Punimet për kampusin e ri për të miturit në konflikt me ligjin në Mëzez kanë arritur në rreth 70% dhe pritet të përfundojnë në nëntor 2026. Gjatë një vizite në terren, ministri i Drejtësisë Toni Gogu, i shoqëruar nga zëvendësministrja Elona Hoxha dhe drejtoresha e Qendrës për të Mitur Klaudia Hasanllari, pa nga afër ecurinë e projektit dhe diskutoi mbi mënyrën se si do të funksionojë kjo qendër.

Fokusi kryesor i këtij kampusi është ndryshimi i qasjes ndaj të miturve në konflikt me ligjin. Projekti parashikon një strukturë multidisiplinare, ku përfshihen edukimi, mbështetja psiko-sociale, programet e rehabilitimit dhe ndërhyrja në familje. Gogu theksoi se synimi është ndërhyrja sa më e hershme dhe efektive, për të shmangur izolimin si zgjidhje të parë dhe për të krijuar mundësi reale riintegrimi për të miturit.

Nga ana tjetër, Hasanllari u ndal te funksionimi konkret i programeve dhe bashkëpunimi mes institucioneve që do të shoqërojë trajtimin e rasteve. Ky projekt konsiderohet një ndër ndërhyrjet kryesore në kuadër të reformës për drejtësinë për të mitur dhe synon të krijojë një model funksional rehabilitimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare.