Kalojnë ministrat, Berisha PS-së
"Minorancë e nisët, ashtu e sosët"

Kalojnë ministrat, Berisha PS-së <br />
TIRANE - Me votat e mazhorancës dhe të 3 deputetë të larguar nga PS, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot katër emrat e rinj të ministrave, të cilët zëvendësojnë vendet e lëna bosh në kabinetin qeveritar, pas largimit të LSI-së nga koalicioni. Lëvizja Socialiste për Integrim, ashtu siç edhe deklaroi mëngjesin e sotëm, abstenoi për këto emërime, ndërkohë që votave të Partisë Demokratike iu bashkuan edhe të tre ish-deputetëve socialistë, Gjovalin Kadelit, deputet i qarkut të Lezhës, Asllan Dogjanit, deputet i qarkut të Kukësit, dhe Kastriot Islamit, të cilët pas bashkëpunimit të ri me LSI-në, u larguan nga Partia Socialiste. 

Menjëherë pasi Parlamenti miratoi emërimet e Berishës, të dorëzuara mbrëmë në Presidencë dhe të dekretuara në kohë rekord nga kreu i Shtetit, Bujar Nishani, (rreth orës 23:30), shefi i mazhorancës u shpreh se nuk u realizua përpjekja e Edi Ramës për të shkuar në qeveri teknike.

“Ju përmbysët një përpjekje primitive të Edvin Ramës për të shkuar në qeveri teknike në të cilën dështoi. Zotërinj deputetë të Partisë Socialiste, minorancë e nisët, minorancë e sosët, minorancë do të mbeteni. Urime!

Topalli: "Urime qeverisë së re, ministrave të rinj, mbyllet seanca". Me këto fjalë u mbyll seanca e sotme, e para pas largimit të LSI-së nga qeverie dhe bashkimit të saj në koalicionin parazgjedhor opozitar me socialistët.

Ilir Meta, i cili ka qenë aleat i qeverisë Berisha prej shtatorit të vitit 2009, deklaroi për mediat se LSI e ka filluar ditën e sotme si një forcë në opozitë, duke iu referuar këtu qëndrimit të kësaj force politike për emrat e rinj të kabinetit qeveritar, që zëvendësuan 3 ministrat e larguar nga LSI. Meta nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme plenare. Ndërkohë që kryetari i Grupit LSI-së, Lefter Koka deklaroi para fillimit të seancës plenare se do të abstenonin emrat.

EMERIMET E MINISTRAVE

Myqerem Tafaj (ministër i Arsimit) emërohet zv/kryeministër: 72 vota pro; 59 kundër; 3 abstenim
Halim Kosova emërohet Ministër i Shëndetësisë: 72 vota pro; 58 kundër; 3 abstenim
Aldo Bumçi (lë Ministrinë e Kulturës) emërohet Ministër i Jashtëm: 72 vota pro; 59 kundër; 3 abstenim
Florion Mima emërohet minitër i Ekonomisë: 72 vota pro; 59 kundër; 3 abstenim
Visar Zhiti emërohet ministër i Kulturës: 72 vota pro; 57 kundër; 4 abstenim

Ndërkohë, pas votimit të 4 emrave të kabinetit qeveritar, ministrat e rinj betohen në një ceremoni të posaçme në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës.

BRAÇE PER KADELIN DHE DOGJANIN: JU KAM MIQ, POR VOTA JUAJ NUK JUSTIFIKOHET KURRE
“Mund të justifikohet me argumentat tuaja, qëndrimi kundër Edi Ramë, por nuk mund të justifikohet kurrë, me asgjë, vota juaj pro ministrave të Sali Berishës. Ky është gjykimi i socialisti Erion Braçe për dy miqtë e tij të PS-së, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani, të cilët votuan ministrat e rinj të qeverisë “Berisha”.
Në një shënim të postuar sot në Fb, Braçe shkruan:
“Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani janë dy miq të mi. Kemi bërë beteja të përbashkëta gjatë 4 viteve më të vështirë të Kuvendit e të PS-së në Kuvend. Të dy sakrifikuan më shumë se unë kur vendosën të hyjnë në grevë urie për votën, votën e lirë, timen, tënden, tuajën, tonën.

Iu kam dhënë të drejtë në atë që është konsumuar me ta dhe ndaj tyre, veçmas në çështjen e rikandidimit të tyre. (Për mua jo parimore, jo statutore, jo transparente, e padobishme)

Por, ua kam thënë gjatë këtyre ditëve dhe ua thashë edhe sot:

Mund të justifikohet me argumentat tuaja, qëndrimi kundër Edi Ramës, por nuk mund të justifikohet kurrë, me asgjë, vota juaj pro ministrave të Sali Berishës. NUk e pranon nga asnjë socialist këtë. Do ta refuzoj gjithnjë dhe ndaj kujtdo që do ta bëjë, qoftë edhe miku im"- përfundon Braçe.

TOPALLI: DO HEDH NE VOTIM 3 LIGJET, UROJ QE META TA KETE IMPONUAR RAMEN
Ora 11:55 Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se do të hedhë në votim 3 ligjet. “Urojmë që Meta ta ketë imponuar Ramën për t’i votuar”, - u shpreh ajo.

Më tej kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi kërkoi të merreshin 5 minuta pushim, duke u shprehur : “Duhet të vijë i zoti i punës”, por pa sqaruar konkretisht se për cilin bëhej fjalë, për kryeministrin Berisha apo për vetë kreun e LSI-së, i cili gjithashtu nuk ishte i pranishëm në seancë.

LSI: DO ABSTENOJME
Ora 11:23 
Kryetari i Grupit LSI-së Lefter Koka deklaroi se do të abstenojë emrat e rinj të qeverisë Berisha.  ”LSi do të shohë të gjitha pr/vendimet dhe dekretet e Nishanit. Besoj se vendimi i LSI-së është abstenim. Shumë shpejt dhe 3 ligjet, që kanë ngelur pezull shumë shpejt do të votohen. Shumë gjëra do jenë pjesë e marrëveshjes përfshi dhe tre ligjet”- komentoi Lefter Koka në një prononcim për gazetarët.

IDRIZI: KOALICON ME KEDO QE MIRATON REZOLUTEN CAME
Ora 11:20 Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në një deklaratë për mediat tha se kjo forcë politike do të bëjë koalicion me këdo që është pro rezolutës për shqiptarët e Çamërisë dhe se vendimi për koalicion do të merret pas miratimit të saj.

MALAJ: PAS MIRATIMIT TE 3 LIGJEVE, SFIDA JANE ZGJEDHJET
Ora 11:00 Deputeti socialist, Arben Malaj tha në një prononcim për mediat para fillimit të seancës gjyqësore, se “votimi i 3 ligjeve, marrja e statusit të vendit kandidat është detyrim i politikës shqiptare ndaj shqiptarëve”.  Ai theksoi se e rëndësishme është që pas vullnetit për të votuar 3 ligjet, do të ketë një sfidë të re, që sipas tij janë zgjedhjet”.

Ndërsa i pyetur për qëndrimin e sociliastëve ndaj emërimeve të Berishës për zëvendësimin e ministrave të LSI-së, Malaj tha se “sfida që kemi përballë është shumë më e madhe se emrat që do të zgjidhen thjesht për disa muaj. Duhet rimëkëmbje”.

META: SOT E FILLOJME DITEN SI OPOZITARE
Ora 10:30 Në një konferencë të përbashkët për shtyp që zhvilloi pas takimit me zëvendëspresidentin e Parë të Parlamentit Evropian, Gianni Pittella mbi koalicionin më të ri parazgjedhor PS-LSI, Meta ritheksoi për të disatën herë se angazhim kryesor i partisë së tij, edhe si pjesë e koalicionit, do të jetë përshpejtimi i procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“LSI e ka filluar ditën e sotme si një forcë në opozitë, por gjithnjë me angazhimin kryesor për t’i kontribuuar stabilitetit të vendit dhe në mënyrë të veçantë përshpejtimit të integrimit. Dua të shpreh bindjen time se do të bëjmë të gjitha përpjekjet që procesi i intergimit evropain të marrë një nxitje të re brenda këtij mandati të këtij parlamenti,dhe besoj se ekzistojnë të gjitha mundësirtë”, u shpreh Meta, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës me përfaqësuesin e grupit socialist në Parlamentin Evropian, Gianni Pittella, pas takimit privat që zhvilloi me të.

AHMETAJ: ME 24 QERSHOR QEVERIA BERISHA ËSHTË E IKUR Ora 10:27 Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj i pyetur nëse do të votojë emrat e rinj të ministrave tha “s’ka rëndësi për një vend një minister, këta më 24 qershor janë të ikur. Më 23 qershor me fitoren e opozitës dhe koalicionit të madh do hapet një rrugë e re për integrimin europian”
I pyetur nga gazetarja e TVA1 REPORT, Joniada Koçi nëse do votojnë 3 ligjet Ahmetaj u përgjigj:

“Ju e dini mirë që nuk është çështje ligjesh, por çështje e zbatimit. Më 23 qershor nis një rrugë e re edhe për ligjet e integrimit “

PBDNJ: DO VOTOJME KUNDER MINISTRAVE, S'KEMI VENDOSUR ENDE PER KOALICIONIN
Ora 10:20 PBDNJ do të votojë kundër ministrave të rinj të kabinetit qeveritar pa LSI-në. “PBDNJ mbetet konseguente ndaj qëndrimeve opozitare ndaj kësaj qeverie të dështuar. Do votojmë kundër. Një votë pozitive për këtë qeveri do të jetë vetëm për 3 ligjet e integrimit.”  Kryetari i PBDNJ-së tha se ka kohë për të vendosur se me cilin koalicion do të bashkohet. Në një prononcim për median jashtë parlamentit Dule tha: “Nuk e kemi marrë ende këtë vendim kemi kohën e duhur politike për të konsoliduar qëndrimet tona politike”

MAJKO: JEPNI DEKORATA DERI ME 13 QERSHOR. TOPALLI: DO JEM DHE MANDATIN TJETER

Ora 10:15 Replika mes deputetit të PS-së Pandeli Majko dhe kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli. Replika nisi kur në Kuvend do të diskutohej “Pr/ligj për dekoratat dhe titujt e nderit”

Majko: “Nuk është ditë e bukur për të kujtuar datat e dekoratat. Nuk është një ditë e shënuar për të folur. Jemi dakord me pr/ligjin. Në thelb është rutinë sipas parimit më mirë të jetë sesa të mos jetë. Juve deri më 23 qershor do keni të drejtë të jepni dekorata”.

Topalli:
Në mandatin e ardhshëm nuk do jem vetëm unë që jap dekoratat, por do merret në këtë Parlament. Por bashkë do e bëjmë.”

DJE,  EMERIMET DHE DEKRETIMET, PER DY ORE

3 Prill, ora 23:30 PRESIDENTI NISHANI DEKRETON MINISTRAT E RINJ

Presidenti Nishani i ka dekretuar brenda kësaj mbrëmjeje, emrat e rinj të propozuar nga kryeministri Berisha. Të djathtët nuk kanë humbur asnjë ditë kohë për të plotësuar vendet bosh në Qeveri, pasi, siç e deklaroi vetë Berisha sot, më shumë se asnjëherë, vendit nëkëto momente i duhet një qeveri efiçente.

3 Prill, ora 21:30  BERISHA: SAPO I PROPOZOVA PRESIDENTIT, 4 NJEREZ TE SHKELQYER
"Sonte une i propozova Presidentit te Republikes 4 personalitete", - shkruan Berisha në Fb, - "njerez te shkelqyer, profesioniste te nivelit te larte ne fushen e tyre dhe gjeresisht te respektuar nga opinioni publik.

Prof. dr. Myqerem Tafaj, ideatori i programit dhe i reformave te medha dhe te suksesshme te arsimit dha shkences tek ne, dhe njerin nga bashkepunetoret e mij me te afte dhe nje personalitet i shquar i botes akademike brenda dhe jashte vendit per Zevendes kryeminister dhe Minister i Arsimit dhe Shkences.

Dr. Halim Kosova eshte nje mjek i shkelqyer me karriere mbi 30 vjecare, i pakorruptuar dhe menaxher novator me suksese te vleresuara nderkombetarisht ne mire-menaxhimin e Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Mbreteresha Geraldine” te Tiranes. Veshtire te kete nje zgjedhje me te mire per permiresimin e cilesise se sherbimit mjekesor ne vend. I paangazhuar me pare ne politike, perkushtimi i tij eshte mirenjohur nga te gjithe pacientet e tij.

Poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti eshte miku i afert i artisteve, autor i shume librave, disa prej te cilave jane vleresuar dhe me çmime nderkombetare. Perfaqesues i elites kulturore te persekutuar te kombit nga regjimi komunist. Ish i burgosur Iifjales se lire, i denuar me 13 vite burg, ka ndjeshmerine, vemendjen dhe perkushtimin per trashegimine kulturore dhe per te pergatitur sezonin e ri turistik.

Ekonomisti Florian Mima eshte ideatori i shume reformave per lehtesimin e taksave per qytetaret dhe biznesin. Me nje eksperince te pasur edhe nderkombetare ne reformat ekonomike dhe fiskale. Qytetar shembullor i Tiranes me kontribut familjar ne historine e kryeqytetit. Bashkepunetor i çmuar si zv.minister dhe deputet. Ai eshte nje punetor i palodhur dhe me vullnet te palekundur per zbatimin e programit te PD per hapjen e vendeve te reja te punes dhe paga me te mira. Kam bindjen se te tre keta personalitete do punojne me perkushtim per nevojat e qytetareve", - përfundon ai.
 
Ndërkohë që pritet të largohen dhe zv.ministrat e LSI përkatësisht Klajda Gjosha tek Ministria e Punës, Sokol Dervishi te METE, Nora Malaj te Ministria e Arsimit, Ylli Manjani te Transportet, Selim Belortaja te diplomacia, Edmond Hoxha te Integrimi dhe Tokli K. Thomaj te Bujqësia. Ndërkohë me përjashtim të emërimit dje të zv.ministrit të ri të Shëndetësisë, Bardh Spahia, kreu i qeverisë pritet që në mbledhjen e ardhshme të emërojë dhe zv.ministrat e tjerë zëvendësues të përfaqësuesve të tërhequr të LSI.

Zv.ministrat që ikin

Klajda Gjosha - Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
Sokol Dervishi - Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës
Nora Malaj - Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Ylli Manjani - Ministria e Punëve të Jashtme
Selim Belortaja - Ministria e Punëve të Jashtme
Edmond Hoxha - Ministria e Integrimit
Tokli K. Thomaj - Ministria e Bujqësisë e Ushqimit

Lajmi u publikua fillimisht dje dhe u përditësua më 13:15

Redaksia online
(Gre.M/s.g/ar.sh/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!