Shtabi Elektoral i kandidatit të ASHE për Bashkinë Dibër e ka cilësuar kallëzimin e PD në prokurori ndaj një grupi që e quante "kriminal" si një alibi justifikuese të disfatës elektorale. PD pretendon se koalicioni i majtë po bën përpjekje për të cenuar votën e lirë në Dibër dhe po shantazhon qytetarët.

Shtabi elektoral i kandidatit Muharem Rama deklaron se PD, e përfshirë në ethet e humbjes së pritshme në zgjedhjet e pjesshme të 11 Shtatorit për kreun e Bashkisë së Dibrës, është angazhuar intensivisht në një skemë për të krijuar alibinë justifikuese të disfatës elektorale.

Shtabi elektoral i kandidatit të majtë thekson se PD synon të baltosë procesin zgjedhor dhe hedh poshtë me neveri kallëzimin e PD, duke e cilësuar kretësisht si të pavërtetë.

Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” hedh poshtë me neveri përmbajtjen e këtij kallëzimi penal duke e cilësuar krejtësisht të pavërtetë dhe me synime të paracaktuara politike. 
Gjejmë rastin ti kujtojmë opinionit publik, se kjo tentativë e Partisë Demokratike për të baltosur zgjedhjet vjen në një kohë kur deputetët, aleatët dhe ish-zyrtarët e saj kanë zbarkuar në Bashkinë Dibër, në përpjekjen për të intimiduar zgjedhësit dhe tjetërsuar vullnetin e tyre të lirë. Në realitet, ata po fyejnë popullin e Dibrës duke vulosur humbjen e tyre të sigurtë në zgjedhjet e 11 Shtatorit
”, thuhet në deklaratën e shtabit të majtë Dibër.

Në deklaratën e shtabit të majtë thuhet se Basha ka kërcënuar punonjësit e administatës publike. Shtabi elektoral i Muharem Ramës akuzon edhe kryebashkiakun e Kamzës si të përfshirë në skemën e PD. Në deklaratë thuhet se Xhelal Mziu ka kërcënuar më prishjen e shtëpive të dibranëve që jetojnë në Kamzë.

Qytetarët e Dibrës, prej dy javësh kanë patur rastin të ndeshen me kërcënimet e ushtruara ndaj tyre në mënyrë të vazhdueshme. Në krye të kërcënimeve është vënë edhe vet kreu i opozitës Lulzim Basha i cili përveç aktivizimit në terren nuk ka hezituar të kërcënojë punonjësit e administratës publike përmes telefonatave e mesazheve. 
Në këtë skemë është përfshirë fuqishëm edhe kryetari në detyrë i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu, person me precedent penal dhe i njohur për përdorimin e administratës në funksion të fushatave elektorale të Partisë demokratike. Ai është angazhuar intensivisht në Zall Dardhë, Reç dhe Lurë. Ekzistojnë dëshmi të qytetarëve të kërcënuar prej tij me prishjen e shtëpive të familjarëve që jetojnë në Kamzë ashtu sikurse përpjekjet për tu tjetërsuar vullnetin politik
”, thuhet në deklaratën e Shtabit Elektoral të Majtë në Dibër.

Arben Ristani, Edi Paloka dhe përfaqësues të tjerë të PD ushtrojnë presion ndaj zgjedhësve në Dibër thuhet në deklaratën e shtabit të kandidatit Muharem Rama.

Të njëjtin angazhim në terren duke ushtruar presion ndaj zgjedhësve vazhdojnë të kenë edhe personazhe të tjera si Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, ish-zv.ministri i Brendshëm Genti Strazimiri, ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj dhe Luçiano Boçi. Ish-ministri i Brendshem Flamur Noka po ushtron presion në Maqellarë ndërsa ish-ministri i Ekonomisë Florion Mima në Sllovë. Gjithashtu, ish-ministri i Bujqësisë Jemin Gjana është duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi zgjedhësit e njësisë së Kaladë së Dodës dhe ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami në Lurë. Këtij angazhimi kriminal nuk i kanë shpëtuar as figura të tjera problematike në të shkuarën e tyre si ish-drejtori i Përgjithshëm i Doganave Flamur Gjymyshka e ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Xhemal Gjunkshi”, mbyll deklaratën Shtabi Elektoral i kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë Dibër

Shtabi elektoral i kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dënon çdo akt presioni, shantazhi dhe tentative për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve të Dibrës. 

Njëkohësisht, shtabi i majtë i kërkon organit të akuzës që të hetojë menjëherë dhe imtësisht çdo tentativë presioni e shantazhi ndaj zgjedhësve dhe çdo skemë për të baltosur procesin zgjedhor të 11 Shtatorit.  

Shtabi i majtë i bën thirrje PD të braktisë skenarin e saj të krijimit të alibisë së humbjes dhe të kontribuojnë që fushata zgjedhore të mbyllet e qetë e pa incidente.

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com