Ashtu siç pritej, Interi ishte sot për një vizitë të veçantë në Vatikan ku u prit nga Papa Leone XIV. Kampionët më të rinj të Italisë i dhuruan Atit të Shenjtë një fanellë zikaltër. Në fjalën e tij përballë skuadrës, Papa tha se sportistët janë një model për të rinjtë.
“Duhet reflektuar mbi eksperiencën e jetuar pasi ju duhet të jeni një model për të rinjtë”, vuri theksin Ati i Shenjtë.
Papa e vijoi fjalën e tij me urimin për titullin numër 21 të zikaltërve.
"Urime të gjithë ekipit, menaxherëve, trajnerëve dhe tifozëve e mbështetësve për këtë arritje. Ky është sigurisht një moment gëzimi i madh për ju dhe jam i kënaqur ta ndajmë së bashku. Është një qëllim i arritur falë përkushtimit të madh, punës në grup, disiplinës dhe këmbënguljes, të cilat i keni ruajtur si në ulje ashtu edhe në sukses, pa dekurajim apo dorëzim. Prandaj, ndërsa ju përgëzoj, ju ftoj të reflektoni mbi përvojën tuaj, në mënyrë që në këtë moment suksesi, të jeni bartës të një mesazhi që është veçanërisht i dobishëm për rritjen e të rinjve", tha Papa.
"Shumë prej tyre, në këto ditë, ju shohin si "heronjtë" e tyre, si modele për t'u ndjekur dhe kjo është një përgjegjësi që shkon përtej performancës dhe kërkon që ju, si atletë, të jeni dëshmitarë të vlerave. Shën Gjon Pali II, rreth tridhjetë e pesë vjet më parë, foli për këtë gjatë një takimi me përfaqësuesit e klubit tuaj.
Pasi kujtoi rolin e klubit si të rëndësishëm në historinë e futbollit italian, ai shtoi, duke iu drejtuar lojtarëve dhe menaxherëve: 'Sigurohuni që shumë njerëz të mund të njohin tek ju dhe në sjelljen tuaj autenticitetin dhe integritetin, në të gjitha rrethanat." (Fjalim drejtuar drejtuesve dhe lojtarëve të Interit, 16 shkurt 1991).
Këto janë fjalë që ndiej se duhet t'jua përsëris, duke ju përsëritur urimet e mia. Ju bekoj nga zemra ju dhe familjet tuaja dhe ju uroj gjithë të mirat", tha Papa Leone.
Zyrtarët e Interit i dhuruan Papës një fanellë zikaltër me numrin 10-të dhe emrin 'Leone XIV' mbi të.
Komente









