VKM/ Qeveria unifikon shpërblimet për Policinë e Shtetit, masa deri në 3 rroga! Tagrin e ka Proda, ja 8 kriteret se si përfitohet

VKM/ Qeveria unifikon shpërblimet për Policinë e Shtetit, masa deri në 3 rroga! Tagrin e ka Proda, ja 8 kriteret se si përfitohet

Efektivë të Policisë së Shtetit

Qeveria merr vendimin që të unifikojë shpërblimet për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Këshilli i Ministrave aprovoi sot propozimin e Ministrisë së Brendshme dhe prej këtij viti do të ketë të tjera kritere për vlerësimin me shpërblim deri në 3 paga. Përzgjedhja do të bëhet sipas 8 kritereve.

Dhe është Drejtori i Përgjithshëm ai që ka tagrin që të shpërblejë punonjësit e Policisë së Shtetit për rezultate të larta në kryerjen e detyrës, në përputhje me kriteret e përcaktuara në mbledhjen e sotme të qeverisë (9 janar). 

Masa e këtij shpërblimi, sipas VKM-së dhe konfirmimit që bëri vetë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, është deri në 3 paga mujore në vit.

Por do të ketë kritere strikte për përfitimin e shpërblimit për rezultate të larta në kryerjen e detyrës. 

Kryesorja është kryerja e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhja e situatave të jashtëzakonshme për rendin dhe sigurinë publike, pra që kanë shkallë vështirësie të lartë, e më tej parandalimi i ngjarjeve të rënda kriminale, si vrasje, akte terroriste, rrëmbim ose mbajtje peng të personit apo shkatërrimit të pronës me pasoja të rënda.

Gjithashtu kryerja e operacioneve për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë apo autorëve të armatosur të veprave penale pas kryerjes së krimit (në kushtet e flagrancës), zbulimi, hetimi dhe arrestimi/ndalimi i autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, që kanë impakt në publik.

Po kështu kryerja e operacioneve policore të rëndësishme për hetimin dhe arrestimin /ndalimin e autorëve, që kanë kryer apo kapen në kryerje e sipër të veprave penale të krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik.

Në listë hyjnë zbulimi, hetimi dhe arrestimi/ndalimi i grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale, kryerja e operacioneve të ndërhyrjes për shpëtimin e jetës së njerëzve, në kushtet e emergjencave civile dhe në fund kontributi i punonjësit të policisë në rritjen e standardeve të punës në fushën e rendit dhe sigurisë publike dhe në fusha të tjera të veprimtarisë policore, sipas rezultateve dhe objektivave.

Por nga kush propozohet ky shpërblim për efektivët blu?

“Titullarët e njësive shpenzuese, drejtorët e drejtorive qendrore, drejtuesit e departamenteve dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, bazuar në rezultatet e larta të arritura në kryerjen e detyrave, sipas kritereve të përcaktuara në pikën 12, të këtij vendimi, i propozojnë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shpërblimin e punonjësve, shoqëruar për çdo rast me një relacion shpjegues”, thuhet në VKM-në e sotme.

Masa e shpërblimit jepet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Një tjetër vendim i sotëm ka qenë ai për pagat e policëve, ku specifikohet se janë të ndara sipas gradave dhe vjetërsisë. Gjithashtu do të ketë llogaritje shtese page edhe për efektivët që punojnë në situata të vështira, kushte të vështira për shëndetin dhe në vende të largëta.

Por edhe për gradat e vogla ka pasur një vendim.

“Të gjithë punonjësit e rolit zbatues, që kanë pasur gradën “Inspektor i parë” dhe “Inspektor i dytë”, të cilët, për shkak të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, marrin gradën “Inspektor”, deri në datën 1 janar 2026, do të vijojnë të përfitojnë vlerën e pagës për gradë dhe të shtesave për natyrë të veçantë pune, sipas gradës dhe shtesave që kanë pasur deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi”, thuhet në VKM.

Trajtime do të kenë edhe studentët e rinj të Policisë, ata që ndjekin arsimin brenda dhe jashtë vendit, apo që angazhohen paralelisht edhe në detyra gjatë arsimimit.

Por edhe për ata që trajnohen:
 
“Punonjësi i policisë, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60-minutëshe, përfiton një pagesë, si më poshtë vijon:

-Në kurset e formimit bazë për punonjësit me gradë “Inspektor”, në masën 600 (gjashtëqind) lekë/për orë;

-Në kurset e shkollimit/trajnimit për punonjësit e gradave “Nënkomisar” dhe “Komisar”, në masën 800 (tetëqind) lekë/për orë;

-Në kurset e shkollimit/trajnimit për punonjësit e gradave “Kryekomisar” deri në “Drejtues i Parë”, në masën 1000 (një mijë) lekë/për orë”, thotë vendimi.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ndërsa hyn në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Kriteret për përfitimin e shpërblimit për rezultate të larta në kryerjen e detyrës janë:
a) kryerja e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhja e situatave të jashtëzakonshme për rendin dhe sigurinë publike;
b) parandalimi i ngjarjeve të rënda kriminale, si vrasje, akte terroriste, rrëmbim ose mbajtje peng të personit apo shkatërrimit të pronës me pasoja të rënda;
c) kryerja e operacioneve për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë apo autorëve të armatosur të veprave penale pas kryerjes së krimit (në kushtet e lagrancës);
ç) zbulimi, hetimi dhe arrestimi/ndalimi i autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, që kanë impakt në publik;
d) kryerja e operacioneve policore të rëndësishme për hetimin dhe arrestimin /ndalimin e autorëve, që kanë kryer apo kapen në kryerje e sipër të veprave penale të krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik;
dh)zbulimi, hetimi dhe arrestimi/ndalimi i grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale;
e) kryerja e operacioneve të ndërhyrjes për shpëtimin e jetës së njerëzve, në kushtet e emergjencave civile;
ë)            kontributi i punonjësit të policisë në rritjen e standardeve të punës në fushën e rendit dhe sigurisë publike dhe në fusha të tjera të veprimtarisë policore, duke arritur rezultate të larta dhe të dallueshme në kryerjen e detyrës në raport me punonjësit e tjerë të strukturës policore, periudhat paraardhëse, objektivat strategjikë dhe programet vjetore të Policisë së Shtetit.

VKM-ja për shpërblimet për Policinë e Shtetit 

A.Q/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)