Në pikën kufitare kufitare të Kakavijës që na lidhin me vendin fqinjë ka pasur një problem tek pala greke që bllokoi për shumë orë shtetasit. Pika kufitare u hap pas 14 orësh, pas një telefonate që ministri Bushati i bëri homologut të tij grek Nikos Kotzias. Në Kakavijë ishin të pranishëm edhe ministri për Europën e Punët e Jashtëme, Bushati e ministrja Mirela Kumbaro. Për të komentuar këtë situatë, i ftuar në studion e Report Tv është Bashkim Zeneli, diplomat i njohur e ish-ambasador i Shqipërisë në Greqi.

Sipas Zenelit marrëdhëniet me shtetin fqinjë janë në nivelin më të ulët ndërsa sipas tij, prania e ministrave Ditmir Bushati dhe Mirela Kumbaros ishte gabim dhe populizëm.

"Nuk ishte e nevojshme prania e ministrit Bushati dhe ministres Kumbaro në Kakavijë. Do ta konsideroja të gabuar e lëvizje populiste. Nuk ka pse shkojnë dy ministra për të zgjidhur punën e kompjutrave. Për të bërë telefonatën me Kotzias mund ta bënte nga Tirana.Besoj që Kotzias apo ndonjë ministër tjetër grek nuk do të vinte në Kapshticë. Është një veprim tejet i rëndë për mendimin tim. Në qoftë se ministrat do të mendonin se ka prapavijë politike nuk zgjidhet në këtë mënyrë", tha Zeneli.

Zeneli tha ndër të tjera se, sipas tij, kjo ngjarje nuk ka një prapavijë politike.

"Nuk mund të paragjykoj ngjarjet. Ne jemi në nivelin më të ulët të marrëdhënies në këto 25 vite. Nuk mund të them se ka prapavijë politike. Nuk besoj se për 14 apo 15 orë politika greke do të donte të na jepte një mesazh. Ka probleme mes palëve që duhen zgjidhur. Ka një ngërç. Marrëdhëniet në këtë nivel janë shumë të ulëta", u shpreh Zeneli. 

Zeneli argumenton se kjo çështje nuk duhet politizuar, por ajo që duhet bërë sipas ti, është dialogu për ti zgjidhur problemet, ku sipas tij është e rëndësishme mos të ngelemi peng i së kaluarës. Sipas tij mirëkuptimin dhe fqinjësinë e duan edhe dy popujt.

Nuk mendoj që duhet politizuar kjo çështje. Problemet kanë qenë edhe më parë. Është punuar edhe më parë për dialog për ti zgjidhur në frymë mirëkuptimi jo për të mbetur peng i së kaluarës. Po mbete peng i së kaluarës do të mbetesh në vend. Unë do të thosha që edhe këto probleme mund të zgjidhen, por gjuha është ashpërsuar shumë. Njerëzit kanë nevojë të dinë çfarë është bërë çfarë është arritur. Duhet rivendosur besimi mes dy vendeve. Jashtë këtij besimi me gjuhë populiste marrëdhëniet do mbesin në vend dh popujt nuk e duan këtë nivel të marrëdhënieve, ata duan fqinjësi.”, deklaroi ish-ambasadori Shqiptarë në Greqi.


Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com