SHKODËR- Një aksident i rëndë rrugor shkaktoi 1 viktimë dhe 3 të plagosur në aksin Shkodër-Lezhë. Një kamion u përplas fillimisht me një autoveturë që drejtohej nga një burrë, dhe më tej me një makinë tjetër që drejtohej nga një grua.

Për pasojë ndërroi jetë Altin Luli 47 vjeç, shoferi i makinës elektrike prodhim i viteve të fundit BYD. Shkaqet ende po hetohen ndërsa për nxjerrjen e personave nga makinat ndërhynë dhe forcat zjarrfikëse. Nga pamjet që Report Tv sjell nga terreni në Beltojë pranë kryqëzimit në Kryebushatit, automjeti elektrik thuajse është shkatërruar plotësisht, ndërsa kamioni ka përfunduar i përmbysur në mes të rrugës. 

Tre të plagosurit, gruaja dhe dy fëmijët e mitur të viktimës, janë transportuar në spitalin e Shkodrës ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor, por raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

"U bë i mundur identifikimi i shtetasit A. L., 47 vjeç, i cili humbi jetën nga ky aksident. 3 pasagjerët e dëmtuar (bashkëshortja e shtetasit A. L. dhe dy fëmijët e tyre të mitur) janë dëguar për mjekim në Spitalin e Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën", njoftoi Policia e Shkodrës. 

Paraprakisht dyshohet që shkak për aksidentin të jetë bërë një parakalim i gabuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:06
Aksidenti në Shkodër-Bushat, Report Tv siguron foton e shoferit 47-vjeçari që humbi jetën tragjikisht

Report Tv ka siguruar foton e Altin Lulit, 47-vjeçarit që humbi jetën në aksidentin e rëndë rrugor që ndodhi këtë të hënë në aksin Shkodër-Lezhë.

47-vjeçari po udhëtonte së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, kur mjeti i tyre u përplas me një kamion.

Si pasojë e aksidentit, Altin Luli humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët, së bashku me disa pasagjerë të një makine tjetër që u plagosën dhe u dërguan për mjekim në Spitalin e Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën.