“Shtëpia”, premiera më e re në skenën e Teatrit “Petro Marko” në qytetin e Vlorës, u shfaq mbrëmjen e së premtes. Me tekst, përshtatje dhe regji nga regjisori kosovar Naser Shatrolli, vepra solli për publikun vlonjat një shfaqje me emra të njohur të aktrimit vlonjat dhe atij shqiptar mes tyre Bujar Asqeriu, Vefi Redi, Roland Minga, Ermir Hoxhaj, Artan Islami e të tjerë.

Një rikthim i veçantë në këtë shfaqje është ai i aktores Vefi Redi, e cila pas shumë vitesh aktiviteti artistik në Greqi rikthehet në skenën shqiptare për të interpretuar për publikun e Vlorës. Pjesë e kastit është padyshim edhe Bujar Asqeriu, një nga emrat e njohur të artit vlonjat dhe atij shqiptar.

“Shtëpia” është një komedi alegorike, e cila në thelbin e saj trajton temën e shtëpisë duke prekur lidhjet filozofike dhe identitare mes emigracionit dhe vendlindjes. Vepra zhvillohet në kufijtë e farsës, satirës dhe komedisë, duke ndërthurur gjetje origjinale, humor dhe situata që synojnë të përcjellin argëtim për publikun.

Premiera është pritur me interes nga dashamirësit e teatrit në Vlorë, të cilët në përfundim të shfaqjes e kanë duartrokitur gjatë trupën artistike.

Pas shfaqjes, regjisori Naser Shatrolli është shprehur i lumtur për pritjen që ka marrë në Vlorë, duke theksuar se kjo ishte vizita e tij e parë në qytet dhe se përvoja e vënies në skenë të kësaj vepre kishte qenë e veçantë për të.

“Puna ka vazhduar për 40 ditë radhazi, me një ekip të madh dhe artistë të njohur, nga breza të ndryshëm. Jam mirënjohës për teatrin e qytetit të Vlorës dhe qytetarët për mikpritjen, afrimitetin dhe dashurinë e tyre. Është hera e parë që punoj në teatrin ‘Petro Marko’.”- ka shprehur Shatrolli.

Edhe për aktorët, kjo shfaqje kishte një domethënie të veçantë, pasi bëhej fjalë për një rikthim në skenën e qytetit të tyre, përballë një publiku që e vlerëson dhe e kërkon teatrin. Ata vlerësuan bashkëpunimin dhe pritjen e publikut vlonjat, duke e konsideruar premierën një përvojë të veçantë artistike. Një tjetër veçanti ishte fakti se të gjithë aktorët janë nga Vlora.

“Në këtë skenë u rrita dhe u zhvillova. Vjen një moment që kthehesh dhe emocionet janë të pandashme, aq më tepër pranë një publiku shumë të dashur, që më ka inkurajuar dhe më ka nxitur gjatë gjithë rrugëtimit tim krijues. Publiku i Vlorës jo vetëm që është artdashës, por është edhe kërkues."- ka theksuar aktori i njohur Bujar Asqeriu

Ndërkohë aktorja Vefi Redi u shpreh e emocionuar për rikthimin në skenën shqiptare pas shumë vitesh, duke e cilësuar një kënaqësi të veçantë bashkëpunimin me kolegët e saj të vjetër dhe të rinj.

“Ishte ëndërr të luaja me kolegët e mi të vjetër, me artistë të rinj dhe me Bujarin, me të cilin kam luajtur vite më parë. Është një kënaqësi e veçantë të kthehem pas shumë vitesh. Publiku vlonjat më ka munguar.”- tha aktorja.

Shfaqja “Shtëpia” do të vijojë të ngjitet në skenën e Teatrit “Petro Marko” edhe gjatë fundjavës, me dy shfaqje të tjera të shtunën dhe të dielën në mbrëmje, duke u dhënë mundësi artdashësve të Vlorës të ndjekin këtë premierë.