Superliga shqiptare e futbollit është në përgatitje të raundit të gjashtë. Gjithçka nis të premte në orën 19:00, kur në 'Air Albania' të gjithë prozhektorët dhe vëmendja do jenë për derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës. Të dyja klubet e kanë nisur keq këtë sezon dhe kërkojnë një reagim në derbi. Si Partizani ashtu edhe Tirana vijnë nga humbjet e javës së shkuar, teksa renditjen në vendet e fundit të klasifikimit. Për trajnerët Milinkovic dhe Bordin ky është 'treni i fundit' për rezultate, në të kundërt masat mund të jenë edhe ekstreme.

E shtuna zbret në fushë katër skuadra. Në orën 15:30 në 'Selman Stërmasi' luhet dueli mes Dinamos dhe Flamurtarit. Nëse 'Blutë' e morën veten dhe fituan 1-2 në derbin kundër Tiranës, Flamurtari është në hall për shkak të pikëve, duke mos pasur asnjë fitore për vendin e parafundit. Nëse nuk ka një fitore, trajneri Carlos Garcia duket se i ka bërë gati valixhet dhe nga Vlora do largohet për në Barcelonë. Po të shtunën, në orën 19:00 luhet një sfidë interesante. Në 'Loro Boriçi' shkodranët e Vllaznisë presin kryesuesit e AF Elbasanit. Dueli vendos se cila skuadër do mbajë kreun.

Të diel në orën 14:00 në stadiumin e Laçit luhet Vora - Egnatia. Vorakët, debutues këtë sezon kanë shtatë pikë duke marrë dy fitore. Nga ana tjetër kampionët në fuqi duan të marrin fitoren e katërt radhazi. Epilogu i këtij raundi do jetë në Durrës, teksa në 'Niko Dovana' vendasit e Teutës do përballen kundër Bylisit në orën 17:00.

Superliga, raundi 6-të:

E premte, 3 tetor 2025

19:00 Partizani - Tirana

E shtunë, 4 tetor 2025

15:30 Dinamo - Flamurtari

19:00 Vllaznia - AF Elbasani

E diel, 5 tetor 2025

14:00 Vora - Egnatia

17:00 Teuta - Bylis

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:00
Partizani 'merr frymë' para derbit, rikthehet Skuka

Partizani ka marrë një lajm të rëndësishëm në prag të derbit të madh kundër Tiranës. Sulmuesi dhe kapiteni Xhuliano Skuka është rikthyer në stërvitje dhe pritet të jetë i gatshëm për sfidën që do të luhet të premten në orën 19:00, në “Air Albania”.

27-vjeçari ka lënë pas problemet fizike që e mbajtën jashtë në ndeshjet e fundit, duke kryer një seancë të plotë me skuadrën. Rikthimi i tij i jep më shumë alternativa trajnerit të 'Demave' për përballjen ndaj rivalëve bardheblu.