Kafshët shtëpiake,
ilaç i ëmbël për pacientët

Kafshët shtëpiake, <br />ilaç i ëmbël për pacientët
Mendje e shëndetshme nga rritja e ndërveprimit dhe shmangia e izolimit. Një nga mënyrat për të ruajtur shëndetin e mendjes është angazhimi me të tjerët. Pronarët e kafshëve shtëpiake kanë dëshirë të flasin me të tjerë si ata. Shëtitja me qenin përfaqëson një justifikim të shkëlqyer për të nisur një bisedë. Terapia me kafshë inkuadrohet brenda rrymave të reja ekologjike të cilat nxisin një kontakt më të madh me natyrën dhe atyre të cilat e konsiderojnë shëndetin si një element i përbërë nga trupi, mendja dhe shpirti. Kjo lloj terapie mund të ofrojë ndihmë jo vetëm për personat që janë duke kaluar një krizë apo që kanë pësuar një aksident, por edhe për qënien njerëzore në përgjithësi. Parë në këtë këndvështrim, emocionet positive që nxisin kafshët shërbejnë si një antidot i shkëlqyer kundër sëmundjeve. Kafshët nuk kanë fuqinë e kurimit, por nëpërmjet dashurisë që transmetojnë favorizojnë relaksimin, qëndrueshmërinë dhe ndihmojnë në përballimin e rrethanave kritike me më shumë qartësi. Studimet tregojnë se kafshët luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e depresionit dhe vetmisë, duke i ofruar shoqëri dhe ndjenjë përgjegjësie personave me të cilët bashkëjetojnë.

1. Zemra, macja dhe qeni


Përveç dietës dhe ushtrimeve, mbajtja e një kafshe shtëpiake mund të ndihmojë në kontrollin e tensionit arterial. Kjo është treguar nga një studim me 240 çifte, ku ata që kishin kafshë në shtëpi paraqitën vlera më të ulëta të tensionit. Një studim tjetër tregoi se fëmijët me hipertension pësuan ulje të tij gjatë kontaktit me qenin e tyre. Gjithashtu, te pronarët e kafshëve janë vënë re vlera më të ulëta të kolesterolit dhe triglicerideve, çka mendohet se vjen si pasojë e stilit të tyre të jetesës. Këta faktorë ndikojnë në uljen e riskut për infarct të miokardit.

2. Depresioni


Ka terapistë të cilët rekomandojnë mbajtjen e një kafshe shtëpiake për t’u përballur apo për t’u rikuperuar nga depresioni. Asnjë tjetër nuk ju do në mënyrë të pakushtëzuar ashtu si macja apo qeni juaj. Ata do t’iu dëgjojnë sa herë të kenë nevojë të flisni. Përkëdhelja e maces ose e qenit ka efekte qetësuese, ndërkohë që përkujdesja për ta (shëtitja, krehja dhe loja) ndihmon që të ndiheni më mirë mbi mënyrën se si e kaloni kohën.

3. Numër më i vogël insultesh cerebrale te ata që mbajnë mace


Nuk dihet arsyeja pse, por me sa duket, ata që mbajnë mace në shtëpi pësojnë më pak insulte cerebrale se sa ata që nuk mbajnë mace. Kjo vjen pjesërisht nga fakti se mbajtja e një kafshe në shtëpi sjell përmirësim të qarkullimit të gjakut. Megjithatë, hulumtuesit hamendësojnë se macet mund të kenë një efekt qetësues më të madh për pronarët e tyre krahasuar me kafshët e tjera.

4. Qentë dhe diabeti


Për personat që vuajnë nga diabeti, ulje e menjëhershme e nivelit të glukozës në gjak mund të ketë efekte të rënda. Disa raca qensh mund të nuhasin rënien e glukozës te pronari i tyre përpara se kjo të japë shfaqje klinike. Kjo mund të vijë si pasojë e ndryshimeve kimike që ndodhin në trup. Ky alarm i jep pronarit të qenit kohën për të ngrënë diçka e për të shmangur situatat e rënda. Afërsisht një e treta e qenve që jetojnë me diabetikë e kanë këtë aftësi.

5. Sindroma e hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes ADHD te fëmijët


Fëmijët me sindromën e hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes mund të kenë përfitime nga mbajtja e kafshëve në shtëpi. Marrja përsipër e detyrave për përkujdesjen e qenit ose maces ndihmon që këta fëmijë të mësojnë të planifikohen dhe të jenë më të përgjegjshëm. Loja me kafshët përfaqëson një mënyrë të përkryer për të harxhuar energjinë. Kështu, këta fëmijë do e kenë më të lehtë të flenë në mbrëmje.

6. Autizmi


Te fëmijët me autizëm shpesh takohen çrregullime ndijore. Për këta fëmijë janë planifikuar disa aktivitete për zhvillimin ndijor që përfshijnë qentë dhe kuajt. Përkujdesja e kafshëve ka efekte qetësuese mbi ta.

7. Stretchingu me macen


Në rast se vuani nga artriti, është e rëndësishme që të bëhen ushtrime stretchingu. Sipas një artikulli të Arthritis Today, ju duhet të bëni ushtrime stretchingu duke ndjekur ritmin e maces suaj. Vëzhgoni se sa herë shtriqet ajo gjatë ditës dhe, me sa mundeni, imitoni të njëjtën lëvizje.

8. Lehtësimi i artritit reumatoid

Personat që vuajnë nga artriti reumatoid mund të kenë lehtësim të sëmundjes nga aktiviteti gjatë ecjes me qenin dhe hedhjes së diskut. Kafshët shtëpiake shërbejnë si një mënyrë për të hequr mendjen nga sëmundja, ndërkohë që në raste të tjera, mjafton prania e tyre për t’u ndjerë më rehat.

9. I ngrohti për dhimbjen kronike


Një racë meksikane qeni pa gëzof, e quajtur Xolo, njihet se prodhon shumë nxehtësi trupore. Organizata Paws for Comfort stërvit Xolot si qen shërbimi për individët me fibromialgi dhe me forma të tjera të dhimbjes kronike që përgjigjen ndaj të ngrohtit. Disa nga qentë janë stërvitur për të qendruar rreth qafës së një individi me dhimbje kronike të qafës.

10. Qeni i epilepsisë


“Qeni i epilepsisë” është një qen i stërvitur në mënyrë të tillë që të jetojë dhe punojë me persona që vuajnë nga epilepsia. Disa prej tyre janë stërvitur që të lehin dhe të lajmërojnë prindërit kur fëmija ka një krizë convulsive në një dhomë tjetër apo jashtë shtëpisë. Të tjerë shtrihen mbi personin që ka konvulsione për të parandaluar dëmtimin gjatë dridhjeve. Ka dhe nga ata qenë që janë stërvitur për të paralajmëruar fillimin e një krize konvulsive.

(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza