Në fjalën e tij, Luan Rama deklaroi se Kuvendi nuk po ndjek zbatimin e ligjeve për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike, fenomen për të cilin edhe institucionet ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim.
“A ka vend këtu për të qenë krenarë se ne e paskemi bërë detyrën tonë dhe se zëdhënësi i LSI e paska lexuar gabim raportin e Departamentit të Shtetit? Dhe se hienat kanë dalë nga zyra e LSI-së? Ky është realiteti?”, është shprehur Rama.
Një problem tjetër shumë i rëndësishëm, sipas tij, është edhe asgjësimi i lëndëve narkotike të sekuestruara, që është kryer në shkelje me ligjin.
“Ligji e thotë qartë se asgjësimi bëhet në prani të prokurorit, të oficerit të policisë gjyqësore dhe personit të caktuar nga gjykata. Dhe për dokumentimin e këtij veprimi mbahen 3 proces-verbale. Kemi të paktën 13 raste të asgjësimit ku nuk ka qenë prokurori dhe nuk ka pasur proces-verbale dhe një pjesë e të arrestuarve kanë mbetur nëpër gjykata pasi nuk ka prova për lëndën narkotike. Edhe droga që sekuestroi policia në Lazarat është asgjësuar në shkelje me ligjin”, ka thënë Rama.
Deklarata e Luan Ramës ku bie në sy termi ‘hiena’ vjen në formë reagimi ndaj deklaratës së Saimir Tahirit që iu kundërpërgjigj pak ditë më parë sulmit të LSI ndaj punës së policisë për luftën kundër kanabisit.
"Qofshin keta te fundit ne çadren e pashprese te bulevardit, qofshin ne cadrat e turpshme te emisioneve te porositura dhe komentatoreve te paguar apo qofshin ne rolin e hienave te dala nga oborri i PS, qe enderrojne deshtimin e Partise Socialiste, pergjigjen e merituar e kane marre tre vjet e gjysem nga puna jone e perbashket dhe do ta marrin nga populli i Tiranes dhe gjithe Shqiperise ne 18 qershor."
(d.b/Shqiptarja.com)