Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka paralajmëruar se PD do të votojë kundër miratimit në parim të pr.buxhetit të vitit 2027, në seancën plenare të së enjtes.

Në një konferencë për mediat, Bardhi e ka cilësuar buxhetin e vitit 2027 si buxhet i korrupsionit, jo i shqiptarëve.

“Ky buxhet është vetë Edi Rama. Një manovër diabolike që bën sikur ul taksat dhe bën sikur shpërndan mirëqenie, por realisht i rrit taksat dhe në fund, nuk lë më shumë para në xhepat e shqiptarëve. Shqiptarët nuk marrin më shumë para nga puna e tyre, sepse thelbi i këtij buxheti nuk është sa para do t’i mblidhen shqiptarëve: 8, 9 apo 10 miliardë. Thelbi është kush do t'i shpenzojë këto para dhe në xhepat e kujt do të përfundojnë. Protestat e studentëve, kërkesa për dorëheqje e Edi Ramës si i korruptuar tregojnë se shqiptarët e dinë përgjigjen: buxheti 2027 nuk është buxheti i tyre, por i korrupsionit. Buxheti i Edi Ramës me një dorë jep pak, me tjetrën merr akoma më shumë. Qershia mbi tortë e këtij buxheti diabolik që jep pak me një dorë dhe merr shumë me dorën tjetër të korruptuar të Edi Ramës, është futja në skemën e TVSH-së e bizneseve me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, përfshirë mijëra biznese të vogla dhe profesionistë të lirë”, tha mes të tjerash Bardhi.


Lajmi kryesor:

SPAK dërgoi për gjykim dosjen Balluku, Bardhi: Hetimet, gjysmake! Akuza Brahos: Ecën me opinionin e Ballës, refuzoi të dërgonte kërkesë të re në Kuvend për arrestimin e saj (VIDEO)