Pas pamjeve që tronditën mbarë opinionin publik, ku artistja shqiptare Parashqevi Simaku shfaqej në rrugë ku merrte ndihma, një tjetër video është bërë publike në rrjetet sociale nga një tjetër shqiptare. Simaku është filmuar nga një emigrante shqiptare në Nju Jork e cila ngul këmbë ta zbukurojë, duke i falur buzëkuqin e saj Dior, të përdorur nga vetë ajo.

Urojmë që pas kësaj videoje, të mos nisë "gjuetia" e emigrantëve të tjerë apo çdo shqiptari tjetër që gjendet në Nju York, për të bërë video "virale" me këngëtaren e cila dukshëm sot ndodhet në një gjendje të vështirë. 

Video tregon Simakun teksa flet pas shumë kohësh shqip, sikurse ajo shprehet vetë. Me një fisnikëri që nuk e ka humbur, ndjenjën e krenarisë dhe buzëqeshje, Simaku bisedon për disa minuta me shqiptaren. 

Simaku i premton bashkëatdhetares, e cila fatkeqësisht herë pas here duket bullizuese ndaj këngëtares, se do të ruajë kontaktet me të, përmes rrjetit social Facebook.

“Me ty për herë të parë që kam folur shqip, se kam harruar gjithë këto vite vetëm anglisht. Studiova anglisht dhe kur nuk komunikon”, dëgjohet ajo të thotë në video.

Simaku u rikthye në qendër të vëmendjes pas një video të një televizioni amerikan, në të cilën një grua e pastrehë shfaqet duke marrë ndihma.  Vetë familjarët e Simakut thanë ekskluzivisht për Report Tv se gruaja që shfaqej në video duke marrë ndihma ishte Simaku, të cilën prej vitesh e konsiderojnë të humbur pasi nuk kanë asnjë kontakt me të.

Artistja shumë e dashur për të gjithë iku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1992, e nga vështirësitë e nisjes së një jete të re në një vend të huaj, dramë që i la pasoja të rënda edhe në gjendjen e saj emocionale, u bë divorci me bashkëshortin amerikan që njohu atje dhe ndarja nga i biri. Pikërisht kjo disfatë në jetën e saj, e largoi pa gjurmë edhe nga familja.

Shumë shqiptarë janë ofruar për ta ndihmuar duke u solidarizuar për të rikthyer edhe një herë, mbase në vendin e saj ikonën Simaku, por ka dhe shumë nga ata që kërkojnë të bëjnë protagonistin me një video të bërë këngëtares, duke përfituar nga fisnikëria e dukshme e saj.  

Pjesë nga biseda

Parashqevi Simaku: Në Shqipëri, sepse ashtu si vajza juaj jeton…

Qytetarja: Duket si gjermane, bionde.

Parashqevi Simaku: Këtë po them, dukeni si ausitriakë, hungarezë, si nga Kostandinopoja

Qytetarja: Ti nuk beson që jemi shqiptarë?

Parashqevi Simaku: Aspak. Dua të them që ne shqiptarët jemi ajo që kemi mbetur nga Roma, Greqia, Perandoria austriake. Ndaj disa prej nesh kanë ardhur që nga koha e Skënderbeut. Ju e keni ruajtur traditën austro-hungareze.

Qytetarja: Do të jap një buzëkuq. Lyeji pak buzët e kuqe.

Parashqevi Simaku: Ata buzëqeshin, ata nuk njohin vuajtjen…

Parashqevi Simaku: Të lutem, mos u shqetëso.

Qytetarja: Lyeji, lyeji që të të shohë avokati si yll. Është e Dior. Të vijë avokati të të shohë si yll. Na do ta fal këtë, fute në xhep. Është e Dior.

Parashqevi Simaku: Të lutem, Të lutem.

Qytetarja: Fute në xhep edhe mos e çaj kokën. Me këtë i kam lyer buzët kur dola.

Parashqevi Simaku: Zoti të bekoftë.

Qytetarja: Kaq kisha për momentin, se po iki për punë dhe s’e dija.

Parashqevi Simaku: Të kam si motër, e kam shumë më të lehtë të flas Anglisht. Me ty për herë të parë kam folur shqip.

Qytetarja: Shumë bukur ke folur.

Parashqevi Simaku: E kam harruar gjithë këto vite, se vetëm studiova anglisht. Kam komunikuar anglisht.

Qytetarja: E di, ke bërë gjënë më të mirë. Por vetëm mos e dorëzu trurin, je akoma në maja. Për të gjithë trurin e njerëzve që e dinë që je këtu. Nuk duhet të rrëzohesh. Kurrë.

Parashqevi Simaku: Faleminderit, jam me fat që kam një mike si ty.

Qytetarja: Ku të të gjej unë ty? Nuk e kam as telefonin tënd. S’kam as adresën e shtëpisë tënde.

Parashqevi Simaku: Më shkruaj në Facebook. Kërko në Facebook tim dhe do të shohësh fotot e mia, familjen time gjithçka e kam aty.

Qytetarja: Në çfarë ore futesh në Facebook, në darkë?

Parashqevi Simaku: Nuk e bëj në moment, por…Por të premtoj, më shkruaj atje, më dërgo një kërkesë. Më lër kërkesën atje dhe do e shikoj.

Qytetarja: Do vij sërish, sa e bukur u bëre me buzëkuq. Se di ti sa e bukur u bëre!