Kamsi, rrëfimi i 2009 për vëllimet
bibliografike të revistave të famshme

Kamsi, rrëfimi i 2009 për vëllimet<br />bibliografike të revistave të famshme
Ish-ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan, Willy Kamsi ndërroi jetë dje në mëngjes, në moshën 91-vjeçare, në qytetin e Shkodrës. Ai u shqua për veprimtarinë e tij në fushën e arsimit, etnografisë, diplomacisë e bibliografisë. Willy Kamsi lindi në Bari të Italisë në dhjetor të vitit 1926.

Ai u rrit në mërgim, nga ku erdhi në Shqipëri në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, në qershor të vitit 1943.Familja e tij u vendos në kryeqytet, por mbarimi i Luftës do të sillte ndryshime të mëdha në jetën e tij. Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë Luftës me politikë, familja e tij në qershor të vitit 1953 dëbohet nga Tirana dhe detyrohet të shkojë në Shkodër.  

Gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri, Willy Kamsi, punoi si bibliotekar pranë Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku u vlerësua për përkushtimin e tij.Krahas punës së bibliotekarit, Kamsi është i njohur dhe për studimet e tij historike dhe bibliografike, duke botuar një seri artikujsh.

Ai gjithashtu ka kontribuar në fushën e përkthimit.Pas rënies së komunizmit, në vitin 1993, ai u emërua  ambasadori i parë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.Kamsi qëndroi në këtë detyrë deri në dhjetor të vitit 1996. 

Në vitet e tjera të jetës Ëilli Kamsi iu përkushtua botimit të disa veprave të rëndësishme bibliografike,  të revistave “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Albania” e Konicës, “Shêjzat”, si edhe disa materialeve me rëndësi historike, si “Ditari” historik i Shuk Gurakuqit, “Kujtimet” e Gjon Kamsit, një përmbledhje e studimeve të tij historike, etj.

Në gusht të vitit 2009, gjatë një vizite në Shkodër, pak kohë pasi kishte botuar katër vëllimet bibliografike të revistave të sipërpërmendura, ne i morëm Willy Kamsit këtë intervistë që e sjellim sot për lexuesit në shenjë kujtimi  dhe nderimi për kontributin e tij si studiues e kërkues shkencor. 

Një vepër madhore mund të cilësohet puna që ka bërë studiuesi i mirënjohur shkodran Willy Kamsi për botimin e katër vëllimeve të plota me  bibliografi të revistave të mirënjohura “Albania” “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Shkëndija” dhe “Shejzat”. E takojmë një mesditë në Shkodër, kur ai sapo ka dalë nga Biblioteka e Jezuitëve dhe na fton për një bisedë në shtëpinë e tij.

Na tregon fillimisht katër vëllimet e rralla, përmes të cilave tashmë çdo i interesuar mund të gjejë fare lehtë qoftë edhe detajet më të imëta në koleksionet e këtyre 5 revistave. E mandej për të mësuar më shumë mbi punën e bërë zhvilluam këtë bisedë.

Willy Kamsi
 
Botimi i katër vëllimeve me bibliografi ku përfshihen koleksionet e pesë revistave më të rëndësishme të fundshekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX, tashmë është në duart e lexuesve. Si u realizua ky botim mjaft i domosdoshëm për kohën?
KY botim është rrjedhojë e nëj pune të gjatë që kam bërë në bibliotekën e Institutit Pedagogjik të Shkodrës për më shumë se 27 vjet. Vetë puna në bibliotekë të shtyn të plotëshosh informacionin për studiuesit, e ndonjëherë edhe për vetveten. Kur munda të siguroj një kompjuter, pasi kisha dalë në pension diku para 20 viteve, atëherë mu bë më e lehtë puna për regjistrimin e këtyre materiale. Fillova me revistat që përfaqësonin më tepër kulturën e Shkodrës, në fund rezultoi se ishin të plota materialet për realizimin e katër volumeve me bibliografi për revistat “Albania”, “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Shkëndija” dhe “Shejzat”.

Thatë revistat që përfaqësonin më tepër kulturën e Shkodrës. Mund ta përfshijmë këtu edhe “Albanian” e Konicës?
Po. Edhe “Albania” e Faik Konicës mund të përfshihet në atë grupin e revistave që e kanë burimin themelor në Shkodër. Kjo, duke pasur parasysh bashkëpunëtorët e revistës. P.sh tek “Albania” kemi botimin e parë të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” nga ana e Gjeçovit. Po ashtu kemi vjershat e Ndre Mjedës, Hilë Mosit, Gurakuqit, i cili boton madje edhe nji traktat “Vargnimi në gjuhën shqipe”. Një traktat i mirëfilltë. Të mendosh që ishte në moshën 22 vjeçare. Po ashtu 20 vjeçar ishte edhe Faik Konica i cili botonte një revistë me nivel kaq të lartë. Kjo tregon se personalitetet që botonin aty edhe pse të të rinj, ishin të formuar dhe me një shkollë e cila ka lënë gjurmë edhe në vitet e mëvonshme.

albanian
 
“Leka” ka qenë një revistë mjaft e veçantë dhe kjo jo vetëm për faktin se drejtohej nga albanologu italian padër Zef Valentini apo jo? Ajo kishte një karakter të orientuar qartë kah historia...
Po, “Leka” është drejtuar nga Padër Zef Valentini, i cili duhet thënë,  edhe pse italian ishte aq i lidhur me çështjet shqiptare dhe kishte kaq shumë kontribute në albanologji, sa shpesh edhe vetë shprehej “na shqiptarët...”. Ai në të vërtetë i dha një drejtim mjaft specifik revistës së tij, një orientim të qartë kah historia e Shqipërisë të cilën e pasuron me botime të vyera dokumentesh që i mblidhte në arkivat e Venedikut, Romës, Milanos, etj. Kontributi i tij është përmbledhur në 25 vëllime “Acta Albaniae Veneta” që janë  dokumenta të Arkivit të Venedikut, shprehimisht për Shqipërinë. Këtë vepër madhore ai nuk arriti ta përfundojë, sepse ai  projekt ishte menduar për 30 vëllime. Pra mbetën plot pesë vëllime që mendohen të botohen tashmë për të plotësuar kështu këtë sëri të rëndësishme dokumentash.

leka
 
Përveç “Hyllit të dritës” e drejtuar nga Fishta, kontributi i të cilës është mjaft i njohur edhe sot, vlen të ndalemi pak tek dy revistat e tjera: “Shkëndija” dhe “Shejzat” që i drejtoi Koliqi... Cili është historiku i tyre?
Ernest Koliqi, është padyshim një personalitet i njohur dhe i vlerësuar për kontributin që ka dhënë në studimet albanologjike, sidomos në revistën Shejzat. Ai fillimisht boton në vitet ‘40 –‘43 revistën “Shkëndija”. Në vitin 1943 pezullohet numri i 11 i kësaj reviste, e mandej, në linjën e saj Koliqi nisi botimin e revistës “Shejzat, e  cila fillon më 1957 dhe mbyllet përfundimisht në vitin 1974. Vetëm një vit më vonë Koliqi ndahet nga jeta dhe botohet për nder të tij një numër i posaçëm në vitin 1978.

hylli
 
A ka një vijimësi nga “Shkëndija” te “Shejzat”?
Po ka një vijimësi. E këtë mund ta nisim që nga pseudonimet, të cilët Koliqi i përdor në të dyja revistat. Por këto pseudonime, vetëm sa i takon Koliqit, pasi bashkëpunëtorët e tij të mëparshëm që i kishte të “Shkëndija”,  nuk mudn ta vijonin bashkëpunimin me Koliqin, pasi ishte krijuar tashmë rrethimi i hekurt në Shqipëri.

shejzat
 
Këto revista kanë patur karakter shkencor e herë pas herë në to janë botuar dokumenta shumë të rëndësishëm. Mudn të përmendim disa prej tyre që vlen të veçohen?
Po mund të ndalemi te revista Leka, ku kontributin me dokumenta të vyera e dhanë jo vetëm autorë shkodranë. Kemi për shembull Lluka Karafilin, i cili boton dokumenta mjaft të rëndësishme historike, po ashtu Ilumit Qafzezit, i cili po ashtu sjell dokumente që i takojnë kryesisht jugut të Shqipërisë. Kontributi i tij duhet thënë është shumë i madh. Madje çudi që deri më sot, askush nuk interesohet që të botohen studimet e tij. Po ashtu padër Gjon Shllaku, ka botuar në këtë revistë dokumenta të rëndësishëm nga arkivi i Napolit lidhur me Kastriotët, dhe kryesisht me Skënderbeun.
 
A mund të gjenden nga studiuesit por edhe nga lexuesit e thjeshtë këto koleksione të plota dhe ku?
Kam një lajm të mirë nga Prishtina, ku është ribotuar i gjithë koleksioni i revistës “Albania”, një ribotim anastatik, nisur në 1897 dhe deri në 1909, kur ajo u mbyll. Unë e kam blerë  koleksionin e plotë të albanias për Universitetin e Shkodrës, dhe një kopje e kam arkivuar edhe në Bibliotekën e Jezuitëve. Pra studiuesit mund ta gjejnë. Por revistat e tjera nuk janë riprodhuar ende, edhe pse kushtet teknike sot janë mjaft të favorshme dhe kjo gjë mund të kryhet me lehtësi. Nevoja për të bërë të njohur këtë kontribut është vërtet e madhe sidomos për elementin e ri, i cili është krejt i paditur për çka është botuar para ’44.
 
Shumë akuza iu shkojnë historianëve të kohës së diktaturës për shfrytëzim në kuptimin negativ të fjalës, të këtyre materialeve  dhe autorëve të tyre...
Po ka pasur shumë raste kur janë shfrytëzuar materialet dhe nuk është përmendur askund autori. Kësisoj është përvetësuar mundi, djersa dhe kultura e tjetërkujt. Kjo pra është ana më negative e këtij fenomeni. Dhe ky dëm nuk i shkaktohet vetëm atij autori, të cilit i është përvetësuar puna, por dëmtohet vetë kultura. Sepse shhpesh janë marrë materialet që iu interesonin e madje janë shtremëruar mjaft. Nganjeherë janë marrë pjesë të vogla të shkëputura nga konteksti i përgjithshëm, duke e përmbysur kështu kuptimin e të tërës.
 
Nisur nga kjo a mund të cilësohet emergjente botimi i plotë i këtyre koleksioneve, si në rastin e “Albanias”?
Është  mëse e domosdoshme. Madje duhet shkuar më përtej kësaj. Shumë vepra të autorëve të rëndësishëm, të cilat janë dëmtuar me botimet e bëra më parë, duhen ribotuar duke i qëndruar besnik variantit që realizoi vetë autori. Nuk mudn të vihet dorë kurrsesi në shkrimet e autorëve.
 
Këto vëllimeve ju i keni pajisur edhe me shënime e sqarime për pseudonimet e përdorura në këto revista. Sa e vështirë ishte lidhja e tyre me autorët realë?
Në të vërtetë janë zbërthyer disa prej pseudonimeve, përdorur në shkrime të ndryshme të të 5 revistat që përmendëm. Kuptohet për sa kam mundur uunë t’i zbërthej. Por duhet thënë se më ka ndihmuar mjaft edhe bibliografia e Palok Dakës, një libër mbi pseudonimet, megjithëse edhe ai është mjaft i mangët.
 
A keni zbuluar ndonjë pseudonim që as ju vetë më parë nuk e njihnit?
Kam zbuluar disa pseudonime, por do të doja të ndalesha tek dy vjersha të Luigj Gurakuqit. Në të vërtetë pseudonimi që ai përdor aty ishte i regjistruar, por nuk njiheshin ato vjersha. I përkasin fillimeve të krijimtarisë së Gurakuqit dhe ai i nënshkruan me pseudonimin Mirush Ujka. Vjershat janë pak a shumë brenda karakterit të krijimtarisë poetike të tij dhe janë botuar në koleksionin e “Albanias”. Njëra prej tyre titullohet “Arbënia”, i takon vitit 1898, është botuar në numrin 6 të revistës, në faqet 89-90. Ndërsa  tjetra titullohet “Nandhea” (nënkupton Mëmëdheu) po e vitit 1898, e botuar në numrin 8 të revistës “Albania” në faqet 129-130.
 
Çfarë ndihme i sjell lexuesve të interesaur botimi i këtyre bibliografive?
Kjo e ndihmon shumë lexuesin, sepse ai tashmë nuk ka nevojë të shfletojë nga fillim deri në fund një koleksion reviste. Duke u nisur nga emri i autorit dhe kronologjia ai gjen materialin që i intereson. Kësisioj lexuesi drejtohet fill në adresën e duhur pa u lodhur dhe pa humbur kohë e pa qenë nevoja të shfletojë koleksione të tëra revistash.
 

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Dilni nga zona juaj e rehatisë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Dilni nga zona juaj e rehatisë... Çfarë thonë yjet për ju sot