Një kampus mbi 52 mijë metra katrorë, një shtëpi e drejtësisë ku do të strehohen gjykatat dhe prokuroritë kryesore të vendit, pritet të ndërtohet në hyrje të Tiranës. Duke filluar nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, ato të të dyja shkallëve të juridiksionit të përgjithshëm, administrative apo GJKKO, së bashku me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në Tiranë, parashikohet të akomodohen në një periudhë afatgjatë në hyrje të qytetit të Tiranës, në rrugën “Dritan Hoxha”.
Plani u prezantua këtë të enjte, në fazën fillestare pas komunikimet me gjykatat dhe prokuroritë për nevojat e tyre.
Projekti do të përfshijë sallat e gjyqeve, të përmasave të ndryshme, zyra pune për gjyqtarët dhe administratën, hapësira për publikun, parkim etj.
Në prezantimin e plan idesë, para se ajo t’i paraqitet arkitektëve për të bërë projektin, Kryeministri Rama shprehu vendosmërinë e qeverisë për investime që garantojnë standarde dhe pavarësi.
“Është padyshim investimi më i madh që mund të jetë bërë ndonjëherë për infrastrukturën administrative të Shqipërisë. Detyrat e juaja i dini ju, detyra jonë është që të vazhdojmë të mbështesim sistemin, që të funksionojë në standardet më të larta”, tha Rama.
Thumbimin e kishte që në fillim të fjalës së tij për drejtuesit e organeve të drejtësisë.
“Ne do ta bëjmë këtë sforco sepse për ne kjo është një përpjekje që nuk kthehet mbrapa pavarësisht surprizave që ju na bëni herë pas here.... ”, tha kreu i qeverisë.
“Ky është rasti ideal që të gjithë bashkë të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre”
Një pikëpyetje është se ku do të strehohen dy institucionet më të rëndësishme të drejtësisë, me Gjykatën e Lartë e cila tashmë e ka një godinë në ndërtim.
“Gjykata e Lartë dhe gjykata kushtetuese duhet të jenë godina të veçanta”, tha Sadushi.
“Kjo është diçka që do të duhet studiuar dhe finalizuar. Do të bëjmë më të mirën”, iu përgjigj Rama.
Shqetësimin e paraqitur nga Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela se ç’do bëhet me urgjencën për ambiente deri në ndërtimin e godinës së re, e cila do të kërkojë të paktën 5 vite, Kryeministri Rama tha se do gjenden zgjidhje provizore, ndërsa në rrethe qeveria ka një tjetër ide.
“Për rrethet do të bëjmë të njëjtin identifikim të nevojave, edhe jashtë Tiranës. Por jashtë Tiranës do të operojmë me mekanizmin e bashkëpunimit me sipërmarrjen”, vijoi Kryeministri.
Drejtësinë e kritikoi për përdorimin e dobët të teknologjisë, e cila tha se në botë po ndihmon shumë uljen e çështjeve si dhe të shpenzimeve, duke ua përmendur gjyqtarëve numrin e lartë të këshilltarëve dhe administratës.
“Kemi parë ca gjëra që nuk na duken normale. 9 këshilltarë, 270 njerëz. Është paksa shqetësuese kjo”, theksoi Rama.
Në aktivitetin e zhvilluar në Hotel Dajti ishin përfaqësues të të gjitha institucioneve të drejtësisë duke filluar nga KLGJ e KLP e deri te SPAK dhe GJKKO.
Gjatë prezantimit të programit për konkursin ndërkombëtar të Polit të ri të Drejtësisë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, tha se Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese duhet të jenë të veçanta dhe jo të bashkuara me të tjerat për shkak të rolit që kanë.
“Ajo që unë do të doja të theksoja, jo për faktin që jam në këtë detyrë, Gjykata e Lartë duhet të jetë një godinë e veçuar. Ne gradualisht po hyjmë në BE. Në asnjë vend të BE, Gjykata e Lartë nuk është e përfshirë me gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Jo për luks, jo për privilegj, por për shkak të funksionit që ka dhe seriozitetit që i jepet shtetit dhe imazhit. Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetutese duhet të jenë gjykata të veçanta”, u shpreh Sadushi.
Kryeministri Rama tha se kjo është një pikë e planit që do të mbetet për t’u diskutuar në vijim dhe nuk është përcaktuar ende në formë të prerë.
“Kjo është e vërtetë që ne e kemi vlerësuar në projekt në sistemin që fola më parë që duke vendosur në dispozicion një pjesë të tokës në zhvllim privat dhe duke kërkuar mbrapsht si pronar-shtet një pjesë të ndërtimit dhe kemi kaluar edhe lejen e ndërtimit për një godinë administrative që presupozohet të jetë Gjykata e Lartë. Në planin që patë, është një alternativë që Gjykata e Lartë të jetë aty, por është diçka që duhet diskutuar. Madje, po ta marrim nga pikëpamja financiare, hiqet një pjesë në shpenzimin e përgjithshëm sepse nuk shpenzojmë asnjë lek, por marrim mbrapsht hapësira për Gjykatën e Lartë. Është një gjë që do ta diskutojmë dhe do të bëjmë gjënë e duhur”, tha Rama.
Godina e re e Gjykatës së Lartë është projektuar të duket kështu:
Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë teksa vuri në dukje disa problematika në këtë sektor, nuk i kurseu as batutat.
“Është e qartë panorama e këtij rrugëtimi që kemi vendosur për t’i dhënë Shqipërisë një qendër e re drejtësie që të garantojë të gjitha kushtet dhe standardet për atë që punojnë aty. Po të kesh parasysh se në ça ndërtesash jemi formuar ne, jemi si ndërtime gjysmë pa leje dhe gjysmë me leje.
Është e rëndësishme që të bëjmë diçka që t’i rezistojë kohërave. Për fat të keq trashëgimia në këtë pjesë është goxha problemtike për të gjithë vetëm për sistemin e drejtësisë. Ne sot kemi një numër të konsiderueshëm institucionesh që janë qiramarrës në godina dhe hapësira private. Kemi nisur një proces që do të na çojë në zgjidhje përfundimtare me korporatën e investimeve duke marrë të gjitha pronat shtetërore dhe duke i vënë në dispozicion të këtij interesi publik.
Nuk ka asnjë shitje apo dorëzim të një copëze në favor të investitorëve privatë në Tiranë, por kërkojnë që shteti, njësoj si pronarët privatë, të përfitojë nga ato. Kemi disa projekte që janë drejt finalizimit të kontratave për të përfituar disa zyra dhe sipërfaqe. Për qendrën e re të drejtësisë mendoj se është më ndryshe. Sistemi duhet të funksionojë me kushtet dhe standardet më të larta. Ishim në një situatë të rëndë, ku çdo institucion bënte modelet e veta, sistemin e vetë”, tha Rama.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ishte i pranishëm në prezantimin e programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij Lamallari u shpreh se kampusi i drejtësisë është sipërmarrja më e stofistikuar arkitekturore dhe inxhinierike e realizuar ndonjëherë nga qeveria shqiptare.
“Sot është një ditë e veçantë që shënon momentin shpalosjes së vizionit të qeverisë shqiptare mbi të ardhmen e afërt arkitkturore dhe funksionale të infrastruturës gjyqësore në vend. Kampusi i drejtësisë është sipërmarrja më e stofistikuar arkitekturore dhe inxhinierike e realizuar ndonjëherë. Reforma në drejtësi ishte dhe mbetet programi më vizionar i kryeministrit dhe qeverisë shqiptare”, tha Lamallari.
Më tej ai vuri në dukje se pavarësia e gjyqësorit nuk mund të kuptohet pa llogaridhënie.
"Pavarësia nuk mund të kuptohet pa llogaridhënie. Përgjegjshmëria dhe efektiveti janë parakushtet e një sistemi nuk janë thjesht porta hyrëse në një sistem. Një sistem gjyqësor është po aq i pavarur sa i drejtë, këto janë parimet e një sistemi. Të mos presim pa fund për një vendim që prek jetën apo pronën e tjetrit. Detyra jonë është të kthejmë pritshmërinë e qytetarëve në realitet.
Drejtësia nuk është vetëm për këtë mandat apo për këtë brez, është për Shqipërinë që duam të lëmë pas. Të vazhdojmë të reformojmë, për ta vendosur drejtësinë shqiptare në nivel europian dhe për këtë angazhimi ynë mbetet i palëkundur”, shtoi Lamallari.
Komente












O sa mire! Kombinati i Drejtesise “EDVIN”
Përgjigju