Kampioni shqiptar i Evropës në kick box, në organizatën ICF, Eri Lala, të dielën do të ketë një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës së deritanishme. Në eventin e quajtur Grushti i Hekurt që do të mbahet në pallatin e sportit Feti Borova, 18-vjeçari, do të përballet me kampionin turk Alparslan Balak në kategorinë 69 kilogramë.
“Do kem përballë një kundërshtar shumë të fortë, të përgatitur, por nuk është hera e parë që përballem me një kundërshtar kaq të fortë. Unë jam ndeshur shpesh herë me kundërshtarë të nivele botërore dhe ia kemi dalë shumë mirë për shkak të punës. Kundërshtari dhe strategjitë janë studiuar. Janë studiuar të gjithë teknikat dhe të dielën do jetë ndeshje e luftuar deri në frymën e fundit. Prisni vetëm fitoren,”-u shpreh sportisti.
Aktualisht student i drejtësisë, Eri Lala e ka nisur kick box që në moshën 9-vjeçare. Kundër turkut në Tiranë do të jetë ndeshja e 12 në karrierën profesioniste.
“Të ndeshem para publikut tim është emocion tepër i veçantë për shkak të mbështetjes moral dhe emocional që unë marr kur ndeshem. Nuk di ti zhgënjej aspak dhe do ti bëj të gjithë krenar, duke marrë një fitore të denjë dhe të luftuar,”-tha Lala.
Eventi i ‘Grushtit të Hekurt’ do të sjellë një sërë ndeshjesh spektakolare në ‘Feti Borova’, ndërsa vëmendjen do ta kenë edhe 10 përballjet që boksierët e ekipit tonë kombëtar do të ketë ndaj 10 boksierëve të përfaqësues së Zvicrës.
Komente








