DIBËR- Një 36 vjeçar nga Tirana, i cili kamuflohej si shofer furgoni për transportin e pasagjerëve ka rënë në pranga në Dibër, pasi transportonte lëndë narkotike. Yllson Dani, i cili kryente linjën Klos-Tiranë-Klos, përdorte furgonin për të transportuar lëndë narkotike dhe pas kontrollit të ushtruar nga policia i janë gjetur katër kallëpe me kanbis çokollate.

Ai është ndalur nga policia në vendin e quajtur ura e fshatit, Fshat, në Klos. Gjatë kontrollit të ushtruar në dyshemenë  e sediljes së shoferit, shërbimet e policisë gjetën një kuti, ku brenda saj kishte 4 kallëpe  me lëndë narkotike kanabis sativa, të përpunuar në formën e çokollatës. Lënda narkotike ishte me peshë rreth 1 kilogramë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Operacioni  vijon  për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë  veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.