Në luftën mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po fillon të duket fituesi. Ai ndodhet në Pekin. Tre muaj krizë në Gjirin Persik kanë ngritur profilin diplomatik dhe kanë forcuar mjetet e presionit të kryeqytetit kinez ku po kalojnë shumë nga protagonistët e krizave të hapura. Nuk është vetëm Teherani që i kushton vëmendje Kinës, edhe pse kjo e fundit është klienti pothuajse ekskluziv i naftës së tij dhe furnizon Iranin me të gjitha teknologjitë thelbësore.
Rrjeti i kontakteve tani është më i gjerë dhe mbi të gjitha më i dukshëm. Javën e kaluar Donald Trump ishte në Kinë, mysafir i Xi Jinping. Këtë javë ishte radha e Vladimir Putin-it. Dhe dje nisi një vizitë tre-ditore në të njëjtat pallate pranë sheshit Tienanmen kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif, për të diskutuar edhe mbi krizën iraniane.
Rezultatet për Kinën po bëhen të prekshme. Të enjten sekretari i Marinës amerikane Hung Cao njoftoi në Kongres se Shtetet e Bashkuara do të vendosin “në pauzë” ndihmat ushtarake për Tajvanin. Cao (me origjinë nga Saigoni, djali i një zyrtari të qeverisë së shpërbërë të Vietnamit të Jugut) mban këtë post përkohësisht pas dorëheqjes së detyruar të paraardhësit John Phelan.
Në Kongres ai tha se SHBA-të për momentin do të ndalojnë dërgesat e armëve në Taipei, një paketë prej 11 miliardë dollarësh tashmë e miratuar plus një tjetër prej 14 miliardësh që është në shqyrtim “për të siguruar municione për operacionin Epic Fury (lufta me Iranin)”.
Dje, një burim i administratës i tha Reuters se motivi nuk ishte i saktë, por përmbajtja po. “Këto operacione zgjasin me vite dhe nuk lidhen me Epic Fury”, sqaroi ai. Cilado qoftë arsyeja, është një kthesë.
Në të kaluarën, liderët amerikanë gjithmonë kishin refuzuar të diskutonin me Kinën rreth garancive të sigurisë së Uashingtonit ndaj Tajvanit dhe detajeve përkatëse. Ndërsa tani jo vetëm që Trump pranoi që Xi ta ngrinte temën gjatë samitit javën e kaluar, por është e qartë se i lejoi liderit kinez të ushtronte një të drejtë vetoje de facto mbi furnizimet ushtarake amerikane për Taipei-n.
Shtëpia e Bardhë nuk kishte qenë kurrë kaq e ndikuar dhe nuk është rastësi që ndodh tani, kur presionet e Pekinit mbi Iranin shërbejnë për të gjetur një zgjidhje që i shpëton fytyrën Trump-it. Dobësia e tij u kuptua pas samitit kur ai i tha Fox News: “Kur shikon gjasat, Kina është një vend shumë, shumë i fuqishëm dhe ai (Tajvani) është një ishull i vogël. Është 59 milje nga bregu, ne jemi 9 mijë e 500 milje larg”.
Pavarësisht pasaktësisë (Tajvani është 81 milje nga Kina kontinentale) Shtëpia e Bardhë po fillon të heqë dorë nga ambiguiteti historik mbi reagimin e saj ndaj një agresioni kinez kundër Taipei-t. “Do të duhej të udhëtonim 9 mijë e 500 milje për të luftuar një luftë”, tha Trump për Fox News. “Nuk synoj këtë!”
Për SHBA-të, heqja dorë nga parandalimi mbi Tajvanin nuk do të ishte vetëm një kthesë. Do të ishte një rrezik sistemik: ishulli prodhon rreth 90% të gjysmëpërçuesve të avancuar për inteligjencën artificiale, të cilët kompanitë amerikane i projektojnë pa pasur kapacitetin për t’i realizuar. Kontrolli mbi ishullin do t’i jepte Xi-së një tjetër mjet shtrëngues mbi ekonominë ndërkombëtare, aq sa kontrolli aktual mbi elementët e rafinuar nga mineralet e rralla.
Sigurisht, të paktën para janarit 2028, kur në Tajvan mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, duket e pamundur që Xi të urdhërojë një sulm të hapur. Nëse do të fitonin nacionalistët e Kuomintang-ut, të favorshëm për një afrim me Pekinin, marrja e kontrollit de facto mund të ndodhte pa luftë.
Hong Kongu është një model: dy sisteme, një pushtet politik. Ndërkohë Xi mund të shfrytëzojë dobësinë dhe ngutjen e Trump-it, i cili ka nevojë për ndihmën e tij si për Ukrainën ashtu edhe për Iranin.
Presidenti amerikan do të donte të festonte 250-vjetorin e SHBA-ve më 4 korrik duke shpallur se ka përfunduar të dyja luftërat. Do të ishte trampolina e tij për zgjedhjet e mesmandatit në nëntor. Dhe askush nuk ka më shumë fuqi presioni mbi regjimin e Teheranit dhe mbi Putin-in sesa Xi.
Edhe Trump po përpiqet të masë fuqinë e tij. Me të njëjtin argument të përdorur në Kongres nga kreu i Marinës Huang Cao, domosdoshmëria për të ruajtur arsenalet, në këtë fazë Shtëpia e Bardhë po studion pezullimin edhe të shitjeve të kufizuara të armëve për qeveritë evropiane për Ukrainën, të mbajtura deri tani.
Kievi do të ishte më i ekspozuar ndaj presioneve amerikane për të pranuar një armëpushim edhe të pabarabartë dhe të rrezikshëm. Ashtu si Xi, edhe Putini nuk mund të kërkonte më mirë sesa një president amerikan i dobësuar nga një tjetër luftë e dështuar në Gjirin Persik.
Komente







