Propozimi që investitorët strategjikë të ndërtojnë edhe porte turistike pa iu nënshtruar procedurës së koncesionit kaloi në kuvendin e Shqipërisë me votat e socialistëve, ndërsa opozita e kundërshtoi në bllok këtë propozim duke e cilësuar si një draft të porositur. Ligji u mirtua me 76 vota socialistësh.

***

Një propozim i deputetes së re socialiste Zamira Sinaj për portet turistike u kthye në mollë sherri disa orëshe mes palëve në Kuvend.

Mazhoranca mbrojti ligjin me kreun e Grupit Parlamentar Taulant Balla që argumentoi se nisma do t’i japë një frymë tjetër turizmit.

Në kundërpërgjigje shefi i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e cilësoi ligj me porosi draftin, që sipas tij i shërben vetëm biznesmenëve të lidhur me qeverinë.

Propozuesja socialiste e mbrojti ligjin, i cili sipas saj ka për qëllim thjesht lehtësimin e procedurave.

Aktualisht, ligji për portet turistike, parashikon se ndërtimi i tyre bëhet vetëm përmes procedurës së koncesionit. Me ndryshimin e propozuar, për ata që kanë statusin e investitorit Strategjik krijohet mundësia që mos i nënshtrohen këtij detyrimi.

Përmes koncesionit, privati e ndërton me paratë e veta, por pas disa vitesh investimi, në këtë rast porti, i kthehet shtetit. Me këtë ndryshim ligjor, porti turistik duket se i mbetet si pronë përjetësisht privatit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:11
‘Portet turistike’/ Bardhi akuza mazhorancës: Ligj për interes të 3-4 personave! Triporti i Vlorës rezulton të ketë pronar një pensionist, Aeroporti i Kukësit përdoret për gara me makina

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka hedhur akuza të forta për korrupsion ndaj Qeverisë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi tha se projektligji për portet turistike, i propozuar nga deputetja socialiste e Vlorës, Zamira Sina, i shërben interesave të 3-4 personave.

Ai tha gjithashtu se investimet strategjike janë tendera të dhëna pa garë nga Qeveria, teksa shtoi se aeroporti i Kukësit ka dalë jashtë funksionit, ndërsa Triporti i Vlorës është në pronësi të një pensionisti (që s’ka asnjë lidhje me projektin).

“Akti i parë që deputetja juaj e re bën në seancën plenare, nuk është si një ligj që zgjidh hallet tuaja. Ka hallin e 2-3 individëve, sepse unë nuk di më shumë njerëz që mund të kenë interes për të ndërtuar porte turistike. Dhe akti i parë, ligji i parë që sjell në Kuvend, është një ligj për dy veta. Sot zonja ngriti kartonin e kuq, votoi kundër ligjit për të lehtësuar barrën fiskale dhe për të ulur çmimin e naftës.

Dhe është e njëjta shumicë që kur bëhet fjalë për të ulur çmimin e naftës për jahtet, ngrenë kartonin jeshil, ndërsa kur bëhet fjalë për uljen e çmimit të naftës për qytetarët dhe fermerët, ngrenë kartonin e kuq. Dhe na thonë ne ‘pse votoni kundër’. Sigurisht që do të votojmë kundër, sepse ne nuk jemi këtu për të përfaqësuar interesat e 5 individëve.

Kur miratuat ligjin për investimet strategjike në 2015, i premtuat qytetarëve shqiptarë se do të lehtësonit procedurat për të thithur investimet e huaja. Na thoni pak sa investime të huaja keni thithur nga zbatimi i ligjit për investimet strategjike. Ju na thoni ne ‘hajdeni në Kuvend dhe votoni ligj për Olta Xhaçkën dhe Pëllumb Gjokën. Ndërsa ne kemi propozuar 18 ligje, të gjitha në interes të qytetarëve shqiptarë.

Po si ka mundësi që ju e quani luftën kundër korrupsionit si luftë klasash? Ju çdo projekt që lidhet me aeroportet dhe portet, e keni paracaktuar. Aeroportin e Kukësit pa garë, ka dalë jashtë funksionit. Gjithë ai investimet përdoret nga çunat e Kukësit që bëjnë gara me makina me njëri-tjetrin. Portin e Vlorës, pa garë, të përcaktuar. Vetëm javën e kaluar u morën në ndjekje penale një pjesë e zyrtarëve të përfshirë në këto procedura. Ç’keni bërë me Triportin në Vlorë? Sot pronari është një pensionist që nuk ka lidhje fare me projektin. Në s’jemi kundër zhvillimit, por këto projekte duhen dhënë me garë”, tha mes të tjerash Bardhi.

Ora 16:17
Porti i ri i Durrësit/ Bylybashki: Banorët e shpronësuar fituan në gjykatë vlerësimin 115 euro/metër katror, nga 5.5 euro/metër katror që i dhatë ju

Deputeti Oerd Bylykbashi tha se sot gjykata ka vendosur vlerën e kompensimit të tokës private të shpronësuar për interes të ndërtimit të portit të ri të Durrësit, 115 euro/metër katror, nga 5.5 euro/metër katror që autoritetet kishin caktuar si vlerë.

“Nga 500 hektarë që ndërtohet, kismet, Port i ri i Durrësit, 400 janë shtet, 100 janë privat. Shteti ia ka caktuar vlerën e shpronësimit, 5.5 euro/metër katror. Kanë fituar gjyqet në gjykatë sot. Gjykata ka vendosur që vlen metri 115 euro”,- tha Bylykbashi.

Ligjvënësi demokrat tha se ndërtimi i porti të ri në Durrës, do të shkaktonte një disavantazh të madh strategjik dhe ekonomik për vendin në rajon.

“Deri sa të ndodhë, nësë do të ndërhohet porti tjetër, më të gjithë infrasktruturët që ky sot ka, do të kalojnë të paktën një dekadë, derisa të jetë e nevojshme që të kalojnë atje, dhe do duhen 3-5 vjet për kompanitë shqiptare që të lidhin dhe njëherë interesat që ta kalojnë nga port i Durrësit. Pra një dekadë e më shumë humbje e rëndësisë strategjike, dhe çfarë ndodh, të gjitëh interesat e transporteve të çdo llojh forme, përfshirë dhe ushtarake, do të spostohen drejt Tivarit dhe Selanikut”,- tha Bylykbashi.

Ora 15:27
‘Keni kriminalizuar ekonominë’, Ibrahimaj debat me Tabakun: Qeveria jonë ka rritur të ardhurat! Ndërhyn Bardhi: Mbylle gojën, e korruptuar (VIDEO)

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj është përplasur në debat me deputeten e PD Jorida Tabaku, pas fjalës së mbajtur në foltore nga kjo e fundit teksa u shpreh kundër projektligjit për procedurën e ndërtimit të porteve publike. Ibrahimaj i tha se është kjo qeveri që ka rritur të ardhurat në vend e ka zhvilluar sektorin e turizmit.

Ibrahimaj: Filozofia e qeverisjes që ju shani, është ajo që ka mbështetur sektorin e turizmit që të shumëfishojë numrin e turistëve dhe numrin e të ardhurave, vendet e punës dhe bizneset turistike. Është ajo filozofi që kur ka marrë mandatin ka performuar me rritje ekonomike. Është ajo filozofi që ka bërë që borxhi të reduktohet nga viti në vit. Është ajo filozofi që e sjell dhe këtë ligj që bën, redukton kohën e ofrimit të një shërbimi për biznesin. E pse një bizës ka interes që të zhvillojë një projekt që kategorizohet si investohet si investim strategjik ,duhet ta refuzojmë se duhet të bëjë një tjetër procedurë për marinë e një tjetër për investimin strategjik.

Tabaku iu përgjigj duke thënë se ligjet e ardhura nga mazhoranca favorizojnë oligarkët.

Tabaku: Ajo që unë thashë është që ky model ekonomik ka sjellë atë që filozofi qeverisë i ka bërë ekonomisë. Filozofia qeverisëse ka ulur bujqësinë më të ulët të mundshëm. Ka zhvlerësuar euron, ka kriminalizuar ekonominë. Miraton për 10 orë 17 VKM për inverenatorët e për 10 orë sjell ligje që mbrojnë interesat e oligarkëve. Ministrja të na thotë interesat e kujt mbron sot me ligjin e porteve turistike. Këto përrallat që vijnë me mesazhe jemi mësuar, kanë ikur e kanë ardhur të tjerë me radhë, siç do iki ministrja për tu mos u kthyer më kurrë.

Ibrahimaj: Unë në nder të pozicionit që mbaj, nuk angazhohem në debate që prekin personalisht një deputet, ministër apo individ në seancë. Më vjen zor që një deputete me një eksperiencë kaq të gjatë, bën aludime që janë të pavend. Ajo filozofi qeverisëse që ne kemi lënë pa punë mijëra njerëz, nuk janë të bazuara në fakte. Faktet tregojnë që papunësia ka rënë. Struktura e ekonomisë ka ndikuar që apo vende pune që janë me kosto të ulëta po transformohet në vend pune me paga më të larta.

Nga vendi ndërhyu dhe kreu i grupit të PD Gazment Bardhi: Mbylle gojën. Po flet deputetja, s’të ofendoi njeri. Dil jep llogari për pasurinë aty, e korruptuar. Dil jep llogari për fondet që i ke dhënë burrit tënd.

Tabaku: Ministrja të kërkojë ndjesë, kërcënime guxoni nuk guxoni nuk bën dot askush.

Ora 14:26
Pr.ligji për portet turistike, Braçe: Marinat duhet të mbeten pasuri publike, mjedisi të mos cenohet e siguria t’i besohet vetëm shtetit

 

Teksa po diskutohet për projektligjin për ndërtimin e porteve turistike, deputeti i PS Erion Braçe tha se turizmi në Shqipëri është në zhvillim e sipër. Ai kërkoi nga projektligji që portet të mbeten pasuri publike dhe jo t’i kalojnë privatin. Ai tha se nuk duhet të cenohet mjedisi e siguria duhet t’i besohet shtetit dhe jo privatit.

“Turizmi dega kryesore e ekonomisë. Çdo ironi që behët këtu apo çdo fjalë e thënë më shumë se duhet, patjetër që impakton ekonominë. Turizmi është një zhvillim i rëndësishëm. 70 vite më parë këtu nuk vinte kurrkush përveç atyre që ishte i partive marksiste-leniniste. Apo kur deri 30 vite më para, detin e kishim objekt lufte sa kohë niseshin anije me njerëz, e në bregun tjetër mbyteshin andej. Ca vite më tutje detin e bregun e kishim pikë kyçe për trafikun e armët. Turizmi ynë hë bërë konkurrues në rajon, askujt nuk i vjen mirë që ti shtohet në konkurrent apo ti marrë 100 mijë njerëz jo më 1 milionë njerëz. Është dega në rritje për shkak të numrit që është dhe ai i turistëve. Është shifër në rritje që i bën mirë vendit. Turizmi është në rritje dhe si shërbime. Qarkullimi vijon të jetë ose i qëndrueshëm ose në rritje. Është në rritje dhe si destinacion. Po ne vetëm vijën bregdetare kemi pasur destinacion, tani janë malet plot. Shikoni të ardhurat sesi po ndryshojnë. Është rritur dhe punësimi nga ky sektor. Edhe investimet në këtë degë janë shtuar. Patjetër që ligji duhet të garantojë barazi për çdo investitor. E dyta lidhet me ambientin dhe vija bregdetare është pasuri publike dhe duhet të mbetet e tillë deri në fund. Marinat detare i marrim si investim por duhet të mbeten pasuri e këtij vendi. Duhet plan se ku do të vendosen marinat detare. E fundit është siguria dhe kjo duhet të jetë e shtetit”, tha Braçe.