Të nxitur nga prezenca e kampionit të botës në Muay Thai, Jonathan Haggerty, rreth 120 sportistë nga vende të ndryshme të botës po marrin pjesë në aktivitetin e dedikuar këtij sporti në Vlorë. Ekipi i Flamurtarit, i quajtur ‘Lamai Muay Thai’, është organizatori i eventit, për këtë sport që po bëhet gjithmonë e më shumë popullorë në Shqipëri dhe që i dedikohet një prej disiplinave më të njohura të arteve marciale. Jonathan Haggerty e vlerëson shumë impenjimin e të rinjve shqiptarë në këtë sport.

“Jam i emocionuar që ndodhem këtu. Që të prezantoj aftësitë e Muay Thai dhe të ndihmojmë në rritjen e këtij sporti në Shqipëri, duke nisur me motivimin e luftëtarëve të rinj. Besoj se do të jetë diçka fantastike,”-u shpreh Jonathan Haggerty, kampion bote Muay Thai.

Dy sportistët vlonjatë, Stiv dhe Brus Jakupi, kampionë në arenën ndërkombëtare dhe tashmë trajnerë të ekipit të Flamurtarit, e cilësuan organizimin e këtij eventi si një moment të rëndësishëm për zhvillimin e Muay Thai në Shqipëri.

“Është një ditë e veçantë për mua, vëllain tim, Muay Thai Albania. Është një bashkëpunim i klubit të Flamurtarit. Sjellim kampionin e botës dhe është diçka shumë e madhe për sportin shqiptar. Po marrin pjesë nga e gjithë bota. Nga Tajlanda, Zvicra, çdo vend i Evropës dhe trevat shqiptare,”-tha Brus Jakupi, trajner i Muay Thai Vlorë

Për CEO-n e Muay Thai në botë sportistët shqiptarë dallohen për shpirtin luftarak.

“Kam 45 vite që merrem me këtë sport. drejtoj Federatën Evropiane dhe prej 35 vitesh bashkëpunoj me qeverinë tajlandeze për zhvillimin e këtij sporti. Shqipëria ka një potencial të madh. Luftëtarët shqiptarë kanë shpirt të jashtëzakonshëm dhe besoj se mund të ndërtojmë një ekip që të konkurrojë në arenën ndërkombëtare,”-deklaroi Ralph Beale, CEO Global i Lamai Muay Thai.

Prania e një kampioni bote si Jonathan Haggerty dhe e figurave drejtuese të Muay Thai në nivel ndërkombëtar e ktheu Vlorën në një pikë takimi për sportistët dhe të apasionuarit pas arteve marciale, duke promovuar jo vetëm sportin, por edhe qytetin si destinacion për aktivitete sportive ndërkombëtare.