TIRANE, 9 Gusht /ATSH/- Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea inspektoi të dielën Pikën e Kalimit kufitar të Kakavijës, në jug të vendit, ku mori kontakt me autoritetet e policisë kufitare me qëllim kqyrjen nga afër të zbatimit të masave për parandalimin e fenomenit abuziv të kërkimit të azilit në vendet e zonës Shengen.
Pas inspektimit, znj.Gjebrea pati një komunikim me gazetarët, ku theksoi dhe njëherë apelin për shtetasit shqiptarë që të heqin dorë nga aventura e kot e kërkimit të azilit në Gjermani apo vende të tjera të zonës Shengen, pasi "kjo mundësi nuk ekziston". Gjebrea nënvizoi se gjatë muajit gusht priten të riatdhesohen 5 avionë të mbushur me shtetas shqiptarë që kanë kërkuar azil në Gjermani apo vende të tjera të BE-së.
E pyetur mbi qëllimin e vizitës së saj në Kakavijë, për të dytën herë radhazi, znj. Gjebrea ju përgjigj se, kjo ishte një vizitë pune me drejtuesit e Policisë Kufitare për të parë proçedurat e punës, ashtu sikurse edhe bashkëpunimin me oficerët e Policisë federale gjermane, të cilët po mbështesin dhe asistojnë oficerët e policisë sonë kufitare.
Sigurisht u shpreh ajo, edhe për të bërë një apel për qytetarët shqiptarë për pjesën e azilit,që të mos ndërmarrin asnjë aventurë pikërisht për të kërkuar azil pasi kjo mundësi nuk ekziston. Është bërë shumë e qartë nga autoritet gjermane e po ashtu edhe nga autoritetet shqiptare: të gjithë qytetarët do të kthehen" tha znj.Gjebrea.
Duke u ndalur në forcimin e masave në të gjitha pikat e kalimit kufitar, znj. Gjerbera theksoi se, drejtues të lartë të policisë dhe të MPB vazhdojnë të kenë inspektime të rregullta në pikat e kalimit kufitar dhe si të tilla do të vazhdohen e do të intensifikohen gjatë këtij muaji. Është shumë e rëndësishme që proçedurat e intervistimit të bëhen konform të gjitha rregullave që ka marrëveshja e lirë në vendet Shengen, u shpreh ajo.
"Policia është shumë më vigjilente për sa u përket të gjithë mundësive për të kaluar në mënyrë të parregullt, abuzive dhe për të goditur dhe trafikantë, të cilët përfitojnë nga qytetarët duke i joshur me para, tha Zv/ministrja Gjebrea, ndersa shtoi se, nuk është cënim i të drejtave të njeriut, vijoi ajo, kur policia kufitare është e detyruar të kthejë personat, në qoftë se ai nuk ka të gjitha dokumentet e rregullta, të justifikuara, që do të thotë, vlera monetare, biletë vajtje-ardhjeje dhe ftesa e personit përkatës, në raste të një qëllimi për punë apo lëvizje turistike.e,xh/f.n/