuaja të shumta, do të vazhdoni të interesoheni për fatin e popullit tim martir.
Pranoni, Zoti President, shprehjen e respektit tim më të thellë.


Presidenti Bajram Begaj, vizitoi sot Shtëpinë Muze të shkrimtarit Ismail Kadare në Tiranë, në përkujtim të tij me rastin e 90-vjetorit të lindjes. Kreu i Shtetit vlerësoi veprën e Kadaresë dhe kontributin e tij përmes letërsisë në njohjen ndërkombëtare të identitetit dhe historisë sonë.
Begaj theksoi edhe rëndësinë e përcjelljes së kësaj vepre te gjeneratat e ardhshme.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës me rastin e ditës së lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare:
Muza e Kadaresë ishte Shqipëria.
Por ai pati fuqinë e magjisë që me penën e tij të nxjerrë nga thellësitë e historisë mitet, kujtesën dhe dinjitetin e kombit tonë e t’i shndërronte në letërsi të papërsëritshme botërore.
Sot, në 90-vjetorin e datëlindjes, vizitova muzeun e tij në Tiranë, shtëpinë ku ai shkroi pjesën më të madhe të veprave.
Besoj se ne duhet të edukojmë fëmijët e të rinjtë që të vijojnë letërsinë e mrekullueshme të tij.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizoi një ceremoni dhe ekspozitë me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
Në fjalën e saj, ministrja Elisa Spiropali deklaroi se Kadare e ngriti Shqipërinë në një lartësi të admirueshme. Spiropali shtoi se Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë.
“Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, kujton se Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi të admirueshme. Mbushemi me krenari kur konstatojmë se Kadareja ynë i njohur ndërkombëtarisht në tërë planetin, më së pari ushqeu shpirtërisht e lartësoi moralisht popullin e Tij. Shqipëria dhe shqiptaria tek Ai dhe vepra e Tij gjetën formën më të lartë të vetvetes. Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, e qëndroi në atë piedestal edhe kur qemë të përbuzur, të harruar e të keqkuptuar, luftoi për ne. Nderojmë luftëtarin e paepur të Shqipërisë europiane, atë që i dëshmoi botës se në këto troje rron një popull europian në mish e në thua, që sa herë ka qenë i lirë ka zgjedhur Europën. Përkujtojmë përmes një ekspozite të thjeshtë me dokumente nga arkiva e shtëpia, emrin e kolosit kulturor, humanist, patriotik, që për Shqipërinë dhe shqiptarët, dha gjithçka, dhe nuk mori asgjë.
I përkthyer në shumë gjuhë, Kadare kapërceu izolimin haluçinant, foli e shkruajti në emër të vendit të tij të mbyllur, por jo të dorëzuar, duke ja arritur të bëhet ambasador shpirtëror i Shqipërisë në botë. Ndërsa vëzhgohej rreptësisht nga aparati i shtetit komunist, në tehun mes adhurimit dhe survejimit, ia doli të kalonte çdo rrezik falë vullnetit të pashtershëm dhe forcës kolosale të gjeniut artist dhe vizionar. Pa rënë ende perdja e hekurt, i ftuar nominalisht nga Presidenti i Francës, François Mitterrand, për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez, mes 35 krerëve të shteteve dhe figurave më të rëndësishme të botës, Kadare ishte aty mes një grushti të vogël shkrimtarësh me përmasa botërore. Diktatura nuk mundi më ta mbante të izoluar gjeniun. Kadare u bë fitorja e parë morale ndaj regjimit, rrëzimi i parë simbolik i murit diktatorial në Shqipëri. Ai ishte zëri që parapriu ndryshimin, fjala që e bëri të mundshme Lirinë. Në rolin madhor të përfaqësuesit shpirtëror të kombit, Kadare krijoi raportin më kuptimplotë e prekës me Kosovën. Ishte i pari që shkroi për tragjedinë, që po përgatitej kundër saj. Kadare ishte me Kosovën në momentet e saj më vendimtare dhe dramatike. Letra që i nis delegacionit shqiptar në Rambuje me tone dashurie, lutje e qortimi është një ndër marrëdhëniet e tij në nivelet më të larta botërore", theksoi ajo.
Ndërsa Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla deklaroi se Ismail Kadare nuk heshti për Kosovën, kur tentuan ta bënin të padukshme.
Sipas saj, Kadare i dha Kosovës zë botëror.
“Ismail Kadare për Kosovën nuk është mit letrar, por dëshmitar i plagëve të hapura të Kosovës. Kadare nuk e ka parë kurrë Kosovën nga larg, ishte dhimbje e tij personale. Kadare e ndjente se po sulmohet thelbi i një kombi. Kosovën, tentuan ta bënin të padukshme, por Kadare nuk heshti, shkroi sepse të tjerë nuk mundën. Madhështia e Kadaresë qëndron te mënyra sesi e përdori letërsinë për të treguar të vërtetën. Europa e dinte dhimbjen e Kosovës, por zgjodhi të heshte. Kadare mbrojti identitetin dhe kulturën, ai i dha Kosovës zë botëror dhe tha se një popull mund të jetë pa shtet, por nuk mund të jetë pa identitet. Kosova e lirë dhe e pavarur nuk e harron kurrë shkrimtarin e saj. Kosova dhe Kadareja janë një binom që nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër.", nënvizoi ajo.
Komente










