Një 35-vjeçar u arrestua nga Policia e Tiranës, pasi vodhi një shumë parash në subjektin ku punonte.

35-vjeçari ishte i punësuar si kamarier në një lokal dhe arrestimi i tij, u krye pas denoncimit në polici të bërë nga menaxheri i lokalit.

Një pjesë e parave, të cilat iu gjendën gjatë kontrollit fizik, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë

Tiranë/Vijojnë goditjet ndaj krimeve kundër pronës, zbardhet dhe dokumentohet një rast vjedhjeje.

Kapet dhe vihet në pranga një 35-vjeçar, i cili vodhi shuma parash në subjektin ku ishte i punësuar.

Gjatë kontrollit fizik i gjendet dhe i sekuestrohet një pjesë e shumës së vjedhur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve, pas kallëzimit të bërë nga menaxheri i një lokali për vjedhje të shumave të parave në subjektin e tij, kanë organizuar menjëherë punën hetimore.

Si rezultat i një pune të mirëorganizuar dhe këqyrjes së pamjeve filmike, u identifikua dhe u arrestua shtetasi J. N., 35 vjeç, banues në Tiranë

Nga hetimet rezultoi se ky shtetas, ditën e djeshme, ka vjedhur shuma parash në subjektin ku ishte i punësuar si kamarier, një pjesë e të cilave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.