Ministria e Financave ka paraqitur javën e kaluar pranë Prokurorisë së Tiranës një kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Financave, z.Ridvan Bode dhe ish- zëvendësministrit të  Financave, z.Sherefedin Shehu, për shkelje të rënda në procedurat e marrjes së kredisë tregtare nga kreditorë privatë të tregut ndërkombëtarë në vlerën 250 milionë euro për financimin e investimeve kapitale.
 
I gjithë procesi është kryer në shkelje të ligjit nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”.

Përzgjedhja e fituesit është kryer në kushte të pabarabarta dhe jo transparente, duke favorizuar një ofertues kundrejt të tjerëve, dhe duke kryer vlerësim të pabarabartë të ofertave, konkurrim të pandershëm nëpërmjet kritereve të ndryshuara nga ato të shpallurat, por të panjoftuara paraprakisht ofertuesve, si dhe të paargumentuara me dokument.
 
Jo vetëm vlerësimi i ofertave, por dhe procesi është i padokumentuar, i pabarabartë, jo transparent dhe në shkelje të kërkesave të legjislacionit në fuqi. Kriteret janë ndryshuar gjatë procesit të vlerësimit të ofertave, pasi është konstatuar se ofertuesi i preferuar kishte paraqitur borxhin më të shtrenjtë nga gjithë të tjerët. Përveçse një borxh shumë i shtrenjtë me kosto reale rreth 13.3%, si pasojë e veprimeve të mësipërme dhe duke blerë borxhin më të shtrenjtë midis gjithë ofertave të paraqitura, i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerën 60 milionë Euro.