Kadare, pakti i heshtur me Enver
Hoxhën dhe urrejtja e Nexhmijes

Kadare, pakti i heshtur me Enver<br />Hoxhën dhe urrejtja e Nexhmijes
TIRANE- Shqiptarja.com publikoi sot publikimin e pjesës së dytë të marrë nga biografia e shkrimtarit Ismail Kadare shkruar nga Ndriçim Kulla, e cila titullohet “Ylli i Shkrimtarit-biografi e Ismail Kadaresë nga koha e tiranisë deri më sot”. Në libër rrëfehet edhe historia e marrëdhënieve të shkrimtarit me diktatorin.

Enver Hoxha pak nga pak po e humbiste durimin me Kadarenë, i cili me sa dukej as që kishte ndërmend të mbante pjesën e tij të paktit. Kështu që diktatori i dërgoi një paralajmërim shkrimtarit. Paralajmërimi i diktatorit vinte në kohën kur kishte marrë fund ajo periudhë liberale që ai kishte lejuar në vitet e para pas prishjes me Bashkimin Sovjetik.

Një fjali e vetme e Kadaresë për kohën kur ndodhën këto ngjarje e përshkruan më së miri atmosferën: Ishte viti i egër 1967. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 225)Mesazhi i erdhi Kadaresë në trajtë gjysmë shakaje gjysmë kërcënimi. Shkrimtari thotë për këtë te libri “Pesha e kryqit”:
“Shkrimtarë më të pafytyrë se ju, vështirë se mund të gjenden, më thoshte duke qeshur miku im, mjeku F. H. Po më i pafytyrë se të gjithë je ti.
Nuk ishte i pari që ma thoshte këtë gjë. Diktatori jo vetëm që më kishte mbrojtur nga tërbimi i stalinistëve, por dy vjet më pas më kishte marrë në telefon për të më uruar për poemën “Përse mendohen këto male”, ndonëse në të kishte vetëm një rresht për partinë e asnjë fjalë për të, shefin e saj. Pas kësaj, me siguri kishte pritur një fjalë nga unë.

Mirë turp nuk ke, por, së paku, a nuk ke frikë? Vazhdonte miku im. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 231) Në vështrimin e mjekut F. H., kur thoshte këto fjalë duhet të ketë pasur një shkëndijë qesëndisëse, që vinte ngaqë dukej sikur mjeku F. H. i njihte mirë të dy familjet, atë të Kadarenjve dhe të Hoxhatëve. Kështu që në fjalët e tij dukej se kishte një nëntekst që Kadareja nuk mund të mos e kapte: “Domethënë ti sojliu nga dera e Kadarenjve nuk begenis të shkruash për një Hoxhat, një psefto, kështu që Hoxhati duhet ta ulë hundën dhe të ta kërkojë këtë gjë. Por mos harro more djalë se ky Hoxhati është sot i pari i vendit dhe ka në dorë jetën e vdekjen e njerëzve, duke përfshirë edhe tënden”.

Shkrimtari nuk mund të mos e kuptonte se tanimë durimi i diktatorit kishte arritur në limitin e tij. Kadareja duket se e kishte keqkuptuar telefonatën e diktatorit për poemën “Përse mendohen këto male”. Kadareja duhet të ketë menduar se meqenëse Enver Hoxha po e merrte në telefon për një poemë ku nuk përmendej emri i tij, por vetëm një herë emri i partisë komuniste, atëherë diktatori ishte i kënaqur dhe me kaq prej tij. Kurse në fakt diktatori duket se e mori në telefon shkrimtarin për t’ i kujtuar paktin e tyre. Fjalët e mjekut F. H. tanimë po sqaronin gjithçka. Kur mjeku F. H. i thoshte Kadaresë “por së paku a nuk ke frikë?” nënteksti ishte: “Mirë që për vete nuk paske frikë, por së paku nuk ke frikë për familjen, për gruan, vajzën, babain, nënën, vëllain, motrën?” Se të gjithë këta do ta pësonin nga diktatura nëse e pësonte shkrimtari. Kadareja shkruan te libri “Pesha e kryqit”:

Ishte hera e parë që pas lajkës së diktatorit vinte dhe kërcënimi dhe unë ende s’ isha i ndërgjegjshëm plotësisht se kërcënimi pas një lajke është dyfish kërcënim. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 232) Ç’ është më e keqja, Enver Hoxha mund të dyshonte se Kadareja nuk donte të shkruante për të, se mendonin që ai do të binte nga pushteti pas grindjes me Bashkimin Sovjetik, dhe se ai nuk donte  që të komprometohej si enverist i thekur. Diktatori tani vendosi që ta sqaronte përfundimisht punën e mbetur pezull me shkrimtarin. Por mesazhi i parë i dërguar me mjekun F. H. nuk bëri punë. Diktatori jo rastësisht ia dërgoi mesazhin me mjekun F. H. në 1967, në prag të gjashtëdhjetëvjetorit të tij, që ishte në vitin pasardhës, në 1968. Gjashtëdhjetëvjetori i diktatorit ishte një rast kur për të do të thureshin shumë krijime letrare nga shkrimtarë dhe rapsodë.

Enver Hoxha tani priste që Kadareja të bënte një poemë për të me rastin e gjashtëdhjetëvjetorit. Por një poemë ekskluzivisht për diktatorin Kadareja nuk e bëri kurrë, as në atë kohë as më vonë. Muajt po kalonin pas mesazhit të parë të dërguar me mjekun F. H. dhe Kadareja nuk po bënte asgjë nga ato që priste diktatori. Prandaj, për t’ia bërë përfundimisht të qartë Kadaresë se tanimë gjërat kishin arritur aty ku nuk mbanin më, Enver Hoxha vendosi që ta kritikonte publikisht, për herë të parë. Kadareja e përshkruan kështu këtë ngjarje:

Një mbrëmje gjeta në shtëpi gazetaren Shpresa K., mikeshë e vjetër e sime shoqeje. Dukej e tronditur, ndihej menjëherë se diçka kishte ndodhur.
-Dëgjo më tha, kur e pyeta.- Diçka ka ndodhur, po ti mos u mërzit. Sapo mbaroi Konferenca e 17-të e Partisë për Tiranën. Enver Hoxha, ndonëse nuk ta përmendi emrin, të kritikoi.
 Nuk dija ç’ të thosha dhe ngrita supet. E keqja ndihej fare pranë. Qelqet e dritoreve, gjithë bota trandej ngadalë, qetësisht, pafundësisht. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 225)

Enver Hoxha e përdorte shpesh këtë mënyrë të vepruari. Ai e kritikonte një njeri në atë mënyrë që të merrej vesh nga të gjithë se cilit person i drejtohej kritika, por nuk ia përmendte emrin. Kjo ishte një thikë me dy presa. Edhe arrihej të bëhej presioni ndaj njeriut të vënë në shënjestër nga diktatori, edhe këtij të fundit i bëhej e ditur se kishte nisur procesi i goditjes së tij. Pas kësaj do të vinte kritika me emër e diktatorit, dhe kështu me radhë. Sidoqoftë, edhe kështu kritika e diktatorit për shkrimtarin ishte dyfish e rëndë se konservatorët e merrnin atë si një sinjal nga ana e Enver Hoxhës se Kadareja nuk gëzonte më mbrojtjen e tij. Shkrimtari pa përsëri humnerën e ferrit që t’ i hapej para këmbëve si atë ditë në mbledhjen e korrikut 1961, veçse këtë herë kundër tij ishte vetë diktatori. Pasi Enver Hoxha kritikonte dikë ashtu siç bëri në këtë rast me Kadarenë, personit të kritikuar i shkonin të dërguarit që i jepnin atë kumt të diktatorit, të cilin ky i fundit nuk mund ta thoshte dot publikisht. Kadareja e përshkruan kështu ardhjen e tyre te libri “Pesha e kryqit”: 

Ata erdhën me pelerina të zeza mbi krahë, me fytyra të bardha si prej allçie dhe me zëra të huaj, të lëmuar prej largësisë, siç janë zakonisht zërat e lajmësve që sjellin kumtin. Ti nuk ke bërë flinë e detyrueshme. Ti qysh tani je vonë dhe Zeusi është i zemëruar me ty.
Dëgjoja si i mpirë fjalët e tyre. Ku i kishin gjetur këto maska dhe këtë zë? Desha t’ u them: hiqni ato maska dhe flisni më qartë. Ju jeni miqtë e mi, s’ ka nevojë të bëni teatër me mua.
Por as unë s’ua thashë këto fjalë, as ata s’i hoqën maskat.
Besoj se ti e ke lexuar fjalimin e tij në Konferencën e 17-të. Besoj se e kuptova që Enver Hoxha është i zemëruar. Gjithë Tirana e ka marrë vesh këtë gjë.
-E përse?
Ata vështruan njëri-tjetrin.
-Ne nuk e dimë përse. Ndoshta ti vetë mund ta dish më mirë. Ka mundësi që të kenë shpifur për ty. Ose, ndoshta, ke folur vërtet ndonjë gjë kundër tij.
Unë ngrita supet për të thënë se kishin shpifur ose jo, tani kjo kishte ndodhur dhe unë s’ kisha ç’ bëja… (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 226)
 
ndriçim kulla

 (Ne foto: Studiuesi Ndriçim Kulla dhe kopertina e librit biografik per Kadarene)

Lajmësit e diktatorit, vizita të shpeshta në shtëpinë e Kadaresë
Kadareja e bën të qartë se qysh në momentin e parë ai ishte i bindur se ata që i erdhën ishin lajmës të diktatorit, të tillë që në mos e kishin marrë porosinë direkt prej tij, e kishin marrë nëpërmjet ndërmjetësve. Por ata që i erdhën kishin vënë maskën e njerëzve që kishin një shqetësim prej miku për fatin e shkrimtarit. Kadareja kishte të drejtë që e quante të gjithë këtë teatër, se në raste të tilla, atij që e kishte  kritikuar Enver Hoxha, njerëzit i largoheshin dhe nuk i afroheshin. Pra, ku e gjenin guximin këta njerëz të vinin në shtëpinë e shkrimtarit, duke e njollosur kështu vetveten si bashkëpunëtorë të mundshëm të tij.

Ata e dinin mirë se Kadarenë e urrente gruaja e diktatorit që prej dhjetë vjetësh. Tani të dy të fuqishmit e vendit dukej se ishin bërë bashkë kundër tij. Kush do të guxonte të hynte midis zemërimit të udhëheqësit dhe gruas së tij ndaj shkrimtarit? Vetëm disa të dërguar, kuptohet. Nga ato që thanë lajmësit Kadareja kuptoi se gjërat ishin edhe më keq se ç’ kishte menduar Kadareja. Diktatori nuk ishte i zemëruar vetëm se shkrimtari nuk po paguante haraçin ndaj tij  për mbrojtjen që i kishte bërë, por ishte i zemëruar edhe sepse Kadareja fliste lart e poshtë kundër tij. Pra, atëherë kur diktatori priste që shkrimtari të ulej në dhomën e punës dhe të përshkruante figurën e tij në letërsi, në poema dhe në romane, Kadareja, tallej kafeneve të Tiranës me atë psefton e Hoxhatëve! Hm! Shkrimtari e dinte mirë se kishte folur dhe madje çfarë kishte folur kundër diktatorit. Kadaresë i dukej absurde kjo bisedë.

Nëse diktatori kishte bindjen se ai kishte folur kundër tij, atëherë çfarë mund të bënte ai, dhe çfarë kërkonin ata prej tij. Në këto raste  askush nuk mund ta shpëtonte personin mbi të cilin kishte rënë zemërimi i diktatorit. Ishte një situatë si e Prometeut me Zeusin. Shkrimtari befas e pa gjithçka si fatalitet, sipas parimit “Më mirë një fund i tmerrshëm se një tmerr pa fund”. Në diktatura ndodhte shpesh që njerëzit që ishin vënë në shënjestër për një kohë të gjatë, të reagonin kështu, të lodhur nga tensioni dhe stresi. A të ishte me të vërtetë kështu  apo Kadareja donte të zbulonte plotësisht nëse ata që i kishin trokitur në derë ishin lajmës të diktatorit? Fakti është se në këtë çast ata që i kishin trokitur në derë e zbuluan veten me ato që thanë se ishin lajmës. Kadareja e tregon kështu vazhdimin e takimit me të dërguarit, te libri i tij “Pesha e kryqit”: 
…por ata ndërhynë:
-Nuk është ashtu. Ti ke dëgjuar besoj se po u zemërua ai… hem. E pra, ti duhet t’ i dalësh përpara së keqes. Ti duhet të shkruash diçka për të.
-Çfarë?
-Prit, mos e bëj fytyrën ashtu. Ti duhet të shkruash diçka, së paku, për të vërtetuar se nuk je kundër tij. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 226-227)
Tanimë ishte e plotësisht e qartë se bëhej fjalë për lajmës, të cilët kishin ardhur që të kërkonin pagimin e haraçit sipas paktit të heshtur të diktatorit me shkrimtarin.

Ky duhet të ketë qenë një moment triumfi për shkrimtarin dhe këtë gjë më tepër se kushdo e kuptonin ata që i kishin ardhur në shtëpi si lajmës. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që diktatori pasi e kishte kritikuar dikë publikisht, t’i dërgonte njerëz në shtëpi për t’ i thënë se ai e dinte që personi në fjalë e shante atë, por megjithatë ia falte të gjitha këto, në qoftë se ai shkruante diçka për të. Enver Hoxha nuk kërkonte thjesht që shkrimtarët e rinj të shkruanin për të, ai kërkonte që të ishte pikërisht Kadareja ai që do të shkruante për të.

Për Enver Hoxhën duhet të ishte dyfish e rëndë, si diktator dhe si gjirokastrit kjo përulje ndaj shkrimtarit të parë të vendit. Si diktator ai po i përulej shkrimtarit, si gjirokastrit, ai ishte Hoxhati psefto (klasë e ulët shoqërore-shënim red)që ishte i detyruar t’ i përulej Kadaresë sojli. Enver Hoxha e merrte me mend sesi do ta kishin përshkruar anetë e Gjirokastrës këtë gjë, nëse do ta dinin: “Eh, sido që të shkojë puna e sado lart që të ngjitet një psefto, përsëri do ta sjellë rasti që t’ i përulet e t’i lutet sojliut për diçka, se kështu janë të shkruara gjërat!”
Por njëfarë fjale duhet të ishte përhapur edhe në Gjirokastër gjithashtu se edhe atje njerëzve nuk mund të mos u binte në sy se shkrimtari i parë i vendit, që ishte gjirokastrit, nuk po shkruante për udhëheqësin që ishte bashkëqytetar i tij. Kadare shkruan saktë te libri “Pesha e kryqit”:
   
“Isha tridhjetë vjeç, dhe, duke mos llogaritur ca reportazhe e ca vjersha të kohës së adoleshencës, e kisha përmendur partinë vetëm një herë në një vepër serioze, në poemën “Përse mendohen këto male”. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 227). Ky është një fakt që nuk mund ta kundërshtojnë dot as armiqtë më të mëdhenj të Kadaresë. Mund të thuhet se shkrimtari po e keqpërdorte pafytyrësisht, siç i tha i dërguari i diktatorit mjeku F.H. paktin e heshtur që kishte bërë me diktatorin. Kur F.H. i thoshte kështu duhej nënkuptuar se ishte vetë Enver Hoxha ai që po i thoshte shkrimtarit: “Ti po e keqpërdor pafytyrësisht paktin që kemi lidhur bashkë!”.

Por diktatori ishte i pafuqishëm ndaj shkrimtarit, se nuk shikonte të kishte një tjetër shkrimtar të aftë për të përshkruar figurën e tij në letërsi. Ishte hera e dytë që diktatori po i lutej shkrimtarit për këtë gjë. Të gjithë të dërguarit, që nga doktor F.H. dhe deri te të dërguarit e tanishëm që i erdhën në shtëpi shkrimtarit, e kuptonin këtë gjë. Ndërsa të dërguarit vazhdonin t’ i flisnin për ta bindur  Kadaresë nisi t’ i krijohet pak nga pak një obsesion:      
Mendja më rrinte përherë në një pikë: ç’ i kishin thënë atij, ose më saktë, cilat nga epitetet e mia për të ia kishin sosur. Po sikur… po sikur… o Zot, të ishte ajo gjë?
- E humbe fare,- më tha njëri prej tyre.- S’ është ndonjë hata, përderisa mund të ndreqet. Ti mund të shkruash diçka dhe ky keqkuptim merr fund.
- Desha të di ç’i kanë thënë, domethënë ç’kanë shpifur.
- E ç’ rëndësi ka kjo? Kryesorja është që të gjendet zgjidhja. Dhe zgjidhjen e ke ti vetë në dorë.
- Unë prapë s’i dëgjoja ç’thoshin. Çdo minutë kalonte, tmerri i vdekjes po më akullonte së brendshmi. Tani isha i bindur se ishte ajo gjë. Dhe ajo gjë të çonte në varr. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 226)

Kadareja ishte aq i shqetësuar saqë nuk arrinte ta kuptonte mesazhin që po i dërgonte diktatori me gojën e të dërguarve që i kishin ardhur në shtëpi: “Ti bëje portretin tim letrar dhe unë do të fal për të gjitha ato që ke folur kundër meje”. Kadaresë i dukej e pabesueshme që diktatori t’ia falte atij të vetmen gjë të cilën nuk ia falte askujt. Dhe ai Kadareja e pohon se ishte fajtor pikërisht për këtë gjë: Sa njerëz ishin marrë më qafë nga ajo pëshpërimë, që lidhej me jetën e tij intime në kohë të rinisë. Që ai e urrente veçanërisht. Që ishte përpjekur më kot ta zhdukte me anë të terrorit. Përpara së cilës gjykimi i tij verbohej në çast. Ajo pëshpërimë ishte çelësi i artë i Sigurimit. Sa herë që makina e diktaturës ngecte diku, ai çelës hapte çdo portë. Atë çelës e kishin në dorë tre veta: gruaja e tij, N. Hoxha, ndihmësi i tij kryesor, H. Kapo dhe ministri i Brendshëm, K. Hazbiu. Me atë çelës ata ishin më të fuqishëm se ai vetë.

Çdo mëdyshje e tij e mundshme përpara dënimit të dikujt fshihej në çast, përpara shenjës së tmerrshme. Sa herë isha betuar me vete: mund t’ i lejoja vetes çdo guxim, çdo aventurë, veç në atë zonë të mos afrohesha asnjëherë. Dhe tani, me një qartësi të egër, më kujtoheshin dy raste kur kisha pranuar ta dëgjoja atë… tmerr. Kaq mjaftonte. Sepse për atë gjë dënoheshin njëlloj si ata që kishin folur, si ata që kishin dëgjuar. Komplote të paqena, grupe e fraksione fantazmë, për të cilat njerëzit vrisnin mendjen më kot të gjenin shkaqet e vërteta, aty i kishin edhe rrënjët, edhe shkakun. Kështu shpjegohej shfarosja me rrënjë e familjeve, grupeve e klaneve të tëra. Vështirë që në historinë e botës të gjendej një tjetër pëshpërimë që kishte luajtur një rol kaq ogurzi në fatin e një kombi. Vetëm ajo të mos jetë, thosha me vete. Shumë herë më pas do ta përsëritja këtë lutje. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 226)
 
 
Frika e Kadaresë: Kishte bërë biseda mbi sjelljen seksuale të diktatorit
Në këtë pikë është vështirë të mos thuash përsëri se vuajtjet shpirtërore të Franc Kafkës në shoqërinë e lirë ku jetonte dhe që i ka përshkruar te romani “Procesi”, duken si një luks në krahasim me vuajtjet e tilla që kalonte një shkrimtar në diktaturë. Se Kadareja ishte i vetëdijshëm që nëse diktatori kishte zbuluar se ai shkrimtari i parë i vendit kishte guxuar të prekte tabunë, atëherë do ta pësonte jo vetëm ai, por edhe familja e tij dhe të afërmit e tij, vëllai dhe motra, të cilët mendoheshin si njerëzit me të cilët ai gjithashtu mund të kishte folur për këtë çështje. Në këtë rast, siç thotë Kadareja me të drejtë, Enver Hoxha nuk sprapsej para numrit të viktimave në një familje apo në një fis.

Ajo gjë që e shtonte ankthin e shkrimtarit ishte se ai e dinte që konservatorët, pasi i kishin përdorur të gjitha mënyrat për ta rrëzuar atë, më në fund do të kujtoheshin për atë mënyrën e sigurt, çelësin e artë për në atë skutë të trurit të diktatorit ku merreshin vendimet për goditjet. Konservatorët, të cilët kishin lidhje të fuqishme në Sigurimin e Shtetit, nuk mund të mos e kenë pasur ndërmend që në fillim që të përgjonin nëse ai shkrimtari i urryer prej tyre ishte përzier në këtë çështje veçanërisht djegëse. Për këtë çështje nuk ishte nevoja që të flisje, mjaft që të pranoje të dëgjoje tregimin e dikujt tjetër dhe ishe fajtor, se tanimë ishte një njeri që kishte dijeni dhe mund ta përcillte historinë te të tjerët.

Edhe në qoftë se ai që e kishte dëgjuar historinë nga të tjerët do të shkonte ta denonconte në Sigurimin e Shtetit, përsëri ishte në rrezik se për policinë sekrete ky njeri tanimë ishte njëlloj i rrezikshëm si ai që kishte treguar historinë, pasi ishte në dijeni të saj, pra ishte një përhapës potencial. Kadareja ishte fajtor se kishte pranuar ta dëgjonte dy herë historinë për sjelljen seksuale të diktatorit, siç e pohon vetë.  Në kohën që Kadareja u çlirua nga makthi se mos ishte marrë vesh tentative e tij për arratisje (me kriterin e udhëtimit jashtë shtetit që e kishte përcaktuar në mendjen e tij), i lindi një makth i ri, edhe më i rëndë, frika se mos atë e kishin denoncuar për bisedat mbi sjelljen seksuale të diktatorit......
 
Shkrimi u publikua sot (17.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)


(Ne numrin e  nesërm, 18 tetor 2013  Shqiptarja.com publikon  Ismail Kadare, 17 vjet frikë nga Sigurimi i Shtetit


Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët