2 aksidente me vdekje kanë ndodhur ditën e sotme, njëri në Tiranë dhe një tjetër në Vlorë. Një kamion ka përplasur për vdekje një kalimtare në Astir kurse makina ka shtypur një 7 vjeçare në aksin rrugor Vlorë-Peshkëpi.
Rreth orës 12:00, në hyrje të rrugës "Abedin Rexha" në Astir mjeti me drejtues Petrit Rrapin 43 vjeç, ka aksidentuar një këmbësore rreth 60 vjeçe. Drejtuesi i mjetit po shoqërohet në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.2. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur rrethanat e plota të saj.
"Me datë 26.02.2021, rreth orës 12:00, në hyrje të rrugës "Abedin Rexha" mjeti me drejtues shtetasin P. Rr., 43 vjeç, ka aksidentuar një shtetase këmbësore, ende të paidentifikuar, rreth 60 vjeçe, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Drejtuesi i mjetit po shoqërohet në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.2, për veprime të metejshme hetimore. Vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes", thotë policia.
Mjeti përplas për vdekje 7 vjeçaren në aksin rrugor Vlorë-Peshkëpi.
"Në aksin rrugor Vlorë-Peshkëpi, mjeti me drejtues shtetasin E. Sh., ka aksidentuar shtetasen e mitur me iniciale A. C., 7 vjeçe, e cila për pasojë ka ndërruar jetë. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprime të mëtejshme. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit", njofton policia.