Ka qenë kjo e njëjta dëshmi e dhënë nga 22 punëtorët e arrestuar në laboratorin e kanabisit në Rrëshën 2 ditë më parë para hetuesve.
Kështu u shpreh sot në sallën e gjyqit edhe Sokol Lamaj, një prej të arrestuarve lidhur me 4.2 ton drogë që u kapën në Rrëshen në një magazinë të përshtatur si laborator droge. Dëshmia e tij u dha sot në seancën gjyqësore në gjykatën e Lezhës ku Lamaj u njoh me masën e sigurisë, mëson Shqiptarja.com.
“Kam shkuar për të punuar aty sepse nuk kam mundur të gjej asnjë punë tjetër që t’i siguroja të ardhura familjes. Janë vështirësitë ekonomike që më bënë të punoja sëbashku me vëllezërit, dhëndrin dhe kushërinjtë. U bëmë bashkë për të shkuar tek kjo magazinë sepse nuk më mbeti zgjidhje tjetër për punësim”, rrëfeu Lamaj, i cili u la në ‘detyrim paraqitje’.
Prokuroria e Lezhës ka kërkuar për të miturit dhe 3 gratë shtatzëna lirim të menjëhershëm ndërsa për pjesën tjetër të punëtorëve detyrim paraqitje.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 'punëtoret e hashashit' prej 3 javësh punonin në këtë magazine dhe të drejtuar nga Lazaratasi, Romeo Gaba, ata kryenin procesin krasitjes me gërshërë të boçes së kanabisit e më pas stivosjen e bimës në rafte.
"Për mua ishte dita e parë qe shkova. Sa shkova me kapi policia. Nuk i mora dot paratë", thotë një tjetër 'punëtor hashashi'.
Ka dhe gra që revoltohen.
“Edi Rama të vijë këtu dhe na thotë të shpia, votoni për mu, ti fusin kalamajtë në punë. Jemi 20 vetë të një familje, pa punë, pas strehë”.
"Kujtuam se ishte Sherebele"
Para sallës se gjyqit nuk e kanë pasur të lehtë të përballen me akuzat për drogë. Pesë prej të të ndaluarve nga grupi i të arrestuarve në Rreshen thanë se nuk kishin dijeni se bëhej fjalë për kanabis. “Kujtuam se ishte sherbelë sepse kështu na u tha kur na morën në punë”.
“Kam punue edhe unë, për copën e bukës së gojës. Më kanë thënë që është sherebelë. Nuk e kisha parë kurrë cfarë ishte hera e parë që e pashë, nuk e kisha parë kurrë”.
Kjo grua e komunitetit rom nuk e mohon që ka punuar në magazinën e Rrrëshenit ku u kapën para pak ditësh 4.2 ton kanabis.
“Kam dy cunat, dhëndrin, kanë shkuar me punue atje, dhe u kanë thënë asht lule ashtu”, thotë një tjetër e indinjuar për familjarët që janë në qeli.
“Prej hallit u rrejt i shkreti”, thotë nëna me foshnjen në duar.
Në operacionin ‘Befasia’, Policia e Shtetit mundi të sekuestrojë 4.2 ton kanabis ndërsa në kërkim u shpall Kastriot Reci personi që rezulton të ketë dhënë me qira magazinën në pronësi të tij tek të tretë për kryerjen e këtij aktiviteti kriminal.
[gallery]19498[/gallery]
Zbulimi i magazines me 4.2 ton droge
Pak ditë më parë policia zbuloi 4.2 ton drogë në një godine ne Rreshen. Magazina e ndërtuar pranë një pike ushqimore, që dikur shërbente si pularia e ndërmarrjes bujqësore të Rrëshenit, ishte kthyer nga trafikantët në laborator droge, i pajisur me rezistenca dhe tuba ajrimi, për përpunimin e bimëve narkotike. Sasia e drogës, vendosej në 6 nivele të krijuara me tela, dhe më pas aty kryhej procesi i tharjes së drogës.
Burime për Shqiptarja.com bëjnë të ditur se laboratori i drogës u ngrit pranë pikës ushqimore, me qëllim që të justifikohej lëvizja e shpeshtë e makinave dhe njerëzve që hynin e dilnin në zonë.
Mësohet se e gjithë zona ruhej me roje, ndërsa policia është vënë në dijeni të ekzistencës së laboratorit të drogës pas informacioneve për lëvizje të shpeshtë furgonësh e makinash pranë ish-pularisë.
Pas këtij informacioni, policia vëzhgoi zonën për tre ditë me radhë dhe më pas ndërhyri duke ndaluar 22 persona, të cilët do të gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda si grup i strukturuar kriminal.
Policia bën të ditur se në kuadër të operacionit të koduar "Befasia" në Rrëshen e arrestuan 22 persona, si dhe 9 gra po procedohen ne gjendje të lirë.
Ajo që ra në sy ishte fakti se mes të arrestuarve ishte edhe një punëtor nga Gjirokastra dhe dy nga Lushnja.